Të bëmat e tre heronjve nuk i "kap" asnjë dokumentar serioz - Kulturë - Kosova Sot
Të bëmat e tre heronjve nuk i "kap" asnjë dokumentar serioz

Të bëmat e tre heronjve nuk i "kap" asnjë dokumentar serioz

KOSOVA BËN PAK PËR HERONJTË ZAHIR PAJAZITI, HAKIF ZEJNULLAHU DHE EDMOND HOXHA

Historiografia jonë vazhdon t'u mbetet borxh tre heronjve

Aktivitete të shumta janë mbajtur gjatë ditës së djeshme për të kujtuar 21- vjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Homazhe para busteve të tyre u bënë nga krerët e shtetit, deputetë dhe politikanë të rangut të lartë të shtetit. Në veçanti në Sheshin "Zahir Pajazit", në Prishtinë, te shtatorja e heroit. Për heroinë dhe grupin e tij janë bërë libra, monografi shkrimet të ndryshme, por ende shteti, sidomos historiografia jonë vazhdon t'i mbetet borxh tre heronjve, të cilët me veprimtarinë e tyre ishin shndërruar në prijatarë të lirisë së Kosovës gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar. Ende nuk kemi një monografi dokumentare, faktike për tre heronjtë, grupin e tyre, aksionet, shtrirja,e shumëçka tjetër, kur dihet rëndësia e aksioneve që ishin ndërmarrë nga Zahir Pajazit dhe bashkëluftëtarët e tij kundër policisë serbe. 

Nuk ka botime në gjuhë të huaja

Për njohës të zhvillimeve kulturore në vend, pavarësisht se janë bërë monografi për heroin, duhet ende, lexuesi duhet të ketë më shumë informate sesa ato që servohen sot, zakonisht në data përkujtimore, ku kujtohen më shpejt, pse jo të ketë edhe botime në gjuhë të huaja. Krijuesi Ismet Tahiraj, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se shteti unë është dashur të bëjë më shumë për heroin Zahir Pajazit dhe bashkëluftëtarët e tij, të ketë më shumë prezencë në publik të emrit të tyre, qoftë në emërtim e rrugëve, shesheve, objekteve shkollore e kulturore, etj. Sidomos, siç ka thënë ai, të ketë shumë studime për ta. "Të gjitha hartat e qytetit të vendeve të Evropës dhe gjetiu janë një tregues i posaçëm, tashmë edhe në telefon për turizëm e apostafat për figurat madhore të atyre shteteve. Ndërsa, ne shumë pak punojmë karshi të bëmave të heronjve tanë, të jetës së tyre sublime", ka thënë ai, duke shtuar e do të duhet të kishin doracak për historinë tyre, pse jo edhe në gjuhë të huaja. 

Duhet bërë më shumë për heronjtë

Më tej, Tahiraj ka thënë se në vendet përparimtare i gjen me dhjetëra libra dhe doracakë për heroizmin e tyre që, siç ka potencuar ai, karshi heronjve tanë ata do të dilnin shumë më vegjël. "Po krejt ky informacion do të ishte mirë të ishte në shumë gjuhë të huaja, sidomos librat për ta, ku do të shkruhen reportazhe, e veçanërisht poezi dhe poema apo edhe vepra muzikore për Zahirin Edmondin dhe Hakifin", ka potencuar ai, përderisa ka thënë se në asnjë epope nuk ftohen të huajt fare, çka do të ishte e kundërta, me qëllim që edhe të huajt të jenë në rrjedhat e sakrificave të tyre. Ndërsa veterani i luftës, autori i disa botimeve mbi luftën e fundit dhe krimet e kryera nga serbët, Dan Ibrahimi në një prononcim për "Kosova Sot", duke çmuar kontributin e Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, e shumë e shumë të tjerave, duhet bërë më shumë për heronjtë, edhe pse monografi për janë shkruar. "Në fakt, monografi të tilla ka të shkruara. Mungese ka për monografi dokumentare mbi eksodin, krimet serbe dhe gjendjen e përgjithshme gjatë luftës", ka thënë ai. Në anën tjetër, të shumtë kanë qenë ata që kanë çmuar kontributin e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmon Hoxhës, jo vetëm gjatë homazheve, por edhe në aktivitete të tjetra në kujtim të heronjve. Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, gjatë fjalës së tij në akademinë përkujtimore që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare 'Pjetër Bogdani", nënë patronazhin e tij, për heronjtë, potencoi ndër të tjerash se vepra e heronjve ishte një kontribut dhe nxitje për shtimin radhëve në UÇK-në. "Rënia heroike e dëshmorëve Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu është një shembull se si bëhet lufta për liri, pavarësisht se ishte goditje e madhe për UÇK-në, ajo nxiti një rikthim edhe të më shumë luftëtarëve në luftë për lirinë", ka thënë Haradinaj. 

(Kosova Sot)

37 minuta më parë
20/10/18