Nesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës – baleti “Pa mure”

  • 07 February 2018 - 15:37
Nesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës – baleti “Pa mure”

“Pa mure”, është premiera e baletit e koreografes Teuta Krasniqi, e cila do të shfaqet nesër dhe i prin sezonit të ri të Baletit Kombëtar të Kosovës në vitin 2018.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, tha se kjo shfaqje baleti trajton një temë që prekë jetën e shqiptarëve në përgjithësi.

“Ne gjithmonë kemi qenë të rrethuar dhe të udhëzuar nga të huajt, nuk kemi qenë të lirë të vendosim as për shkollim, as për punë, por gjithmonë është dashur që dikush tjetër të na lejojë ose ndalojë kërkesat tona”, tha ai.

Brahimaj ka vlerësuar punën e koreografes Krasniqi, duke e cilësuar si njërën prej koreografeve të para kosovare që realizon një projekt të tillë.

E ndërsa balerina dhe njëkohësisht koreografja e kësaj shfaqjeje, Teuta Krasniqi, ka shpalosur procesin e punës për këtë shfaqje, duke i falënderuar të gjithë pjesëmarrësit që punuan në drejtim të realizimit të shfaqjes.

“Jam inspiruar nga gjërat që i kam kaluar edhe vetë, të gjitha këto sfida i kam quajtur mure... mungesa e liberalizimit të vizave, izolimi që na është bërë në përgjithësi është tema e kësaj shfaqjeje”, tha ajo.

I pyetur se kjo shfaqje a do shfaqet edhe jashtë vendit, drejtori Brahimaj tha se kjo shfaqje e meriton të njihet edhe jashtë Kosovës. Premiera “Pa Mure”, do të shfaqet nesër në Teatrin Kombëtar.

(Kosova Sot)