Edhe 'Prekazi historik' është në rrezik, si qendra historike në Prizren!

  • 10 February 2018 - 11:20
Edhe 'Prekazi historik' është në rrezik, si qendra historike në Prizren!

DEGRADIMI I SHTËPISË MEMORIALE TË JASHARËVE

Ky vendkujtim është më i veçanti jo vetëm në numrin e vizitorëve, por edhe për nga vetë rrëfimi dhe ndërkombëtarizimi i kësaj historie të sakrificës së madhe

 SHKRUAN: AVNI RUDAKU 

Kompleksi Memorial "Adem Jashari" duhet të mbrohet edhe me ligj, edhe me sundim të ligjit. U bë me ligj të veçantë apo jo, nëse nuk ka përgjegjësi institucionale, nuk mirëmbahet! Do të shembet, edhe nëse mjetet e dedikuara financiare për të nuk menaxhohen drejt, në mënyrë transparente dhe llogaridhënëse

Çështja mbi rrezikun e shembjes së Kompleksit Memorial "Adem Jashari", u lakua pak në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës dhe më shumë në mediet kosovare, me shkas edhe iniciativën e një figure publike, i cili i kishte shkruar një kërkesë tri organeve përgjegjëse për mbrojtjen e Kompleksit Memorial "Adem Jashari": Qeverisë së Kosovës, Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës dhe Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Kosovës. Po ashtu, ai kishte përpiluar një peticion të ndihmuar edhe nga të tjerë, duke mbledhur 3 mijë nënshkrime. Tjetër zhvillim më me rëndësi është edhe iniciativa e projektligjit në Kuvend për Kompleksin Memorial "Adem Jashari". Sikur për Qendrën Historike të Prizrenit që ka ligj të veçantë, po duan ta bëjnë me ligj të veçantë edhe kompleksin e Jasharëve në Prekaz. Por kjo nuk e siguron fare mirëmbajtjen e Kompleksit Memorial, sepse sikur të ishte kështu, do të mbrohej edhe Qendra Historike e Prizrenit që është me ligj të veçantë, nga shumë shkatërrime, sidomos gjatë vitit të kaluar! Pa zbatim të ligjit, nuk ka shpresë si ligj i shkruar dhe i miratuar nga Kuvendi i Kosovës! Po kush është përgjegjësi për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe gjithçka tjetër që ndërlidhet me Komplekset Memorale të Kosovës?

KOMPLEKSI MEMORIAL "ADEM JASHARI" SIPAS LIGJIT EKZISTUES

Realisht, Kompleksi Memorial "Adem Jashari" është pjesë e ligjit ekzistues, si shtojcë e listës së komplekseve memoriale në Ligjin për Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, pavarësisht shumë gabimeve teknike e gjuhësore në fjalëformime, sikur në shumicën e ligjeve të Kuvendit të Kosovës. Me këtë ligj, me nenin 4, aty ku parashihen kompetencat e Agjencisë, thuhet: "1. Agjencia është përgjegjëse për menaxhimin e komplekseve memoriale të shpallura me vendim të Kuvendit si Zona me interes të veçantë kombëtarë dhe më karakter historik. 2. Agjencia është përgjegjëse për : 2.1. projektimin, ndërtimin, administrimin dhe menaxhimin e Komplekseve Memoriale, në përputhje me legjislacionin në fuqi, standardet vendore dhe ndërkombëtare..." Shihet qartë se përgjegjësia direkte mbi të gjitha komplekset memoriale i drejtohet kësaj agjencie. Në shtojcën me numër 1, Kompleksi Memorial "Adem Jashari" figuron si zonë me interes të veçantë kombëtar dhe historik. Pra, përgjegjësinë kryesore ligjore për këtë memorial e ka Agjencia. Pas Agjencisë, barra më e rëndë i bie Qeverisë se si dhe sa mjete financiare i shpërndan në këtë agjenci, sepse Agjencia është organizatë buxhetore me kodin e vet (neni 9). Pastaj, Zyra Kombëtare e Auditimit na tregon se si Agjencia nuk i ka menaxhuar drejt mjetet financiare.

RAPORTI I FUNDIT I ZYRËS KOMBËTARE TË AUDITIMIT RRETH AGJENCISË

Ne kishim shkruar edhe njëherë për vërejtjet që i kishte gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për Kompleksin Memorial "Adem Jashari". Në qershor të vitit 2017, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2016, raporti i ZKA-së tregonte këto parregullsi vijuese, që lidhen edhe me financat dhe mirëmbajtjen e kompleksit në Prekaz: "Shpenzimet për mirëmbajtjen e komplekseve memoriale "Adem Jashari"dhe "Zahir Pajaziti" si dhe shpenzimet për mirëmbajtjen e ueb-faqes në vlerë totale 153,830€ janë buxhetuar dhe paguar gabimisht nga kategoria e investimeve kapitale. Shpenzimet e mirëmbajtjes nuk plotësojnë kriteret për tu trajtuar si "kapitale" e në veçanti pastrimi, krasitja e barit dhe mirëmbajtja e ueb faqes. Arsyeja për këtë gabim është se mjetet për këto projekte janë buxhetuar gabimisht. Kjo ka bërë që investimet kapitale të mbivlerë- sohen derisa shpenzimet për mallra dhe shërbime të nënvlerësohen; dhe Për më tutje, një pjesë e madhe e shpenzimeve për shërbimet e mirëmbajtjes të lartpërmendura ishin regjistruar në regjistrin e pasurisë duke mbivlerësuar vlerën e pasurisë për 147,995€. Kjo ka bërë që regjistri i pasurisë të mos jetë i saktë, për arsye se shërbimet e mirëmbajtjes nuk mund të trajtohen si pasuri."(Shih më gjerësisht raportin e fundit të ZKA-së në faqen e saj zyrtare për këtë agjenci) Po në të njëjtin raport, jepen edhe vërejtje të tjera lidhur me auditimin e agjencisë, i shkruar me shkurtesën AMKMK. "AMKMK nuk ka vendosur mekanizmin e Auditimit të Brendshëm, dhe gjatë vitit nuk është angazhuar nga jashtë një shërbim i tillë. Kjo nënkupton se menaxhmenti ka pasur mungesë të raportimit të pavarur në lidhje me funksionimin gjithëpërfshirës të kontrolleve të brendshme dhe zhvillimin e proceseve. Auditimi i Brendshëm do ta ndihmonte menaxhmentin në identifikimin dhe adresimin me kohë të sfidave dhe vështirësive eventuale përgjatë zbatimit të aktiviteteve të përditshme..." (po aty)

Ç'LIDHJE ABSURDE EDHE E BUJQËSISË ME KOMPLEKSET MEMORIALE?!

Së pari, do ta kishim ndryshuar emrin "Komplekset Memoriale" në Qendrat Përkujtimore, ose "Vendkujtimet", apo "Shtëpitë Përkujtimore" etj. Së dyti, do ta ndërlidhnim Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, sepse konservimi e ruajtja e shtëpive përkujtimroe si "Adem Jashari", është thuajse po aq e rëndësishme sikur për trashëgiminë kulturore. Më shumë korrelojnë Komplekset Memoriale me MKRS-në sesa me Ministrinë e Mjedisit dhe Planfikimit Hapësinor (MMPH), ndonëse secila trashëgimi kulturore e MKRS-së do të kishte ndërvarësi me MMPH-në, sepse kjo e fundit menaxhon me mjedisin dhe planifikimin hapësinor, e dihet pa e thënë fare se të gjitha objektet e trashëgimisë kulturore, në kuadër të MKRS-së, janë të vendosura në ndonjë hapësirë apo truall. Ato nuk qëndrojnë në ajër! Pavarësisht rëndësisë që ka MMPH për komplekset memoriale, duhet MKRS t'ia shtrijë më shumë dorën Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale dhe për të gjitha komplekset memoriale me karakter kombëtar e historik. Edhe komunat, duhet të merren me përmendoret e qendrat përkujtimore në nivelin lokal, duke bashkëpunuar ngushtë me Agjencinë dhe dy ministritë: MMPH-në dhe MKRS-në. A ka më qesharake se sa të merret Komisioni parlamentar edhe për çështje të bujqësisë me komplekset memoriale, meqë në të njëjtin komision bëjnë pjesë edhe pylltaria, edhe zhvillimi rural, edhe mjedisi e planifikimi hapësinor? Shumë më racionale do të ishte që komplekset memoriale të jenë të ndërvarura edhe me MMPH-në dhe MKRS-në, sesa vetëm me njërën ministri. Po ashtu, Komisioni për Kulturë duhet të merret më shumë me komplekset memoriale bashkë me komisionin për mjedis dhe planifikim hapësinor, duke u ndarë edhe më tej komisionet parlamentare, ose duke qëndruar këto që ekzistojnë, por të riorganizohen dhe pavarësisht se a janë në kuadër të një ministrie, të grupëzohen në forma sa më të përshtatshme dhe përafruese me njëra-tjetrën, e jo vetëm bashkime komisionesh ndërministrore pa u ndërlidhur fare në ca fusha. Deputetët që janë në Komisionin Parlamentar për Bujqësi, ç'kanë për të thënë për konservimin, ruajtjen apo mirëmbajtjen e Kompleksit Memorial "Adem Jashari" në Prekaz të Skenderajt?!

KOMPLEKSI MEMORIAL "ADEM JASHARI" DHE RËNDËSIA E TIJ

Në Kosovë ka shumë qendra përkujtimore, përmendore, buste e kështu me radhë. Në komunën e Skenderajt, edhe me listën e komplekseve memoriale të bëra pjesë të ligjit, janë këto komplekse memoriale: "- Kompleksi Memorial " Adem Jashari " Prekaz; - Qendra Memoriale "Dëshmorët e UÇK-së" Marinë; - Memoriali i" Masakra e Likoshanit" , Likoshan - Çirez; - Memoriali "Masakra e Izbicës"- Izbicë; - Memoriali "Dëshmorëve dhe Martirëve" - në Rezallë; - Memoriali "Tahir Meha"- në Prekaz; 2 - Kompleksi memorial në Likoc, ku gjendet Shtabi dhe Ambullanca UÇK-së dhe varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së; - Varrezat e dëshmorëve të UÇK-së Polac." (shih listën e Komplekseve Memoriale sipas Ligjit të AMKMK-së) Por pavarësisht kësaj, nuk ka shtëpi përkujtimore më të vizituar se sa në Kompleksin Memorial "Adem Jashari". Ajo mbetet ndër zonat në maje të piramidës hierarkike mbi përkujtimin historik të luftës së fundit në Kosovë. Ky vendkujtim është më i veçanti jo vetëm në numrin e vizitorëve, por edhe për nga vetë rrëfimi dhe ndërkombëtarizimi i kësaj historie të sakrificës së madhe familjare për rezistencë dhe vetëmbrojtje. E kemi shkruar edhe herë të tjera se, rrëfimi mbi Jasharët mund të bartë dy interpretime kryesore, por njëri është më i fuqishëm, më i përhapur, më bindës dhe më me mesazh të duhur. Njëri interpretim mbron parimin e "mbrojtjes së pragut të shtëpisë" dhe i dyti "nuk mbron publiken, por privaten". Metafora e "pragut të shtëpisë" është vetëmbrojtja. Jasharët nuk shkuan në Beograd të mbysnin civilë, por luftuan në pragun e shtëpisë! Njeriu nuk ka ku të shkon kur i vijnë tanket brenda shtëpisë së tij! Por të tjerë thonë se nëse njeriu lufton vetëm kur cenohet pragu i shtëpisë, atëherë nuk ka ndjesi të forta për publiken! Sidoqoftë, mund të shtohet edhe kjo: në kushte lirie, është shumë më lehtë të flitet e të filozofohet kështu apo ashtu!

FUND

Kompleksi Memorial "Adem Jashari" duhet të mbrohet edhe me ligj, edhe me sundim të ligjit. U bë me ligj të veçantë apo jo, nëse nuk ka përgjegjësi institucionale, nuk mirëmbahet! Do të shembet, edhe nëse mjetet e dedikuara financiare për të, nuk menaxhohen drejt, në mënyrë transparente dhe llogaridhënëse. Pa auditim e prokurorim adekuat, nuk ka siguri të menaxhimit të parasë publike, por edhe të komplekseve memoriale. Edhe i humbim paratë, edhe objektet e veçanta! Po ashtu, pasi që përfaqëson ndër kujtimet më të dhimbshme të luftës së fundit në Kosovë, do të duhej të ishte sa më tërheqëse për vizitorët. Plani i arkitektit shqiptar që e pamë në video të shkurtër, ishte dhjetëfish më kreativ, më bashkëkohor dhe më tërheqës, sesa plani i një kompanie të huaj. Kompleksi duhet të ruhet urgjentisht, përndryshe, qytetarët e Prekazit, do të duhej t'ia ndalonin politikanëve vizitat e gënjeshtra kur përulen në përvjetorët e Marsit! E kanë degraduar çdo vlerë, objekt dhe trashëgimi kulturore-historike! Pas neglizhencës ndaj Qendrës Historike të Prizrenit, tash iu kanë kthyer edhe rrënimit të 'Prekazit Historik'! As nuk po kanë turp, as nuk po kanë frikë nga ligji, as ndonjë frikë psikologjike nga'mallkimet e historisë' apo 'frikë nga Zoti'! 

(Kosova Sot)