Një udhëtim heroik në shkëlqimin e alienëve

  • 25 February 2018 - 18:33
Një udhëtim heroik në shkëlqimin e alienëve

KRITIKË FILMIT 'ANNIHILATION' 

Vëmendja përqendrohet te biologia Lena (Natalie Portman)

SHKRUAN: MANOHLA DARGIS

Një fantazi shkencore, e kombinuar me horror të barokut, filmi "Annihilation" na sjell rrëfimin enigmatik të dashurisë dhe vdekjes, si dhe të invadimit të alienëve. Me një ngjarje, e cila duket se është duke u zhvilluar tani, vëmendja përqendrohet te biologia Lena (Natalie Portman), e cila, pak pas fillimit të filmit, ribashkohet me burrin e saj, Kane (Oscar Isaac), për të cilin kishte menduar se kishte vdekur. Derisa ai rri ulur në kuzhinën e tyre, befasia e Lena's i bën vend gëzimit, e më pas shqetësimit gjithnjë e më të madh, sikur të ishte ndonjë sëmundje ngjitëse. Për ta kuptuar se çka kishte ndodhur dhe pse, Lena ndërmerr një udhëtim heroik i cili, sikur edhe shumica e aventurave të tilla, në mënyrë të paevitueshme çon në një udhëtim paralel përbrenda. Vëmendja përqendrohet te njëri prej këtyre mistereve të alienëve (një jashtëtokësor, apo monolit) që ka ardhur në Tokë për të bërë kërdinë, duke i detyruar njerëzit që të marrin vendime të gabueshme. Trupi i huaj këtu merr formën e asaj që quhet shkëlqim: një fushë gjithnjë e më intensive e forcës, e cila ka zbritur në një fushë të Floridës, sikur një perde. Ky shkëlqim rikujton ngjyrat e ylberit, gjë që bën me dije se ka diçka toksike në atë bukuri. Ky ylber nuk ka si të mos na e rikujtojë vajzën aventuriere, Dorothy, që është edhe një udhëtare tjetër në botën e çudive.  

BOTA KOMPLEKSE

Lena fillon udhëtimin e saj, menjëherë pasi që arrin në një bunker qeveritar, në skaj të shkëlqimit. Aty ka disa tipa të çuditshëm, ku disa prej tyre ua kanë ngulur sytë kompjuterit, derisa të tjerët bartin armë apo bartin rroba "Hazmat". Pas këtij fillimi të veçantë, regjisori-skenaristi Alex Garland e ka të vështirë t'i vendosë këto pjesë në vendin e tyre. Ai ofron një narracion të tepërt. Përfundimisht, Lena dhe katër gra të tjera, të armatosura, kalojnë brenda shkëlqimit, aty ku ngjarja edhe fillon që të bëhet bizare. Novelist dhe skenarist, Garland ka bërë një debutim të tmerrshëm regjisorial me filmin "Ex Machina" (2015). Megjithatë, ai është një regjisor intuitiv, prandaj edhe i ka dhënë këtij filmi një nuancë realiteti. Bota të cilën Garland e ka krijuar në filmin "Annihilation", është më e madhe sesa ajo e filmit "Ex-Machina", më komplekse dhe më e detajuar. Duke punuar përsëri me disenjatorin e produksionit, Mark Digby, regjisori Garland përsëri i kthen hapësirat e enterierit në emblema të izolimit dhe dëshpërimit. Filmi "Annihilation" bazohet në librin e parë të trilogjisë së Jeff VanderMeer'it, "Southern Reach", por duket se ka huazuar shumë edhe nga miti antik i Orfeut dhe Euridikës. Në rrëfimin e Virgjilit, Orfeu udhëton në nëntokë, duke tentuar që ta kthente gruan e tij, Euridika, e cila kishte vdekur nga një e kafshuar e gjarprit. Ovid e kishte rikthyer këtë mit te "Metamorfozat" derisa, shekuj më vonë, Jean Cocteau, solli një version modern me titull "Orpheus" (1950), një film që të hipnotizon, në të cilin emisari i vdekjes është një grua mbresëlënëse, e cila 'kalëron' një 'RollsRoyce' të zi, derisa anash ka disa motoçiklistë. Në filmin "Annihilation" është Lena ajo që e merr rolin e Orfeut, duke zbritur në një botë të deformuar, të mbushur me tmerre, vdekje, bukuri ekscentrike dhe hapësirë për të manovruar. Asaj dhe femrave të tjera iu është dhënë detyra që ta kuptojnë 'shkëlqimin', si dhe të marrin vesh pse ekspeditat e mëparshme kishin dështuar aq keq. Me hordhinë e Dr. Ventress, Lena dhe të tjerat - një infermiere (Gina Rodriguez), një mjeke (Tessa Thompson) dhe një antropologe (Tuva Novotny) - studiojnë terrenin, marrin mostra dhe luftojnë kundër rreziqeve, duke përfshirë, me kalimin e kohës, edhe luftërat kundër njëra-tjetrës. Ato po ashtu zbulojnë një video të tmerrshme të bërë nga një ekspeditë e mëhershme, një skenë e cila menjëherë e çon filmin në një çmenduri "Grand Guignol". Regjisorit Garland i pëlqen që të luajë me tone, prandaj edhe filmi "Annihilation" ndonjëherë merr vizione lizergjike. Ai e mban tensionin në nivel, gjë që ofron njërën prej kënaqësive më të mëdha të këtij filmi. Diçka është duke e shqetësuar Lenën, jeta personale e së cilës vjen në fikus nëpërmes një serie kujtimesh nga e kaluara, të cilat janë tepër banale. 

Image

 

(Kosova Sot)