Turbullira ndër shqiptarët e Kosovës së pasluftës

  • 03 February 2018 - 16:12
Turbullira ndër shqiptarët e Kosovës së pasluftës

RECENSION DRAMËS "KOSOVATRANS" TË DRAMATURGUT NASER SHATROLLIT

SHKRUAN: PROF.DR.JOSIF PAPAGJONI, TIRANË

Një shumësi idesh përbëjnë përmbajtjen e kësaj diadrame Dramën Shatrolli e sjell jo aq përmes një ligjërimi poetik, dëftues dhe rrëfimor, por përmes ligjërimit skenik e dramatik, ku koha tashmë është tejet e kufizuar dhe vëmendja e publikut duhet mbajtur e ngritur, veshëpërpjetë, gati si në një shkrehje çarku Në festivalin e teatrit "Flaka e janarit" të Gjilanit, datë 23 janar 2018, trupa e teatrit të Podujevës "Avdush Hasani" shfaqi diadramën e dramaturgut dhe regjisorit Naser Shatrollit "Kosovatrans". Shatrolli është autor i ri dhe mban firmën e disa teksteve dramatike, ka shkruar mjaft shkrime kritike duke përcjellë në shtyp dhe medie vepra teatrore të shumta e duke ofruar, më së shpeshti, vlerësim të sinqertë, pozitivitet e kurajim. E kam ndjekur edhe më herët krijimtarinë e tij dhe kam vënë re se vit pas viti, përtej pasionit prej rishtari, të cilin gjithkush e ka mbajtur pranë vetes si një rrahje zemre (shpresash dhe ëndrrash), për sukses dhe për vetëshprehje të individualitetit të vet artistik, gjithnjë e më shumë jam bindur se ai është "burrëruar" në familjen e artistëve të teatrit dhe dramës. Kam mbresën e mirë se nesër ai do të jetë një krijues i vyer, në mungesat dhe nevojat që skena dhe drama shqipe ka sot për sot për emra të rinj, sa serioz e të talentuar, aq dhe mëtues të "pafalshëm" të dafinës dhe të meritës. Një vit më parë ai solli po një diadramë me titullin "Karramel", e cila fitoi çmimin e parë po në festivalin e Gjilanit dhe u vlerësua nga kritika. Në atë tekst e shqetësonte fort raporti eter-bijë, një marrëdhënie e brishtë, delikate, ku përplasen mendësi kontroverse dhe ku ndershmëria është fare pranë me shtirjen, ku e jashtmja bëhet e brendshme dhe anasjelltas, ku kundërshtia dhe lëndimi që vjen nga sjellja e tjetrit shndërrohet në premisë për çlirim, rebelim, riidentifikim dhe katarsis. Prandaj dramën ai e sjell jo aq përmes një ligjërimi poetik, dëftues dhe rrëfimor, por përmes ligjërimit skenik e dramatik, ku koha tashmë është tejet e kufizuar dhe vëmendja e publikut duhet mbajtur e ngritur, veshëpërpjetë, gati si në një shkrehje çarku. Dhe kjo kërkon intuitë, diç të brendshme, sikurse njohje të ligjë- sive të skenës, s'bëhet me leksione, as me porosi. Cilësi të tilla që vijnë ca nga studimet e mirëfillta të dramës si gjini letrare, shkollë të cilën N. Shatrolli e ka kryer, dhe ca më shumë nga aftësitë dhe talenti që janë ashtu të ndodhur brenda vetjes dhe formimit të tij, mënyrës së tij të vetshprehjes si shkrimtar, - të tilla cilësi pra e të tjera sosh m'u dukën se u rishfaqën në po atë epëri e në po atë nivel edhe te diadrama e fundit "Kosovatrans". Por besoj se Shatrolli ka pasur "mik" në suksesin e shfaqjes edhe një aktor të formatit kombëtar siç është Ismet Azemi. Në të dyja këto diadrama ai bëhet njëherësh qenie trikrerëshe: dramaturg, regjisor dhe prijës teatri. Cilësimi i fundit ngjan si i tepruar dhe një përlëvdim që i jepet njerëzve me ndihmesa të mëdha në teatër dhe udhëhapjet e tij, por unë e përdor në kuptimin e një artisti që ngulmon të ndërtoj "teatrin e vet", pra një koncept të vetin mbi teatrin, çka nis më së pari me idenë se si ai e sheh teatrin, dhe përfundon paskëtaj me realizimin e kësaj apo asaj premiere, ku do të synoj më tej, ç'udhë lipsen ndjekur. Unë i mëshova paksa më shumë kësaj ideje se e di që një prijës a "lider" i teatrit, sidomos kur bën bashkë këto tri shëmbëlltyra dhe misione (autor, regjisor, drejtues), ka fuqinë dhe të drejtën të ndërtojë teatrin e vet, sikundër kanë bërë Brehti, Piskatori, Arto, Grotovski, Shepardi dhe autoritete të mëdha të teatrit botëror, por edhe Kujtim Spahivogli, Mihal Luarasi, Pirro Mani e, sidomos, Serafin Fanko, Fadil Hysaj ndër ne. 

VIKTIMA DHE XHELATI

Por po i rikthehem diadramës "Kosovatrans"! Një shumësi idesh përbëjnë përmbajtjen e kësaj diadrame, të cilat tubohen në synimin për të ofruar një situatë të vështirë tranzicioni e turbullire ndër shqiptarët e Kosovës pas luftës. Nga gjithë ai korp mendimesh të mbledhura në tekst, së paku disa syresh duket se formësohen dhe shkrihen në dialogun që zhvillohet midis dy personazheve, një ish komandanti të UÇK, të cilit i janë vrarë dy djemtë dhe gruaja dhe një burri të ri, emigrant në Zvicër, me familje të shkatërruar, i lodhur, i mllefosur nga dështimet dhe zhgënjimet, që kthehet në vendlindje, por që është gjithsesi disi i paqartë, i turbullt, i errët, i dëshpëruar. Çfarë qëndrimi po mban shoqëria kosovare ndaj luftës dhe luftë- tarëve të saj? A ka respektin e merituar kjo luftë apo ironizohet nga segmente që duan ta bjerrin e ta zvogëlojnë madhështinë e saj? Sa është spekuluar politikisht me të? A kanë qenë pjesëtarët e saj njerëz të vërtetë të sakrificës dhe heroizmit apo shumëçka është e trukuar, një mashtrim mediatik e një farë fotoshopi grotesk, kartolinesk? Deri ku mbërrin e drejta e tyre, vallë shkon edhe tek e "drejta" për të shkelur ligjet e për të zaptuar tokat e të tjerëve? Cili është detyrimi ynë ndaj tyre dhe i çdokujt ndaj luftës dhe lirisë? Po ndërkombëtarët a mos e teprojnë me të drejtën e ndëshkimit ndaj liderëve luftarakë të UÇK, për të krijuar balanca diplomatike mes dy ndërluftuesve, shqiptarëve dhe serbëve, ndoshta një farë "loje", duke respektuar parimin e baraslargimit, rrjedhimisht duke i bërë njësoj viktimën dhe xhelatin, pa diferencuar agresorin nga i pambrojturi, me qëllim krijimin e një klime pajtimi, harrimi, fajësimi ku ndëshkimi është i dykahshëm?! Ideja tjetër që lëvrohet në dramë ngulet në pyetjen: Cili është raporti kulturor midis modelit perëndimor të lakmuar të jetesës dhe modelit lindor që zvarrget këmbëve tona? A është modeli perëndimor ai më i përkryeri apo ka aty diçka abuzive, ka ekzagjerim, shkelje të moralit, gjë e cila shkatërron traditat e mira, familjen, raportin prindër-fëmijë, marrëdhënien burrë-grua? Po qytetërimi ynë tradicional a duhet ruajtur me xhelozi si vlerë antropologjike e vyer dhe e patjetërsueshme apo ka vend për shkëputje të dhimbshme dhe refuzim të formave, ndonjëherë primitiviste, patriarkale, të cilat janë ushqyer gjatë prej një shoqërie të ngritur mbi autoritetin e mashkullit, burrit të shtëpisë etj. Idetë e artikuluara në vepër janë me kah dramatik dhe të mprehta, janë aktuale, për këtë shkak dhe pllenuese.

NEVOJA PËR TA ENERGJIZUAR MIZANSKENËN

Mizanskena regjisoriale e Shatrollit është përgjithësisht e ekuilibruar, e vendosur në një simbolikë-ngrehine hekuri si Kosova në ndërtim e tranzicion (struktura prej hekuri që lëviz e rrotullohet lart e poshtë në sheshin skenik) brenda një skenografie moderne (Zeni Ballazhi) që përdoret për nevojat aktoriale, pastaj pjesa kostumografike (Flutura Dedinja) që shpërfaq karakterin e dramës së personazheve dhe të natyrës së dramës si dhe koreografia e Robert Nuhës që stigmatizohet karakteri i dramës perëndimore dhe muzika e Drinor Zymberit që depërton thellë në damarët e rrjedhës së përgjithshme të dramës. Por nga nevoja për ta energjizuar mizanskenën, sikur është ''tepruar'' me lëvizjet të përhershme të saj duke i dhënë konotacione skenike, që s'kishte arsye përse të ngjante në çdo dialog e copëz konflikti midis dy personazheve. Ndonjë element i natyrës tjetërsuese kur aktori del nga roli, si ai me mollët që i jepen publikut, edhe mund të shmangej duke e kërkuar pauzën emocionale të personazheve në tjetër mënyrë e konotacion fizik, jo gjegjësisht, të themi, një forme teatrore "brehtiane" që s'ishte e domosdoshme në kësi teksti dhe koncepti teatror të ndjekur. Në fjalë të fundit, shfaqja ishte një sukses i merituar, me veprim të ngjeshur, një trysni psikike që rritet dhe ku përpara vetes na dalin pyetje të vështira, që kërkojnë ndershmëri ndaj ndërgjegjes sonë, ndaj vetë shoqërisë, për të mundur të ndërtojmë kështu atë imazh social, politik, antropologjik, human dhe civil, që e lakmojmë të gjithë: shoqërinë e të drejtë.

 

(Kosova Sot)