"Digjen" mbi gjysmë milioni, aktivitetet kulturore numërohen me gishta

  • 17 February 2018 - 08:24

SHËNIMI I 10- VJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS

"Festa është tejet e zbehtë, pa ripërkufizim emocionesh dhe kohezioni qytetar, pa ngazëllim, pa entuziazëm e pa ndonjë kreativitet artistik. Me përjashtim të koncertit mjaft promovues nga Rita Ora, shteti ka dështuar të jetë më proaktiv dhe më bashkëpunues me të gjitha institucionet kulturore, në mënyrë që të ketë ngado festë, ngado gjallëri e aktivitete cilësore kulturore", ka pohuar për "Kosova Sot" Avni Rudaku, studiues dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend 

MEHOLLI: INSTITUCIONET S'QENË NË GJENDJE TË ORGANIZOJNË DIÇKA SERIOZ

Aktivitete të pakta kulturore dhe pa ndonjë vëmendje janë duke u mbajtur apo janë paralajmëruar për shënimin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Pavarësisht premtimeve dhe shumës së majme financiare që është thënë se do të shfrytëzohet për shëmimin e kësaj date, fare pak ngjarje kulturore do të karakterizojnë këtë 10-vjeçar të shtetit. Përjashto koncertin e Rita Orës, që është paralajmëruar të mbahet sot në mbrëmje, e ndonjë aktivitete aty- këtu, më shumë ad -hok, nuk do të ketë aktivitete enkas për këtë ngjarje madhore për kombin shqiptar. Duke bërë që gjithçka të duket një retrospektivë nga përvjetorët e kaluar. Një situatë e tillë për komunitetin artistik dhe njohës të zhvillimeve kulturore në vend, është për keqardhje. 

FAZLIU: UNË NUK PO SHOH DIÇKA KONKRETE

"Unë nuk po shoh diçka konkrete në këtë aspekt. Gëzon fakti që këngëtarja me origjinë shqiptare zonja Rita Ora vjen në Kosovë për të kënduar. Kjo mbase ia shton famën Kosovës, sepse është shumë e famshme dhe e njohur në botë si këngëtare", ka thënë Zeqir Fazliu për gazetën "Kosova Sot"

Avni Rudaku, studiuesi dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë se institucionet kanë dështuar me festime për pavarësinë, duke mos i kushtuar rëndësinë e duhur kësaj feste. Ai ka thënë se ka pasur dështim total të mënyrës së festimit dhe përgatitjeve për të. Sipas tij, ndonëse janë paralajmëruar më shumë se gjysmë milion euro, nuk është parë ndonjë agjendë festimesh të mirëfillta. "Festa është tejet e zbehtë, pa ripërkufizim emocionesh dhe kohezioni qytetar, pa ngazëllim, pa entuziazëm e pa ndonjë kreativitet artistik. Me përjashtim të koncertit mjaft promovues nga Rita Ora, shteti ka dështuar të jetë më proaktiv dhe më bashkëpunues me të gjitha institucionet kulturore, në mënyrë që të ketë ngado festë, ngado gjallëri e aktivitete cilësore kulturore", ka pohuar Rudaku. Zeqir Fazliu, shkrimtar dhe një nga krijuesit tanë më të vlerësuar, ka thënë se dhjetëvjetori i pavarësisë së Kosovës është vit jubilar, prandaj edhe aktivitetet kulturore është dashur të organizohen në këtë frymë. "Unë nuk po shoh diçka konkrete në këtë aspekt. Gëzon fakti që këngëtarja me origjinë shqiptare zonja Rita Ora vjen në Kosovë për të kënduar. Kjo mbase ia shton famën Kosovës, sepse është shumë e famshme dhe e njohur në botë si këngëtare", ka thënë ai, duke shtuar se ende nuk ka para diçka konkrete nga institucionet për ndonjë aktivitet.

PA NDONJË AKTIVITET TË MIRËFILLTË KULTUROR

"Përvjetori i dhjetë e gjeti Kosovën, fatkeqësisht, me këto institucione që s'qenë në gjendje të organizojnë diçka serioze për shënimin e vitit të dhjetë si shtet. Nuk u pa ndonjë aktivitet i mirëfilltë kulturor, që do ta madhështonte këtë ngjarje dhe për këtë barrën kryesore e bartin institucionet që po dalin joserioze, apo thënë ndryshe jo të interesuara për ta begatuar këtë festë, ashtu siç i ka hije!", ka theksuar për gazetën "Kosova Sot" krijuesi Bujar Meholli

Kurse, krijuesi Bujar Meholli ka pohuar se kampanja për festën e përvjetorit të dhjetë të shtetësisë sonë, nisi me telashet rreth logos që do të përdorej në festë, dhe këtu kemi të bëjmë me dështimin e parë, të institucioneve që s'u angazhuan sa duhet, siç ka thënë ai, për të dalë me një logo origjinale të festë. "Përvjetori i dhjetë, e gjeti Kosovën fatkeqësisht, me këto institucione që s'qenë në gjendje të organizojnë diçka serioze për shënimin e vitit të dhjetë si shtet. Nuk u pa ndonjë aktivitet i mirëfillte kulturor, që do ta madhështonte këtë ngjarje dhe për këtë barrën kryesore e bartin institucionet që po dalin joserioze, apo thënë ndryshe jo të interesuara për ta begatuar këtë festë, ashtu siç i ka hije!", ka pohuar Meholli, duke shtuar se u shpenzuan gjithë ato para për zbukurime të qyteteve, derisa nuk u organizua ndonjë koncert madhështor me artistë të dëshmuar, te cilët ishin gjithashtu kontribuues në rrugëtimin e Kosovës drejt bërjes shtet. "Dekada e parë nuk e gjen në gjendje të mirë shtetin tonë, të cilit i mbetet shumë punë dhe angazhim drejt Bashkimit Evropian, por megjithëkëtë, unë shpresoj për ditë më të mira", ka pohuar krijuesi Meholli. 

(Kosova Sot)