Kontradiktat rreth nominimeve 'Oscar' të vitit 2018 - Kulturë - Kosova Sot
Kontradiktat rreth nominimeve

Kontradiktat rreth nominimeve 'Oscar' të vitit 2018

FILMAT E NOMINUAR SIVJET KANË QENË SUBJEKT I SHUMË TESTEVE TË 'LAKMUSIT'

Pjesa më e madhe e diskutimeve rreth këtyre filmave kanë qenë të natyrës politike

SHKRUAN: CHARLES BRAMESCO

Sikur që një kandidat politik i nënshtrohet vettingut para ndonjë konvente të madhe, filmat e nominuar sivjet për 'Oscar' kanë qenë subjekt i shumë testeve të 'lakmusit'. Derisa gara është duke u nxehur çdo ditë e më shumë, nëntë filmat që kanë gjasa për ta marrë shpërblimin më të madh të mbrëmjes, kanë joshur më shumë kontroversë sesa ndonjë film tjetër i kohëve të fundit. Dhe, për të vazhduar me metaforën, pjesa më e madhe e diskutimeve rreth këtyre filmave kanë qenë të natyrës politike: për Akademinë, fituesit nuk janë aq të përzgjedhur, sa janë të përcaktuar me vota. Oskarologët e gjeneratave të ardhshme duhet të studiojnë hollësisht trajektoren e sivjetme të filmit kryesor konkurrues, "Three Billboards Outside Ebbing, Missouri". Kur kjo komedi e zezë, kaotike e Martin McDonagh'it pati premierën e vet në Festivalin e filmit në Toronto, në shtator, kritikat në shtyp ishin kryesisht pozitive dhe shikuesit e shpërblyen atë me çmimin "People's Choice award", i cili është një parashikues i besueshëm i fituesve të ardhshëm të çmimit 'Oscar'. Por, kur disa muaj më vonë ky film debutoi në kinema, reagimi ishte dukshëm më i ftohtë: u paraqitën kritika gjithnjë e më të mëdha ndaj trajtimit tepër të butë që regjisori McDonagh i bën personazhit kryesor policor, që karakterizohet nga bindje të theksuara raciste, rol që luhet nga Sam Rockwell. Në këto diskutime u kyç edhe vet McDonagh, duke vënë në pah vështirësitë morale dhe kaotike në këtë aspekt. 

QARQET KONSERVATIVE

Më pas mediet filluan që të diskutonin se si ka mundësi që të marrë kaq kritika serioze një film i preferuar nga festivalet dhe një magnet i çmimeve Globi i artë. U arrit deri te konkludimi se shtypi në Toronto është kryesisht 'i racës së bardhë' dhe se shfaqja e mëtejme e filmit kishte bërë që tek ai të vëreheshin nuancat, të cilat më parë kishin ikur pa u vërejtur. Në rastin tjetër, ca qarqe tepër konservative kanë sulmuar filmin e regjisorit Luca Guadagnino, "Call Me By Your Name", duke e akuzuar atë për promovim të pedofilisë, meqë ngjarja e këtij filmi të nominuar në kategorinë e filmit më të mirë, flet për një raport të nxehtë veror midis Elios (Timothée Chalamet) dhe Oliverit (Armie Hammer), si dhe për shkak se këto personazhe kanë 17, respektivisht 24 vjet. Përkundër faktit se, në Itali (ku është bërë ky film), mosha më e vogël e lejuar për të pasur marrëdhënie seksuale me një të rritur është 14 vjeç, ca qarqe në SHBA e kanë konsideruar ngjarjen e këtij filmi si promovim të pedofilisë. Ky nuk është një argument i qëndrueshëm, meqë filmi sjell qartë ndjenjat e dyanshme të dashurisë. Vazhdojmë. Ka zëra se filmi "I, Tonya" nuk u nominua për 'Oscar', gjë që befasoi shumëkënd, për shkak të faktit sesi ky film trajton dhunën në familje. Margot Robbie dhe Allison Janney e dhanë maksimumin e tyre, por si duket, kjo nuk mjafton. 

AKUZAT PËR PLAGJIATURË

Në rastin e projekteve që kanë ngjallur zemërim për shkak të çështjeve nga jeta reale, përtej skenarit, si të tillë, si duket informatat janë shumë bardh, apo zi. Çka na mbetet të bëjmë neve, njerëzve të thjeshtë - që nuk kemi mundësi të votojmë për çmimet 'Oscar' - pasi që marrim informatën se pretendenti për kategorinë e filmit më të mirë, "Dunkirk", është bërë pjesërisht duke shfrytëzuar punën e të burgosurve, apo se në filmin e regjisorit Nolan janë fshirë ushtarë të shumtë indianë, të cilët dihet se kanë qenë prezent gjatë evakuimit të njohur? Sa janë të qëndrueshme akuzat për plagjiaturë drejtuar ndaj regjisorit francez Jean-Pierre Jeunet apo rreth dramaturgut Paul Zindel, në lidhje me filmin "The Shape of Water"? Mënyra sesi reagojmë, përcaktohet dhe varet nga një llogaritje personale morale, por, sido që të jetë, kjo ndikon në gjasat e filmit për ta fituar çmimin Oskar. Është e kuptueshme që aktori më i mirë Gary Oldman gjoja ka një histori të abuzimit dhe një qëndrim thuajse shpërfillës ndaj kësaj gjëje, por kjo nuk e pengoi Casey Affleckun që ta merrte të njëjtin shpërblim, vitin e kaluar. Vërejtjet e bëra nga Akademia tregojnë se ka përçarje në qëndrimin e gjeneratave të ndryshme, ku më të vjetrit e bëjnë vlerësimin e tyre në njëfarë vakuumi, të izoluar nga morali i jashtëm, derisa votuesit më të rinj marrin një qëndrim më gjithëpërfshirës, se çmimi i jepet personit e jo vet performancës. Kur një film të marrë lëvdata të mëdha të njëanshme, atëherë është normale që pakica e mbetur ta ngritë zërin e vet. Por, kjo nuk i arsyeton kundërshtarët që të mos i respektojnë standardet. Kur kritikat janë të gjithanshme dhe masive, atëherë nevojitet të jepen arsyetime.  

(Kosova Sot)

6 orë e 30 minuta më parë
21/06/18