GOLGOTA E'99-TËS, PA FILMA E DOKUMENTARË SERIOZË

  • 10 February 2018 - 11:19
GOLGOTA E'99-TËS, PA FILMA E DOKUMENTARË SERIOZË

KOSOVA MBETET SHUMË MBRAPA NË DOKUMENTIMIN E EKSODIT MASIV TË PRANVERËS SË VITIT 1999

"Ka ende shumë punë, dhe duket se institucionet s'e kanë fort problem - ata zgjedhin të merren me krejt diçka tjetër, me pagat e majme të tyre! Sot, po përsëritet një eksod tjetër, por më ndryshe se ai i pari. Tash, jo për shkak të luftës, por për shkak të kushteve ekonomike, mungesës së perspektivës e vrasjes së shpresave", është shprehur krijuesi Bujar Meholli për gazetën "Kosova Sot"

Në fillim të pranverës së vitit 1999, kur Lufta në Kosovës po merrte përmasa biblike, forcat serbe në pamundësi për t'u përballur me fuqinë e NATO-s, si shenjë hakmarrjeje nisën vrasjet masive dhe dëbimin e shqiptarëve për në Shqipëri dhe në Maqedoni. Menjëherë pas 24 marsit 1999, kur NATO-ja nisi të godasë ushtrinë serbe, këta të fundit filluar që shtëpi për shtëpi, lagje për lagje, qytet për qytet, të dëbonin shqiptarë me dhunë, duke i vënë në kolona, më shumë në këmbë, makina e traktorë, drejt shteteve fqinje. Mandej ishte vënë një tren special për të transportuar shqiptarët e dëbuar nga Prishtina për në kufi, në Maqedoni. Në kufi atyre u merrnin letërnjoftimet, pasaportat e dokumentet e tjera identifikuese.

Por, deri në kufi, shqiptarët vriteshin, maltretoheshin, plaçkiteshin nga ushtria e policia serbe. Ky dëbim i paparë, në shoqërinë moderne evropiane shënon edhe kulmin krimeve serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë. Por, institucionet tona, si shtetërore ashtu dhe kulturore, shkencore, pak kanë bërë për ta zbardhur dhe për ta dokumentuar këtë tragjedi, sidomos për opinionin ndërkombë- tar. Edhe studiues dhe njohës dhe përjetues të atyre zhvillimeve kanë thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se nuk është bërë sa duhet dhe mundet për eksodin e dhunshëm të shqiptarëve të pranverës së 1999-tës. Bile, edhe në 19- vjetorin e kësaj tragjedie nuk është lajmëruar ndonjë aktivitet me rëndësi shkencore, filma apo edhe ndonjë monografi.

FAZLIU: INSTITUCIONET KANË PLANE PERSONALE, E JO PLANE MBARËKOMBËTARE

Shkrimtari Zeqir Fazliu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se për eksodin nuk është bërë sa e si duhet. Sipas tij, një gjë e tillë është tregues se ne nuk po ecim me kohën dhe kjo pastaj po i kushton shtrenjtë shoqërisë sonë. "Jo vetëm atëherë, por edhe tani institucionet tona nuk janë në nivelin e detyrës që u takojnë. Si duket, ato kanë plane të tjera personale e jo plane mbarëkombëtare. Tash jemi shtet e s'na pengon askush,por mungon vullneti dhe atdhedashuria. A s'është kjo e çuditshme për ne dhe për kohën tonë?", ka pohuar Fazliu, në një prononcim për "Kosova Sot".

"Janë lënë anash, thuajse nuk ka ndodhur asgjë, po humbim një shans të madh, kjo duhet të bëhet, pasi ende mund të mbledhim rrëfimet e dëshmitarëve të atyre ngjarjeve të rëndësishme që kanë karakterizuar atë kohë ", ka thënë krijuesi Ismet Tahiraj për "Kosova Sot

Ndërsa, studiuesi dhe krijuesi Ismet Tahiraj, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se për eksodin e 99-tës është bërë shumë pak, përjashto pak nga institucionet kulturore, e pak më shumë nga individë dhe studiues. Përderisa ka kujtuar se nga ato ngjarje janë ruajtur shumë materiale dhe dëshmi autentike, të cila, siç ka thënë ai, duhet të shfrytëzohen për të dokumentuar të vërtetën dhe tregimin rreth eksodit. 

"I KANË HIPUR KALIT MBRAPSHT QEVERITARËT TANË"

IBRAHIMI: TË DUKET SIKUR NUK DUAN TA LËNDOJNË SERBINË, DUKE DËSHMUAR KRIMET E SAJ

Edhe Dan Ibrahimi, shkrimtar, historian, i cili ka disa vepra të cilat pasqyrojnë krimet serbe, ka thënë se nga institucionet tona s' është bërë asgjë pothuaj për gjithë këto vite, për eksodin.

"Shiko, unë kam monografinë me mbi 700 faqe, gati tërësisht mbi dëshmi të papublikuara dokumentare mbi eksodin dhe askush s'është i interesuar për financim. I kanë hipur kalit mbrapsht qeveritarët tanë për 19 vjet. Të duket sikur nuk duan ta lëndojnë Serbinë, duke dëshmuar krimet e saj", ka pohuar Ibrahimi. 

Kurse Bujar Meholli, krijues, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se institucionet, qoftë shtetërore e qoftë kulturore, kanë gjëra të tjera me të cilat merren e s'e vrasin mendjen fort për eksodin e dhunshëm të vitit 1999, nga i cili u shpërngulën shumë kosovarë nga shtëpitë e tyre. Edhe pas kaq vitesh, ka thënë ai, nga ajo ngjarje nuk është se është zbardhur diçka në këtë drejtim, ngjashëm me të zhdukurit nga lufta e fundit, për të cilët vazhdohet të shpresohet se do të ketë diçka pozitive.

"Ka ende shumë punë, dhe duket se institucionet s'e kanë fort problem - ata zgjedhin të merren me krejt diçka tjetër, me pagat e majme të tyre! Sot, po përsëritet një eksod tjetër, por më ndryshe se ai i pari. Tash jo për shkak te luftës, por për shkak të kushteve ekonomike, mungesës së perspektivës e vrasjes së shpresave. Kështu, për të arritur një standard më të lartë jetese, synohen vendet e ndryshme evropiane!", ka potencuar Meholli, për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)