Lanë gjurmë të mëdha në kulturën KOSOVARE, PUSHTETI I HARROI - Kulturë - Kosova Sot
Lanë gjurmë të mëdha në kulturën KOSOVARE, PUSHTETI I HARROI

Lanë gjurmë të mëdha në kulturën KOSOVARE, PUSHTETI I HARROI

MOSMIRËNJOHJA E SHTETIT TË KOSOVËS NDAJ DOAJENËVE TË KULTURËS

Thaçi: Shkrimtarët dhe artistët janë të përjetshëm, të përbotshëm, ata u takojnë të gjithë popujve

"Fjalën kryesore e thonë pseudo-artistët, e institucionet kulturore përbëhen nga njerëz që ma ha mendja s'ia kanë haberin për Agim Çavdarbashën - skulptorin pejan, i cili mbajti shumë ekspozita e mori shumë çmime, por që tani mjerisht s'përmendet, mbase s'njihet fare! Po kështu, shkrimtarët e shquar, Azem Shkreli, Esad Mekuli (themeltar i revistës letrare "Jeta e Re"), Rifat Kukaj, e të tjerë, të cilët s'kanë ndonjë bust, e rrallë organizohet diçka enkas për ta", ka pohuar krijuesi Bujar Meholli për gazetën "Kosova Sot" 

Institucionet tona shtetërore fare pak kujtohen për të kujtuar dhe nderuar doajenët e kulturës dhe të artit. Ata të cilët me veprat jo vetëm që e pasuruan dhe e bënë më të pasur kulturën vendore, por ndikuan dukshëm në krijimin e një imazhi sa më të mirë për Kosovën jashtë vendit. Fare pak, madje hiq, institucionet janë kujdesur për të kujtuar kontributin e shumë prej krijuesve tanë, si Esad Mekulit, Azem Shkrelit, Melihate Ajetit, Fahruk Begollit, Zekrija Canës, Zejnullah Halilit, Rifat Kukajt, e shumë e shumë të tjerëve, pa veprimtarinë e të cilëve vështirë se do të kishin një nivel kulturor dhe intelektual çfarë kishin sjell emrat tashmë të harruar nga institucione tona. Krijues dhe studiues të letrave shqipe kanë thënë, në një prononcim për"Kosova Sot", se kontributet e atyre që lanë gjurmë në kulturën tonë përmenden pak, për të mos thënë fare, sepse fjalën kryesore e thonë pseudo-artistët, e institucionet kulturore që përbëhen nga njerëz që s'kanë haber për Agim Çavdarbashën, Esad Mekulin, Rifat Kukajn e shumë të tjerë.

Gjeneratat e reja s'do t'i njohin fare këta njerëz

Krijuesi Bujar Meholli, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se shumë personalitete kulturore dhanë gjithçka nga vetja e tyre për të kontribuuar në zhvillimin e shtetit tonë. Siç e dimë, ka shtuar ai, për secilin shtet kultura luan rol krucial dhe personalitetet kulturore nderohen e çmohen përherë. Por, te ne, ka vazhduar Meholli, kjo punë s'është në plan të parë, megjithëse vendi ynë i vogël ka gëluar nga artistë e njerëz të mëdhenj.

"Sot, kontributet e tyre përmenden pak, për të mos thënë fare, sepse fjalën kryesore e thonë pseudo-artistët, e institucionet kulturore përbëhen nga njerëz që ma ha mendja s'ia kanë haberin për Agim Çavdarbashën - skulptorin pejan, i cili mbajti shumë ekspozita e mori shumë çmime, por që tani mjerisht s'përmendet, mbase s'njihet fare! Po kështu, shkrimtarët e shquar, Azem Shkreli, Esad Mekuli (themeltar i revistës letrare "Jeta e Re"), Rifat Kukaj, e të tjerë, të cilët s'kanë ndonjë bust, e rrallë organizohet diçka enkas për ta", ka pohuar Meholli, duke shtuar se shumë doajenë të kulturës, duke përfshirë Faruk Begollin, Ahmet Spahiun, Melihate Ajetin, Xhevat Qenën, Haki Misinin, Muharrem Qenën (njëri nga themeltarët e skenës teatrore), janë të lënë pas dore nga institucionet dhe emrat e tyre përmenden veçse në ndonjë përvjetor ose ngjashëm. Kështu, shton ai, pas disa vjetësh gjeneratat e reja s'do t'i njohin fare këta njerëz që u përsiatën për të përmirësuar jetën kulturore kosovare. "Mendoj se këta njerëz të shquar do të duhej të mësoheshin në shkolla të mesme dhe universitete në kurse të veçanta, në mënyrë që të mbesin të përjetshëm dhe brezat e rinj të edukohen në frymën e tyre", ka pohuar krijuesi Meholli për "Kosova Sot".

Kurse Ramadan Thaçi, jurist, shkrimtar, publicist, në një prononcim për "Kosova Sot", ka pohuar se shkrimtarët dhe artistët janë të përjetshëm, të përbotshëm, ata u takojnë të gjithë popujve."Se logjika e njerëzve tanë përgjegjës të institucioneve tona të kulturës vepron në moment, sipas rastit pa përfillur kritere të shkruara ose edhe kur ato janë të shkruara bëhet interpretimi me fuqinë e pushtetit të tyre është e vërtetë", ka potencuar Thaçi.

Politikanët janë të përkohshëm

Më tej Thaçi ka thënë se Ministria e Kulturës ka nxjerrë ligje për shumë fusha të tjera të kulturës, por jo edhe për shkrimtarët, kërkesë e cila sillet prej shumë kohësh nga shkrimtarët nëpër dyert e pushtetarëve të Ministrisë së Kulturës. Kjo, sipas tij, nuk mund të kuptohet në asnjë mënyrë tjetër, veç autoritarizëm dhe injorancë. Andaj, ka shtuar ai, është kështu, sepse brenda institucioneve të kulturës bredhin njerëz që më së paku e kuptojnë atë dhe rëndësinë e krijuesve të të gjitha kohërave, prandaj nuk u bëjnë buste, përkujtimore, nuk e përhapin dhe përkthejnë primatin e tyre dhe dërgimin e veprave të tyre në tregun e popujve të tjerë.

"A do të ishte mirë formimi i një agjencie brenda MKRS-së për këto punë, a do të ishte nder për Kosovën kjo? Politikanët me gjithë meritat e tyre janë të përkohshëm dhe të diskutueshëm, shkrimtarët dhe artistët janë të përjetshëm, të përbotshëm, ata u takojnë të gjithë popujve, ata janë simbol i paqes, dashurisë dhe lirisë", shton Thaçi për "Kosova Sot".

"Shteti si duket pak di për veprimtarinë e tyre, në tërësi për art, sepse rrallë kanë dëgjuar për ta. Kjo i bie të respektohesh vetëm sa je gjallë, e pas vdekjes çdo gjë shuhet me ty. Është për të ardhur keq. Unë do ta kisha propozuar si ide që në shesh të punohen skulptura të doajenëve të artit të vendosen në shesh të gjithë të jenë në lëvizje në pozita të ndryshme", ka thënë Ilir Muharremi në një prononcim për "Kosova Sot"

Ndërsa Ilir Muharremi ka thënë për "Kosova Sot" se është e vërtetë se institucionet kanë lënë krejt anash doajenët e kulturës sonë dhe kjo është fatkeqësi e madhe, andaj, ka shtuar ai, çdo ditë në 'Facebook' promovon piktorët tanë të vdekur, për të treguar se ata ishin dhe gjithmonë do të jenë. Sipas tij, ata nxorën shumë gjenerata.

(Kosova Sot)

 

14 orë e 20 minuta më parë
21/06/18