Një libër i vyer për kulturën e historinë e letërsisë shqipe - Kulturë - Kosova Sot
Një libër i vyer për kulturën e historinë e letërsisë shqipe

Një libër i vyer për kulturën e historinë e letërsisë shqipe

KRITIKË LIBRIT TË PROF. DR. ASTRIT BISHQEMI DHE PROF. MIGENA ARLLATI, ME TITULL "AUTORË TË LETËRSISË SHQIPE PËR FËMIJË E TË RINJ (1886 - 2017)"

Fjalori i hartuar për letërsinë për fëmijë e të rinj,para së gjithash,ka karakter informativ e jo vlerësues

SHKRUAN: DR. SC. FAIK SHKODRA

S'ka dyshim se fjalori 'Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë dhe të rinj (1886-2017)' shpalos përvojën, dijen, fisnikërinë, sinqeritetin dhe profesionalizmin e autorëve dhe e gjithë puna e bërë në paraqitjen e të dhënave biografike e bibliografike të emrave e mbiemrave të krijuesve aq të shumtë të veprave të shkruara për fëmijë, na sjell te konstatimi që lidhet me mjeshtërinë e të shkruarit

Prof. dr. Astrit Bishqemi dhe Prof. Migena Arllati, me fjalorin enciklopedik 'Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj (1886 - 2017)', mbi të gjitha, nderojnë kulturën e historinë e letërsisë shqipe, në përgjithësi, e në mënyrë të veçantë historinë e letërsisë shqipe për fëmijë, me krijuesit dhe studiuesit e saj.

S'ka dyshim se fjalori 'Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë dhe të rinj (1886- 2017)' shpalos përvojën, dijen, fisnikërinë, sinqeritetin dhe profesionalizmin e autorëve dhe e gjithë puna e bërë në paraqitjen e të dhënave biografike e bibliografike të emrave e mbiemrave të krijuesve aq të shumtë të veprave të shkruara për fëmijë, na sjell te konstatimi që lidhet me mjeshtërinë e të shkruarit.

Fjalori shpreh një qëllim të vyer midis shumë qëllimeve të rëndë- sishme për letërsinë shqipe, në përgjithësi. Të gjitha këto qëllime përkojnë me idealet, aspiratat, dëshirat, përkushtimin, punën e organizuar e të planifikuar, përkojnë me ndjeshmërinë shpirtërore e mendore të autorëve, për t'u lënë brezave vepra të karakterit artistik, shkencor, historik e pedagogjik, në të cilat rrezatojnë vlerat me frymë të kulturës kombëtare dhe mbi këto aspirata autorët kanë arritur të dëshmojnë vetëpërmbajtjen e vetëkontrollin në raport me studiuesit e tjerë të letërsisë shqipe për fëmijë.

Astriti është një figurë poliedrike, është studiues i shumë- planshëm dhe është teoricien e historian i përkushtimeve të mëdha të çështjeve të letërsisë për fëmijë të kurorëzuara në shumë vepra e punime të shumta studimore - vepra që objektivisht sot përbëjnë një fond të vyer në fushën e letërsisë për fëmijë dhe kulturën mbarëkombëtare.

I një rëndësie të tillë pa dyshim është fjalori enciklopedik 'Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj (1886-2017)', botimi i dytë, botuar nga Shoqata e Intelektualëve 'Jakova', Prishtinë, 2017, në bashkautorësi i plotësuar dhe i përmirësuar, i cili në përmbajtjen e vet ka: Shkurtimet e përdorura, Dy fjalë për këtë botim, Parathënien, Shtojcën, Antologjinë për fëmijë e të rinj dhe literaturën kryesore, me gjithsej 464 faqe.

ETAPAT HISTORIKE

Përkitazi me motivet që kanë çuar autorët në botimin e fjalorit të plotësuar e të përmirësuar, lexuesi do të marrë vesh nga fjalët e autorëve të thëna në parafjalën e këtij botimi.

Në fakt, në këtë botim janë përfshirë autorë të rinj dhe studiuesit e letërsisë për fëmijë, pastaj janë saktësuar të dhënat mbi jetëshkrimin e autorëve dhe të veprave të tyre, si dhe kanë zënë vend botimet e veprave më të reja të viteve të fundit. Në fjalor janë shtuar rubrika të reja, që lidhen me libra të përkthyer nga gjuhët e huaja si dhe janë përfshirë kontributet e autorëve në hartimin e teksteve mësimore për shkollat fillore e të ulëta të mesme.

Po ashtu, në fjalor ka gjetur vend krijimtaria letrare e nxënësve të talentuar, që nga autorët është cilësuar si letërsi fëmijërore, e jo letërsi për fëmijë. Ndërkaq, parafjala e paraqitur në këtë fjalor nga Prof. Astriti përfshin të dhëna të bollshme rreth lëndës që ngërthen qëllimet që kanë nxitur autorin t'i hyjë hartimit të një fjalori të tillë. Janë rrokur etapat historike nëpër të cilat është zhvilluar letërsia për fëmijë dhe në këto rrjedha historike janë përmendur emrat e krijuesve të veprave për fëmijë e janë qartësuar disa dilema që lidhen me vitet, me autorët, me përkthimet e deri te veprat artistike për fëmijë nëpër rrjedhë të moteve, që studiuesit e degës së letërsisë për fëmijë i kanë çuar në përcaktime të ndryshme të kufijve të fillimeve të ndonjë krijimi, qoftë të përkthyer, qoftë origjinal.

Për ndriçimin sa më korrekt e sa më shkencor, në parafjalën e shkruar nga Astriti, janë sjellë emrat e krijuesve, studiuesve dhe historianëve më të veçantë të letërsisë për fëmijë, si: Prof. Bedri Dedja, Odhise Grillo, Agim Deva e autorë të tjerë të veprave të letërsisë botërore. Pas shfrytëzimit të literaturës së gjerë rreth zanafillës së letërsisë shqipe për fëmijë, është hedhjes dritë mbi përkufizimin se ç'është letërsia për fëmijë, ç'kuptojmë me lexim për fëmijë, ngase këto koncepte jo rrallë nuk kuptohen drejt as nga mësimdhënësit, e besa as nga disa studiues të kësaj dege të letërsisë.

Të gjitha këto çështje janë kristalizuar përmes të dhënave konkrete dhe si të tilla, problemet historiko-letrare, falë përgatitjes shkencore dhe kulturës së pasur letrare, janë fiksuar dhe janë trajtuar me akribi shkencore, duke iu shmangur kështu përgjithësimeve të çështjeve të panevojshme. Autorët, për hartimin e fjalorit kanë shfrytëzuar edhe leksikonin e Odhise Grillos, Hasan Hasanit, Nebil Durakut, Robert Elsit, Llambro Mallamos, e disa autorëve të tjerë dhe gjithandej parafjalës kanë treguar përparësitë e këtyre leksikoneve e aty-këtu edhe lëshimet, të metat e gabimet në përfshirjen e ndonjë krijuesi si shkrimtar për fëmijë e që në realitet s'i ka takuar kësaj lagjeje as me vepra e as me ndonjë ndihmesë tjetër, që do ta arsyetonte përfshirjen në taborin e krijuesve të letërsisë për fëmijë.

Fjalori enciklopedik 'Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj' (1886-2017), i hartuar nga prof. Astrit Bishqemi dhe prof. Migena Arllati, shënon një arritje të rëndësishme për kulturën e letërsinë shqipe për fëmijë. Duhet të theksojmë, pa subjektivizëm e pa ekzaltim, se autorët e librit kanë ditur t'i respektojnë autorët e leksikoneve të mëhershme për këtë fushë të letërsisë, duke u shprehur mirënjohje të sinqerta, në mesin e të cilëve shquhen Hasan Hasani, Nebil Duraku, Nasho Jorgaçi, Jup Kastrati, Zonjat Tabaku, Kosturi e Greva dhe dy autorë të huajl Elsi e Mallamasi. Me arsye themi se Astriti dhe Migena, në punën studimore, falë edukatës e kulturës së madhe që kanë nga letërsia, janë treguar, si gjithherë, studiues të pakompleksuar dhe aspak xhelozë ndaj studiuesve të tjerë. Kjo u bën nder dhe u shton vlerat e gjithëmbarshme, në radhë të parë si njerëz me virtyte të larta e më pastaj si studiues, që dinë të tregohen të matur e të vetëkontrolluar.

FRYMËZUAR NGA VEPRAT E NAIMIT

Siç kanë pohuar Odhiseja, Hasani e autorët e tjerë në leksikonet e tyre, edhe Astriti e Migena pohojnë se fjalori i hartuar për letërsinë për fëmijë e të rinj, para së gjithash, ka karakter informative e jo vlerësues.

Në këtë kontekst, Astriti e Migena, në fjalorin e sipërthënë, si nismë të letërsisë artistike për fëmijë e marrin vitin 1882 duke pohuar se: "Është një piketë starti dhe duhet të gdhendet si fillimi i bibliografisë artistike shqiptare për lexuesit e moshave të njoma." Viti 1886, që Astriti e ka përcaktuar si pikënisje të zhvillimit të letërsisë për fëmijë, ka simbolikën e vet, ka simbolikën e dritës së veprave për fëmijë të Naim Frashërit dhe Këndimit të çunavet këndonjitoreja dhe sidomos të vëllimit 'Vjersha për mësonjëtoret e para', në të cilin ndeshim vjersha me motiv patriotik, ndonjë e karakterit didaktik, shkencor, disa fabula të La Fontenit, të përshtatura si dhe sentenca e mendime të urta.

Natyrisht, viti 1886 na i bën të freskëta vargjet e qiririt, që simbolizojnë Naimin si misionar të dritës, misionar të iluminizmit, poet të përkushtimit mendor, moral e atdhetar, poet edukator dhe udhëheqës shpirtëror të popullit, poet të qëllimeve të larta njerëzore, morale, poet të porosive të mëdha, poet që u vu në shërbim të shqiptarëve dhe njerëzimit, poet që gjuhën shqipe e bën madhështore, poet që Shqipërinë e ngriti në kult, duke i krijuar asaj imazhe idealizuese, poet që te shqiptarët shpërndante shpresë e besim, poet që në Shqipëri natën e shihte tjetër natë e ditën tjetër ditë.

Dhe mbase autorët e këtij fjalori enciklopedik, duke marrë parasysh se veprat e Naimit përkojnë me veprat e mëdha të letërsive botërore, me arsye të shëndoshë zanafillën e letërsisë artistike për fëmijë e të rinj e nisin pikërisht me emrin dhe veprat e Naimit.

Këto mendime, që i shpërfaqëm rreth vitit 1886, të cilin autorët e marrin si nismë të letërsisë, në mënyrë më bindëse do t'i thotë akademik Qosja, kur thekson: "Duhet shikuar letërsia dhe kultura shqiptare përpara dhe duhet shikuar letërsia dhe kultura shqiptare pas Naim Frashërit për të parë se sa i madh, se sa historik është ndikimi i veprës së tij në tokë." Mendoj se këto kanë qenë pa dyshim arsyet e qëllimet që Astriti e Migena, të frymëzuar nga veprat e Naimit, kanë marrë si pikënisje të letërsisë artistike për fëmijë e të rinj vitin 1886.

Kur kihen parasysh këto të dhëna për dhe rreth konstatimeve që lidhen me disa çështje të mprehta; me letërsinë, me autorët e saj, me fillimin e ndonjë letërsie a lëvizjeje letrare, vlerësimet e mendimet e studiuesve të huaj nuk duhet të marrin ndonjë përparësi karshi studiuesve shqiptarë.

Këtë mendim e vlerësim e kam shprehur që më herët dhe kam thënë se është mirë të përkrahim punën e studiuesve të huaj, t'i respektojmë përpjekjet e tyre, por nuk mendoj se duhet t'i qesim përpara studiuesve tanë, ngase çdo studiues yni është më afër njohjeve dhe më me profesionalizëm do të flasë e do të hedhë dritë mbi këtë apo atë problem që lidhet me krijuesin e veprat e tij, sesa këtë mund ta bëjë një i huaj. Nuk e thotë më kotë fjala e urtë popullore: "Si të kruan dora jote, nuk të kruan e huaja."

(Kosova Sot)

 

2 orë e 8 minuta më parë
21/09/18