Ligji nuk zbatohet, trashëgimia KULTURORE NË RREZIK

  • 22 February 2018 - 09:14
Ligji nuk zbatohet, trashëgimia KULTURORE NË RREZIK

KËSHILLI I KOSOVËS PËR TRASHËGIMINË KULTURORE ALARMON INSTITUCIONET

Vokshi: Deri më tani nga puna e KKTK-së kemi vetëm 23 asete që kanë marrë statusin e mbrojtjes së përhershme 

Këshilli i Kosovës për Trashëgiminë Kulturore është institucioni më i rëndësishëm në vend për trashëgiminë kulturore. Një nga institucionet të cilit ligji për trashëgimin i jep mandat për vlerësimin dhe shpalljen e trashëgimisë kulturore në mbrojte të përhershme, vlerësimin e projekteve dhe përcaktimin e prioriteteve financiare në fushën e trashëgimisë kulturore, vlerësimin në rastet e shpronësimit dhe shitblerjes dhe detyra të tjera. Por, rekomandimet, vërejtjet dhe sugjerimet e tij jo gjithherë janë marrë në shqyrtim nga institucionet. Bile për shumë vjet ai ishte lënë pa mbështetje shtetërore, pavarësisht rëndësisë. Neglizhimi i këtij institucioni, rekomandimeve dhe shqetësimeve të tij, në lidhje me pasurinë kulturore, ka sjellë pasoja për shumë prej aseteve të trashëgimisë. Për njohësit fushës së trashëgimisë ,pavarësisht vërejtjeve dhe të metave, KKTK mbetet një organ shumë i rëndësishëm, me rekomandime, të cilat duhet të respektohen dhe institucionet të respektojnë obligimet që dalin nga Ligji për Trashëgiminë Kulturore. Përderisa zyrtarë të KKTK-së pohojnë se këshilli, pavarësisht situatës, është duke kryer obligimin e tij, siç është ngarkuar me Ligjin për trashëgiminë. 

Gashi: Nevojitet respektim i plotë i Ligjit për Trashëgiminë Kulturore

"Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore vlerëson projektet e propozuara të parashtruara nga institucionet e fushave përkatëse, ndërsa Ministria është përgjegjëse për aprovimin dhe implementimin e këtyre projekteve në baza proporcionale nga buxheti i saj'", ka pohuar Shafi Gashi për gazetën "Kosova Sot"

Në një prononcim për "Kosova Sot", Shafi Gashi, kryetar i Këshilli të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, ka thënë se KKTK, si agjenci e pavarur, e themeluar në përputhje me nenin 142 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është krijuar nga Kuvendi i Kosovës, në bazë të Ligjit për Trashëgimi Kulturore nr. 02/L-88 dhe ka në mandat vlerësimin dhe shpalljen e trashëgimisë kulturore në mbrojte të përhershme, vlerësimin e projekteve dhe përcaktimin e prioriteteve financiare në fushën e trashëgimisë kulturore, vlerësimin në rastet e shpronësimit dhe shitblerjes dhe detyra të tjera. Ndërsa ka thënë se për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë nevojitet respektim i plotë i Ligjit për Trashëgimi Kulturore, si ligj material dhe ligjeve të tjera që ndërlidhen me trashëgimi kulturore, nga të gjitha institucionet. Por, siç ka thënë ai, më tej sot për fatin e keq të trashëgimisë kulturore shumica e institucioneve zbatojnë pjesërisht ligjet që lidhen me fushën e trashëgimisë kulturore. Moszbatimi i plotë i Ligjit të Trashëgimisë dhe ligjeve të tjera të fushës, ka shtuar Gashi, ka bërë që të kemi një trashëgimi kulturore të rrezikuar, të kemi projekte jokualitative dhe të pavlerësuara nga institucionet kompetente."Në këtë rast asnjë projekt i trashëgimisë kulturore deri më sot nuk ka ardhur në KKTK për t'u vlerësuar ashtu siç parashihet me Ligjin për Trashëgimi Kulturore neni 5.2", është shprehur ai.

"Për çudi ne as që aplikuam për t'u anëtarësuar në UNESCO vjet"

Gashi ka kujtuar më tej edhe rastin e Kompleksit Memorial "Kompleksi i shtëpive të familjes Jashari", ku KKTK kishte dhënë alarmin për gjendjen jo të mirë dhe nevojën për ndërhyrje pothuajse një vit më parë. "Ne si institucion jemi munduar që të respektojmë dhe zbatojmë përgjegjësinë tonë ligjore që kemi në bazë të Ligjit për Trashëgimi Kulturore, neni 4.9. Me keqardhje dhe shqetësim më duhet të them se shumë institucione ende nuk e përfillin KKTK-në, ashtu siç obligohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, neni 142, paragrafi 3", ka pohuar Gashi, duke shtuar se institucionet e trashëgimisë kulturore kanë afatin e fundit që të respektojnë maksimalisht Ligjin e Trashëgimisë Kulturore dhe ligjet e tjera të fushës, me qellim që të shpë- tohet trashëgimia kulturore e vendit tonë. Në anën tjetër, për njohës të zhvillimeve kulturore në vend, KKTK ka një rëndësi dhe detyrë që duhet përmbushur. Sipas tyre, pavarësisht zhvillimeve dhe historikut të funksionimit të tij, ky institucion mbetet i rëndësishëm, duke kërkuar përkushtimin e drejtuesve të tij.

Ylber Vokshi, ekspert në fushën e trashëgimisë, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë ndër të tjera se kur në korrik 2015 Kuvendi i Kosovës pati emëruar shtatë anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, ishte menduar që më në fund me rifunksionalizimin e tij do të nisë puna voluminoze që e pret këtë organ shtetëror. Pasi, sipas tij, pikë së pari ishin krijuar kushtet për shpalljen e pronave të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme nga shteti" dhe përshpejtimin e punëve përgatitore për plotësimin e kushteve për anëtarësimin e Kosovës, si dhe aktivizimin e trashëgimisë kulturore të lënë pas dore në këto vite."Për çudi ne as që aplikuam për t'u anëtarësuar në UNESCO vjet (nëntor 2017) dhe a duhet të japë dikush përgjegjësi për këtë? Deri më tani nga puna e KKTK-së kemi vetëm 23 asete që kanë marrë statusin e mbrojtjes së përhershme, si dhe një numër simbolik i atyre që i janë shtuar listës së trashëgimisë të përkohshme", ka shuar ai.

"Mospërkushtimi i rëndësisë së këtij këshilli mund të shihet, në mes tjerash, me përzgjedhjen e njerëzve! Zakonisht përzgjidhen njerëz partiakë, pa përvojë në fushën e trashëgimisë kulturore!", është shprehur etnologu Bashkim Lajçi për gazetën "Kosova Sot

Edhe etnologu Bashkim Lajçi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se rëndësia e KKTK-së është jashtëzakonisht e madhe në mbrojtjen e monumenteve kulturore! "Mospërkushtimi i rëndësisë së këtij këshilli mund të shihet, në mes tjerash, me përzgjedhjen e njerëzve! Zakonisht përzgjidhen njerëz partiakë, pa përvojë në fushën e trashëgimisë kulturore!", duke pohuar se ky këshill do të duhej të riformatizohej duke qenë më tepër profesional sesa partiak etj."Sa më parë që të kuptohet kjo nga institucionet përkatëse, veçmas nga themeluesi i tij, aq më mirë do të jetë për trashëgiminë tonë kulturore në përgjithësi!", ka thënë ai. 

(Kosova Sot)