Bashkëpunimet kulturore Kosovë-Shqipëri, në krizë identiteti - Kulturë - Kosova Sot
Bashkėpunimet kulturore Kosovė-Shqipėri, nė krizė identiteti

Bashkėpunimet kulturore Kosovė-Shqipėri, nė krizė identiteti

CILAT DO TË JENË TË VEÇANTAT E BASHKËPUNIMEVE KULTURORE KOSOVË - SHQIPËRI GJATË VITIT 2018? 

Ministria e Kulturës e Kosovës dhe ajo Shqipërisë shumë shpejt pritet të nënshkruajnë kalendarin e përbashkët kulturor për 2018. Një kalendar, i cili pritet të jetë më i veçantë dhe mjaft specifik, për faktin se edhe Kosova tashmë është pjesë e "Vitit Gjithëkombëtar të Skënderbeut", ku parashihen mjaft aktivitete. Kështu kanë thënë për "Kosova Sot", zyrtarë të Ministrisë së Kulturës. Por, ende nuk ka ndonjë datë se ku mund të ndodhë nënshkrimi i këtij kalendari. Zyrtarë të MKRS-së kanë thënë më tej se gjatë takimit të mbajtur para pakë ditësh në mes të dy ministrave të Kulturës, është diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit midis dy ministrive përkatëse në fushën e kulturës. Në anën tjetër, për komunitetin kulturor bashkëpunimet kulturore në mes dy vendeve shqiptare, janë në një krizë identiteti, që ka kaluar në një monotoni falë formës,përmbajtjes dhe realizimi të kalendarit vjetor të bashkëpunimit kulturor.

PËRGATITJA E KALENDARIT TË PËRBASHKËT

Këshilltari i ministrit të Kulturës, Samir Hoxha, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se ministri Gashi gjatë takimit në Republikën e Shqipërisë me ministren Kumabaro ka diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit midis dy ministrive përkatëse në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe atë të së drejtës së autorit, duke krijuar edhe hapësira dhe mundësi për intensifikim e bashkëpunimit edhe ndërmjet skenës së pavarur kulturore të të dyja vendeve. "Si rrjedhojë e bashkëpunimit të dy ministrive të Kulturës, asaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, për vitin 2018 së shpejti do bëhet nënshkrimi i kalendarit të përbashkët kulturor, si një traditë e mirë dhe shumë domethënëse për kulturën në të dyja vendet, gjë e cila do të ndodhë brenda muajit shkurt", ka pohuar ai. Po sipas këshilltarit Hoxha, gjatë këtij takimi ministri i MKRS-së, z. Kujtim Gashi, dhe homologia e tij ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, kanë rënë dakord që të dyja institucionet shtetërore të Kulturës të fokusohen më shumë tek përgatitja e kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë si dhe të angazhohemi së bashku për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore të dy vendeve tona. Ndërkaq, Ylber Vokshi, arkitekt dhe ekspert në fushën e trashëgimisë, ka thënë se bashkëpunimi kulturor në mes dy vendeve, dikur i paimagjinueshëm , gjatë këtyre viteve të fundit ishte në një krizë identiteti, e cila ka kaluar në një monotoni falë formës, përmbajtjes dhe realizimi të kalendarit vjetor të bashkëpunimet kulturore, i cili, siç ka pohuar më tej ai, vitin e kaluar është reduktuar në përgjithësimin e aktiviteteve kulturore në mes dy ministrive homologe. "Kjo qasje joproduktive u vërejt në zhvillimin e përgjithësuar të aktiviteteve kulturore, të cilat në vitin 2018 besoj se do të pësojnë ndryshime pozitive, pasi për ketë ka potenciale dhe kapacitete kulturore në të dyja shtetet, posaçërisht sivjet kur në Shqipëri është shpallur "Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut",me rastin e 550- vjetorit të vdekjes së Skënderbeut dhe priten aktivitete të shumta kulturore në të dyja anët e kufirit shqiptaro-shqiptar", ka pohuar ai, duke shtuar se së fundit duhet përshëndetur iniciativën e një teatri profesional nga Tirana që këto ditë kishte premierë në tri qytete të Kosovës. "Për begatimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, pos fushës së teatrit dhe në atë të artit pamor dhe vizual,muzikës klasike, dhe argëtuese, arkeologjisë, arkitekturës, etnologjisë, muzeologjisë etj", ka potencuar ai.  

DUHET TË BËHET MË SHUMË

Ndërkaq, shkrimtari Zeqit Fazliu, duke folur për bashkëpunimet dhe pritjet për 2018, ndër të tjerash, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se nuk po shihen konkretisht ndonjë bashkëpunim në lëmin e kulturës. "Këtu te ne në Kosovë mbahen shumë manifestime letrare, si: "Flaka e janarit " në Gjilan, "Drini poetik", Prishtinë-Prizren-Kukës. Pastaj është edhe "Mitingu i Poezisë" në Gjakovë,Takimet letrare"Azem Shkreli" në Pejë,etj. Në këto manifestime marrin pjesë edhe shumë poetë e shkrimtarë nga Shqipëria. Por, kjo nuk mjafton. Bashkëpunimi duhet të jetë në një nivel më të madh në mes dy vendeve. Kemi mjaft tema për të cilat duhet bashkëpunuar. Të shpresojmë në këtë vit të jetë më mirë", ka pohuar Fazliu. Ndërsa Emin Sahiti, njohës i zhvillimeve kulturore dhe menaxher në SHKA "Bajram Curri", në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se sa i përket bashkëpunimit kulturor Kosovë-Shqipëri duhet të bëhet edhe më shumë, si në bashkëpunimet e arteve skenike, pastaj koncerteve të shoqërive kulturore amatore të përbashkëta etj. "Të cilat i mungojnë publikut shqiptar. Kurse sa u përket festivaleve, ato mbahen më shumë vetëm për përfitime materiale të njerëzve të caktuar. Nuk ka as kualitet, e as organizim të mirëfilltë", ka potencuar Sahiti. Kurse, kritiku Ilir Muharremi, profesor në UP, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se bashkëpunimet duhet të ndodhin jo veç Kosovë- Shqipëri, por edhe me shtete të tjera më të mëdha. 

(Kosova Sot)

 

21 orë e 54 minuta më parë
24/02/18