Ismail Kadare përballet me të mbinatyrshmen - Kulturë - Kosova Sot
Ismail Kadare përballet me të mbinatyrshmen

Ismail Kadare përballet me të mbinatyrshmen

ÇMIMI 'NOBEL' DUKET TEPËR I VONUAR PËR KËTË MJESHTËR 82-VJEÇAR TË LETRAVE

"A Girl in Exile" sjell një ngjarje të viteve 1980, me një prapavijë të hetimeve

SHKRUAN: CYNTHIA HAVEN

Lexuesit e shkrimtarit Ismail Kadare çdo vit mbesin të habitur pasi që Komiteti i Nobelit nuk e shpërblen atë. Shkrimtari më i madh i Shqipërisë tanimë është fitues i çmimit ndërkombë- tar "Man Booker", çmimit të Jerusalemit dhe ndere të tjera, prandaj çmimi 'Nobel' duket tepër i vonuar për këtë mjeshtër 82-vjeçar të letrave. Romani "A Girl in Exile", i botuar në shqip në vitin 2009, mund t'i rrisë shpresat për suksesin e tij në këtë drejtim. Tema jetësore e Kadaresë si dhe konteksti i pjesës më të madhe të veprave të tij, është diktatura dyzet vjeçare e Enver Hoxhës, regjimi paranoid stalinist i të cilit kishte masakruar me mijëra njerëz. Megjithatë, "A Girl in Exile" sjell një ngjarje të viteve 1980 me një prapavijë të hetimeve, ekzilit dhe jetëve të prishura, ofron edhe një rrëfim inkandeshent. Personazhi kryesor, i cili nuk mund të quhet vërtet hero, është Rudian Stefa, një dramaturg shqiptar. Historia e tij zë vend midis viteve '80, kur regjimi i tmerrshëm i Enver Hoxhës ishte në kulmin e tij dhe afrimit të mijëvjeçarit, kur turmat e ngazëllyera tërheqin përgjatë rrugëve, statujat e rrëzuara të tiranëve. 

FIKSIMI PAS RUDIANIT TË FAMSHËM

Ngjarja nis me Rudianin, i cili gjendet në një ngatërresë, megjithëse ai nuk e di se për çfarë bëhet fjalë, apo përse është përfshirë. Ekzistojnë dy arsye të mundshme përse e kanë thirrur, pa shpjegim, të paraqitet përpara Komitetit të Partisë: drama e tij e re, shfaqja e së cilës po pengohet nga censorët ose nga e dashura e tij e re në moshë, Migena, me të cilën ka pasur një grindje të rëndë, saqë në kulmin e saj, ai e goditi, megjithëse kjo skenë i kujtohet shumë turbullt dhe në inat e sipër, e akuzoi se ishte spiune. Në Shqipërinë e Hoxhës, të godisje një vajzë ishte një gjë, por të nënkuptoje se ishte agjente e shtetit, kjo ishte krejt tjetër. Megjithatë, kur ai mbërrin në zyrat qendrore të Komitetit të Partisë e pyesin për një vajzë tjetër, Linda B., e cila kishte kryer vetëvrasje dhe kishte një libër në të cilin ishte kushtimi i tij. Sërish, një vajzë që vret veten, për autoritetet nuk ka ndonjë rëndësi, por kjo vajzë ishte nga një familje e klasës së mesme, e cila ishte dënuar me internim, çka në Shqipëri do të thoshte krim. Qytetet ku i kishin dëbuar familjen për periudha pesëvjeçare, të cilat përsëriteshin vazhdimisht ishin nga ato vendet e neveritshme, për të cilat regjimi komunist ishte i specializuar dhe Linda B., e cila ndjente se jeta po i fikej, kishte mall për dritat e Tiranës. Ajo u fiksua pas Rudianit të famshëm, i cili ishte mishërim i emocionit dhe magjepsjes së botës intelektuale urbane. 

EPOKA POST-TOTALITARE

Megjithëse nuk e kishte takuar kurrë, por vetëm e kishte parë disa herë në televizor, ajo ushqeu një pasion për të. Ishte shoqja e saj e shkollës dhe njëkohësisht e dashura e Rudianit, Migena, që e bëri atë t'i kushtonte Lindës B., librin që do të bëhej guri i saj më i çmuar, hajmalia dhe në një mënyrë, pasaporta drejt një farë lirie. Kur ajo kuptoi se Migena kishte rënë në dashuri me Rudianin dhe ishte në një marrëdhënie me të, e pranoi këtë fakt, sepse megjithëse ndjente xhelozi, këtë ajo e shihte si një kontakt të drejtpërdrejtë me personin e saj të dashur: buzët e Migenës kishin prekur të tijat, duart e tij kishin ledhatuar gjoksin e saj. Kadare ka bërë komente rreth afinitetit të gjuhës shqipe në raport me greqishten klasike dhe, në të kaluarën, ai ka përdorë alegorinë dhe mitin për t'i ikur censurës. Lexuesve perëndimorë këto aluzione mund t'iu duken tepër indirekte, por Kadare i përmbahet kësaj mënyre të rrëfimit edhe në epokën posttotalitare. Ai vazhdimisht i kthehet legjendës së Orfeut, p.sh. Në fund të rrëfimit të tij, Kadare i lejon personazhet e tij që ta 'dhunojnë' natyrën dhe vdekjen, duke bërë jehonë hapave të Orfeut. Të pranishme kudo janë të ftohtit, qentë dhe telat me gjemba. Ky përshkrim ilustron faqet e fundit të librit, sikur një flakë që shkëlqen përtej alabastrit. 

(Kosova Sot)

2 orë e 1 minuta më parë
23/06/18