Rrugëtimi shekullor deri te pavarësia, pa asnjë dokumentar serioz - Kulturë - Kosova Sot
Rrugëtimi shekullor deri te pavarësia, pa asnjë dokumentar serioz

Rrugëtimi shekullor deri te pavarësia, pa asnjë dokumentar serioz

KINEMATOGRAFIA KOSOVARE HARRON NGJARJET E MËDHA KOMBËTARE, SI KJO E 17 SHKURTIT 2008

Apolloni: Për të bërë një film të mirë dokumentar duhet të kesh komoditet financiar

"Çdo popull me kaq histori të bujshme, traditë e kulturë, do të ishte një minierë ari për artistët e vet, ndërsa te ne ka funksionuar vazhdimisht propaganda antikombëtare dhe janë përbuzur e përqeshur temat me interes kombëtar. Me këtë rast kemi humbur të gjithë ne artistët dhe kultura, por edhe integrimi i vendit tonë", ka potencuar regjisori Luan Kryeziu për gazetën "Kosova Sot"

Kosova gjendet në vigjilje të festimit të dhjetëvjetorit të shtetë- sisë së saj. Shumë institucione kanë paralajmëruar apo kanë filluar aktivitetet e tyre për këtë festë. Por, edhe këtë përvjetor nuk do të kemi një film dokumentar, për të ndriçuar rrugëtimin shekullor të shqiptarëve të Kosovës për shtetin tyre. Një dokumentar gjithëpërfshirës, përmes të cilit publikut do t'i ofrohej një pasuri e plotë dhe e qartë për Kosovën, shqiptarët, rezistencën dhe luftën në mënyra të ndryshme, deri te pavarësia, më 2008. Arsyet për mospasje të një filmi të tillë janë të ndryshme. Por, më e keqja është se institucionet nuk kanë ndonjë interesim që vendi të bëhet me vepra të tilla, pavarësisht kostos. Regjisori Ben Apolloni, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se kinematografia kosovare është kinematografi inekzistente, sepse, ka shtuar ai, së pari nuk mund të flitet për kinematografi e kinema, pasi 99% e qyteteve të Kosovës janë pa kinema. 

Ne bëjmë punë sa për të mbijetuar"

Sipas Apollonit, filmit dokumentar i është kushtuar pak ose aspak rëndësi, sepse për të bërë një film të mirë dokumentar duhet të kesh komoditet financiar, që të bësh shumë kërkime."E ne nuk kemi mundësi të bëjmë kërkime 1, 2 apo më shumë vite, për të krijuar diçka vërtet të mirë. Ne bëjmë punë sa për të fituar pak para për të mbijetuar. E kjo ndodh sepse institucionet që do të duhej stimuluar krijimin e filmave dokumentarë, si: QKK e RTK, udhëhiqen nga partiakët që haber nuk kanë se çfarë është filmi, çfarë rëndësie ka dhe si bëhet", ka thënë Apolloni. Regjisori Luan Kryeziu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se me përjashtim të rasteve individuale, është e dukshme që pas luftës, me të gjitha mundësitë që kanë kineastët, janë punuar pak filma në interes kombëtar. Jo vetëm dokumentarët, të cilët do të dëshmonin historinë me të gjitha sakrificat e peripecitë, ka pohuar ai, por edhe filmat artistikë, të cilët kanë aq forcë në promovimin e kulturave e kombeve."Çdo popull me kaq histori të bujshme, traditë e kulturë, do të ishte një miniere ari për artistët e vet, ndërsa te ne ka funksionuar vazhdimisht propaganda antikombëtare dhe janë përbuzur e përqeshur temat në interes kombëtar. Me këtë rast kemi humbur të gjithë ne artistët dhe kultura, por edhe integrimi i vendit tonë", ka potencuar Kryeziu.

Filmi do analizë akademike

Mahir Musliu, regjisor, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se ekranizimi i një dokumentari për rrugëtimin shekullor të shqiptarëve deri te shpallja e shtetit të Kosovës do të duhet të shkojë në mënyrë institucionale. Ç'është e vërteta, ka pohuar ai, duhet të kishte përkujdesje financiare, institucionale e mediale nga ana e Qeverisë ose Presidencës."Për të dokumentuar një proces historik të një rrugëtimi shekullor do të duhej kohë, punë e përkushtim shumëdimensional nga disa institucione shtetërore. E them këtë ndonëse këto institucione burojnë nga ky rrugë- tim, nga i cili zanafillën e ka shteti i Kosovës", ka pohuar Musliu, duke shtuar se për t'i dhënë karakter të mirëfilltë skenik e artistik një film dokumentar do të duhej t'i nënshtrohej paraprakisht një debati ose analize akademike, nga ku mund të rezultojë një skenar i besueshëm dhe me vlera. Kjo, ka shtuar më tej ai, nuk është punë e një dite apo jave, duhet punuar me vite, ku nga një seriozitet i thellë në punë do të burojë një vepër serioze, e cila do të kishte karakterin promovues ose ky do të ishte letërnjoftimi i shtetësisë sonë. Kurse Naser Shatrolli, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se nuk e di nëse do të duhej projektuar në një film 100 vjet rrugëtim, ecje, gjakime, gjykime e përlotje, e histori trishtimi. Kinematografia jonë, ka pohuar ai, është e orientuar nga filmi artistik, realisht Akademia e Arteve nuk ka drejtim dhe pedagogë të licencuar që do të lansonin ide studimore para prezencës studentore për formate të tilla. 

(Kosova Sot)

7 orë e 15 minuta më parë
20/09/18