Artistët, pa përkrahje nga shteti - Kulturë - Kosova Sot
Artistët, pa përkrahje nga shteti

Artistët, pa përkrahje nga shteti

REALIZIMI I PROJEKTEVE TË SKENËS SË PAVARUR KULTURORE 

"Konkursi i shpallur nga MKRS-ja duhet t'u ofrojë përkrahjen e nevojshme njerëzve që mëtojnë të sjellin për audiencën kosovare gjëra të vlefshme në vitin 2018

Krijuesi Bujar Meholli, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se shumë artistë e ndjejnë veten të pafuqishëm dhe pa përkrahje nga shteti. Si pasoje e kësaj, ka pohuar ai, shumë ide e projekte të tyre, nuk arrijnë të jetësohen për faktin se mungojnë subvencionet nga ana e shtetit, që nuk tregon kujdes sa duhet për ta, dhe nuk ofron mbështetjen adekuate.

Mbështetjet me fonde publike po del të jenë vendimtare për realizimin e projekteve të skenës së pavarur kulturore. Mbështetja e pakët që po gjejnë OJQtë e shumta, nga sektori privat, qoftë i biznesit apo rrugë të tjera po e bën të pakalueshme përpjekjen për thithje të fondeve publike për realizimin projekteve të ndryshme kulturore. Bile, realizimi i shumë prej tyre varet pikërisht nga mbështetja apo mosmbështetja e institucioneve me fonde publike. MKRS-ja ka hapur konkurs ditë më parë dhe pritet që të ketë një konkurrencë të 'ashpër' nga OJQ-të dhe institucione të tjera për përfitime për projektet e tyre. Janë diku 750 mijë euro që janë ndarë nga MKRS-ja për këtë sektor. Pavarësisht shumës së ndarë, ekspertë dhe njohës të zhvillimeve kulturore në vend kanë thënë se mbështetja e MKRS-së për iniciativat kulturore të shoqërisë civil është mjaft e rëndësishme dhe presin një shpërndarje korrekte dhe me vend të kësaj shume nga ministria. 

Shumë artistë me projekte të gatshme 

Mahir Musliu, regjisor dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se mbështetja publike për skenën e pavarur në vend është një ndihmesë shumë e madhe dhe, siç ka thënë ai, e vetmja mënyrë që projektet që kanë artistët nëpër sirtarë të shohin dritën e realizimit. Pra, ka shtuar ai, ka shumë artistë të cilët kanë projekte të shkruara në letër ama për mungesë financash pamundësohet realizimi i tyre. "Ky konkurs e jep këtë mundësi. Financat e shtetit janë të rëndësishme, ndonëse ato janë të vetmet që mbështesin projektet e mirëfillta artistike pa e kushtëzuar efektin komercial e imponues", ka thënë regjisori Musliu. Sipas tij, subjekte biznesore kanë shfaqur interesim për mbështetje të ndonjë projekti - vepre, por e kanë kushtëzuar me reklamim, sepse, siç ka pohuar ai, nga shteti nuk ka përfituar asgjë. "E kam fjalën përpara miratimit të Ligjit për sponsorime. Tani, pas miratimit të këtij Ligji si dhe ndarjen e këtyre fondeve kam shpresë se situata kulturore në vend do të ndryshojë dukshëm. Jam optimist në këtë", ka thënë Musliu. 

Të seleksionohen projektet me prioritet 

Kurse profesor dhe muzikanti Naser Dula, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se buxheti i MKRS-së për mbështetje të projekteve për këtë viti, deri diku i kënaq interesat e skenës së pavarur muzikore në vend. Më tej, Dula ka thënë se MKRS-ja është mirë t'i seleksionojë projektet që janë prioritare dhe jetike, por padyshim, ka pohuar ai, MKRS-ja mendon edhe për projektet që janë të reja nga artistët e rinj. Ndërsa ka thënë se mbështetja financiare nga MKRS-ja, për projektet e OJQ-së është shumë e rëndësishme për artistë dhe projektet kulturore. "Por, duhet OJQ-të të sigurojnë donacionet edhe nga institucionet e huaja dhe kompani të ndryshme të Kosovës, ministria nuk ka kapacitet t'i përkrahë komplet projektet e parapara nga OJQ-të e ndryshme kulturore", ka pohuar Dula.

Të reformohen arti dhe kultura

Ndërsa, krijuesi Bujar Meholli, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se shumë artistë e ndjejnë veten të pafuqishëm dhe pa përkrahje nga shteti. Si pasoje e kësaj, ka pohuar ai, shumë ide e projekte të tyre, nuk arrijnë të jetësohen për faktin se mungojnë subvencionet nga ana e shtetit, që nuk tregon kujdes sa duhet për ta, dhe nuk ofron mbështetjen adekuate. "Konkursi i shpallur nga MKRS-ja, shpresoj të jetë i rregullt dhe t'u ofrojë përkrahjen e nevojshme njerëzve që mëtojnë të sjellin për audiencën kosovare gjëra të vlefshme në vitin 2018, sepse arti ka fuqinë madhështore t'i afrojë mes vete njerëzit", ka pohuar, Meholli, duke shpresuar që konkursi të mos keqpërdoret, të jetë i drejtë, dhe mos t'i mbahet ana askujt, nga zyrtarët e MKRS-së. Pasi, siç ka thënë ai, bota institucionale dhe komuniteti artistik kosovar, duhet të kenë bashkëpunim të fortë mes vete, në mënyre që jeta kulturore në vend të përmirësohet, dhe artistët ta kenë vendin e posaçëm në shoqëri. "Siç e dimë, problematika të shumta e kanë përshkuar jetën kulturore ndër vite, andaj mendoj se duhet të bëhet një reformim i plotë i artit dhe kulturës", ka pohuar ai. Sipas tij, skena e pavarur kulturore ka qenë çdoherë e gatshme t'i ofrojë audiencës kosovare ide novatore, në mënyrë që stimuloi dhe zhvilloi komunitetin në përgjithësi, kështu që institucionet duhet t'u qëndrojnë afër dhe t'u ofrojnë mbështetje kurdoherë.

(Kosova Sot)

14 orë e 54 minuta më parë
19/09/18