Neglizhenca e institucioneve na lë pa Muze të Natyrë - Kulturë - Kosova Sot
Neglizhenca e institucioneve na lë pa Muze të Natyrë

Neglizhenca e institucioneve na lë pa Muze të Natyrë

ARTEFAKTET E ÇMUARA TË NATYRËS, PA VENDIN ADEKUAT

Ylber Vokshi: Do të ishte një vend për të informuar opinionin vendor dhe atë ndërkombëtar

"Janë edhe disa ndërmarrje të tjera dhe shumë shpejt do ta bëjmë edhe cianizimin e tyre. Do të thotë, është plotësisht nën kontroll dhe krejt çka na mbetet është që sa më shpejt Muzeu i Natyrës të ndërtohet, pasi ky koleksion do të jetë i gatshëm që të shkojë në shtëpinë e tij, pa marrë parasysh traumat që ka pasur nëpër kohë", ka pohuar Skënder Boshtrakaj për gazetën "Kosova Sot"

Koleksioni i Natyrës që ndodhet në Muzeun e Kosovës është në gjendje të mirë pas restaurimit dhe pret që sa më parë të vendoset në shtëpinë e re, për të cilën tashmë është vendosur të ndërtohet. Pavarësisht problemeve, qëndrimit me vite në depo në kushte aspak të mira dhe me shumë dëmtime, ndërhyrjet e fundit dhe ato që pritet të ndodhin kanë bërë që një pjesë e mirë e koleksioneve do të jenë artefakte të çmuara për Muzeun e Natyrës. Kështu kanë thënë në një prononcim për "Kosova Sot", zyrtarë të Muzeut të Kosovës. Ndërsa ekspertë të fushës kanë thënë për "Kosova Sot", se Muzeu i Natyrës, do të ishte një vend për të informuar opinionin vendor dhe atë ndërkombëtar, një burim i informimit dhe njoftimit me të gjitha pasuritë natyrore që i posedon vendi ynë. Por, gjithçka varet nga ndërtimi i objektit të këtij Muzeu, ndërtimi i të cilit ndodhet në fazën fillestare të tij dhe do të bëhet në Komunën e Fushë- Kosovës. 

Në pritje të objektit

Skënder Boshtrakaj, drejtori i Muzeut të Kosovës, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se koleksioni i Natyrës në Muze është vendosur në një objekt të përkohshëm dhe se është në gjendje të mirë. Pasi, siç ka thënë ai, është bërë një restaurim preventiv i koleksionit dhe me përmirësimin e kohës, është angazhuar një grup të ekspertëve restauratorë nga Muzeu i Natyrës të Shkupit që do të vazhdojë punën për restaurim, duke ndikuar kështu në konsolidimin serioz të artefakteve të natyrës. "Janë edhe disa ndërmarrje të tjera dhe shumë shpejt do ta bëjmë edhe cianizimin e tyre. Do të thotë është plotësisht nën kontroll dhe krejt çka na mbetet është që sa më shpejt Muzeu i Natyrës të ndërtohet, pasi ky koleksion do të jetë igatshëm që të shkojë në shtëpinë e tij pa marrë parasysh traumat që ka pasur nëpër kohë", ka pohuar Boshtrakaj. Por, se kur ky koleksion do të ketë fatin të vendoset në objektin dedikuar për zyrtarë të MKRS-së nuk janë në gjendje të japin afat kohore. Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se pasi buxheti, i cili është ndarë për këtë vit fiskal nuk është i mjaftueshëm dhe, siç ka thënë ai, më tej sipas parallogarisë totale të projektuar nga Byroja Projektuese, MKRS-ja është në fazën e analizimit dhe shqyrtimit të projektit detal me qëllim të përcaktimit të mënyrës se si do të bëhet inicimi i aktivitetit të prokurimit, i parcializuar në faza të ndërtimit konform buxhetit në dispozicion. "Kurse sa i përket gurthemelit, data do te caktohet pasi të përmbushen detyrimet e përcaktuara në Ligjin e Prokurimit Publik duke filluar nga shpallja e tenderit e deri te fillimi i punimeve", ka thënë Hoxha. 

Begatia natyrore e Kosovës

Në anën tjetër, ekspertë të fushës së trashëgimisë kanë thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se një muze i tillë që moti është i domosdoshëm, pasi do të begatonte jetën kulturore dhe informuese në Kosovë. Ndërsa kanë thënë se vonesat në realizimin e projekteve tanimë janë në modë tek institucionet tona. Ylber Vokshi, ekspert në fushën e trashëgimisë, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se në substancë qëndron neglizhenca e institucioneve tona përse deri më tani nuk është ndërtuar Muzeu i Natyrës, i cili, siç ka thënë ai, do të ishte një vend për të informuar opinionin vendor dhe atë ndërkombëtar, do të ishte burim i informimit dhe njoftimit me të gjitha pasuritë natyrore që i posedon vendi ynë. "Po, jam kureshtar të di përse me vite qëndrojnë të mbyllura në sirtarët e Muzeut të Kosovës artefaktet - ekzemplarët e shumta të trashëgimisë natyrore, e zyrtarët e MMPH gjegjësisht Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, i cili vepron në kuadër të kësaj Ministrie,si bartës të këtij muzeu nuk janë më këmbëngulës në realizimin e projektit", ka thënë ai, duke shtuar se një muze i tillë që moti është i domosdoshëm, pasi do të begatonte jetën kulturore dhe informuese në Kosovë. Aty do të ekspozoheshin të gjithë ekzemplarët që paraqesin biodiverzitetin natyror të vendit dhe speciet e shumta aktuale dhe të zhdukura të botës bimore dhe shtazore në Kosovë. Pasi, sipas tij, vizitorët do të njoftoheshin me bukuritë natyrore në Zonat e Mbrojtura, si në Parqet Nacionale të Sharit, Bjeshkëve të Nemuna, Mirushës,Gërmisë, Bifurkacionit të lumit Nerodime,Grykës së Rugovës, Kanionit të Drinit të Bardhë,Shpellave të shumta etj. "Ato do të ndihmonin afirmimin e turizmit ekologjik që është aktual gjithnjë në botë. Edhe pasuritë të tjera, si ato ujore, duhet të kenë vend në një institucion të tillë,e shumë atraksione të tjera të natyrës që ka Kosova", ka thënë eksperti Vokshi.

(Kosova Sot)

16 orë e 0 minuta më parë
24/06/18