PARASHIKIMET PËR 'OSCARËT' E VITIT 2018 - Kulturë - Kosova Sot
PARASHIKIMET PËR

PARASHIKIMET PËR 'OSCARËT' E VITIT 2018

MBIZOTËROJNË PRODUKSIONET E PAVARURA

Janë përfshirë edhe tre filma me tematikë historike, si dhe romanca homoseksuale

SHKRUAN: RICHARD BRODY

Nominimet e sivjetme për 'Oscar', të bëra publike ditë më parë, shihen gjithandej, duke nderuar në të njëjtën masë të mirët, të këqijtë dhe të shëmtuarit. Vetëm herë pas here ndodhë që filmi më i mirë i vitit të gjendet në mesin e të nominuarve për filmin më të mirë dhe ky është njëri ndër ato vite, me filmin "Get Out" në listën prej nëntë filmave. Po ashtu këtu janë përfshirë edhe tre filma me tematikë historike, si dhe romanca homoseksuale "Call Me by Your Name", filmi qesharak "The Shape of Water", filmi "i pështirë pa qëllim", "Three Billboards Outside Ebbing, Missouri", bashkë me dy filma të tjerë, të cilët, në fakt, janë ndër më të mirët në vit, "Lady Bird" dhe "Phantom Thread." 

ASPEKTI KOMERCIAL

Në listë gjenden si filma me buxhet të vogël, po ashtu edhe filma me buxhet të majmë, filma të pavarur dhe produksione të studiove, ku bie në sy fakti që, në mesin e nëntë filmave të nominuar në këtë kategori, vetëm dy prej tyre ishin në kreun e pesëdhjetë filmave me fitimet më të mëdha gjatë vitit 2017 ("Dunkirk", në vendin e 14-të dhe "Get Out", në të 16-tin). Kur, duke filluar nga viti 2010, Akademia zgjeroi listën e nominimeve në kategorinë e filmit më të mirë, nga pesë, në maksimum dhjetë filma, ky veprim ishte arsyetuar si dëshirë që të kalohet përtej filmave që ishin parë vetëm nga kritikët, për të përfshirë filma më të popullarizuar, më të suksesshëm në aspektin komercial, etj. Për këtë shkak, prania e filmit "Three Billboards" në këtë listë (përpos në kategorinë e filmit më të mirë, ai mori dy nominime në kategorinë e aktorit më të mirë dytësor, si dhe në kategorinë e aktores më të mirë, skenarit më të mirë origjinal, rezultatit më të mirë dhe editimit) është sa tronditës, po ashtu edhe jo befasues. Filmi ishte shikuar me të shpejtë, në kohën e lëshimit të tij, duke parë se përfaqëson një pikëpamje të ndryshme dhe indiferente ndaj marrëdhënieve racore dhe politikave në lidhje me to. Serioziteti dhe sinqeriteti, sikur edhe më parë, janë pjesë të vetimazhit të Akademisë. Zemra ime u mbyt pasi që dëgjova se Tiffany Haddish do të jetë moderatore e transmetimit të nominimeve, bashkë me Andy Serkis, meqë prania e saj aty sugjeronte se ajo nuk do të merrte ndonjë nominim, të cilin e meritoi aq shumë, për performancën në filmin "Girls Trip". Ka humor në shumë performanca të të nominuarve, por nuk ka komedi të mirëfilltë; puna e Haddish'it në filmin "Girls Trip" është ndër më argëtueset, eksitueset, inventivet, por Akademia zor se i shpërblen karakteristikat e tilla. Njëri ndër nominimet më të çuditshme është ai i aktorit Christopher Plummer, në kategorinë e Aktorit më të mirë dytë- sor, për rolin e tij në filmin "All the Money in the World", i cili do të mund të quhej edhe nominim 'jetësor'. Dihet se Plummer bëri skenat e tij pasi që filmi ishte kompletuar, pasi që Kevin Spacey, aktori i cili kishte luajtur këtë rol në film, u akuzua për keqtrajtim seksual. Por, ky zëvendësim ndryshoi në një masë të madhe karakterin e tërë filmit. Kritikët thonë se ky film nuk është shumë i mirë, por Plummer është. 

AKTRIMI I BLIGE'S ËSHTË MBI TË GJITHA

Në shpërblimet e aktrimit dhe ato teknike, ka një anim që të shpërblehet më shumë të qenit virtuoz, sesa origjinal. Për këtë shkak nominimi i aktores Mary J. Blige, për rolin e saj në filmin "Mudbound", është i mirëseardhur. Vetë filmi rrallë arrin nivelin e dëshiruar, por aktrimi i Blige's është mbi të gjitha, meqë ajo komandon me skenën, thjesht duke qenë aty dhe ajo ka bërë një investim gjigant për një rol të vogël. Për të njëjtin film, Rachel Morrison mori nominimin në kategorinë kinematografia më e mirë dhe ajo është gruaja e parë që dominohet në këtë kategori. Ka kohë që kemi femra, kinematografe të mira (duke përfshirë edhe emrat, si Maryse Alberti, Caroline Champetier, Agnès Godard dhe Ellen Kuras), dhe Ashley Connor është njëra ndër kinematografet më origjinale në botë. Është mirë që Akademia është e vetëdijshme rreth ekzistimit të kinematografeve të mrekullueshme, por do të ishte edhe më mirë sikur Akademia ta zgjeronte vëmendjen e saj deri te vet arti. Këtu vjen Andy Serkis, i cili ka marrë shpërblime nga kritikët për performancat e tij si Caesar në serinë "Planet of the Apes". Derisa fusha e filmave zgjerohet në aspektin artistik, me mbizotërim të produksioneve të pavarura, 'Oscarët' janë duke u munduar që të përshtaten. 

JA PARASHIKIMET E MIA RRETH FITUESVE TË SIVJETMË TË ÇMIMEVE 'OSCAR'

Filmi më i mirë: "The Shape of Water" Regjisori më i mirë: Guillermo del Toro,"The Shape of Water" Aktorja më e mirë: Frances McDormand,"Three Billboards Outside Ebbing, Missouri" Aktori më i mirë: Gary Oldman, "Darkest Hour" Aktorja më e mirë dytësore: Allison Janney, "I, Tonya" Aktori më i mirë dytësor: Willem Dafoe,"The Florida Project" Filmi më i mirë dokumentar: "Strong Island" Filmi më i mirë në gjuhë të huaj: "A Fantastic Woman" Skenari më i mirë i adoptuar: "Call Me by Your Name" Skenari më i mirë origjinal: "Lady Bird" Kinematografia më e mirë: "Blade Runner 2049" Rezultati origjinal: "Star Wars: The Last Jedi" .

(Kosova Sot)

2 orë e 10 minuta më parë
17/10/18