Letërsia shqiptare, brumë për t'i inspiruar skenaristët e regjisorët

  • 03 March 2018 - 08:45
Letërsia shqiptare, brumë për t'i inspiruar skenaristët e regjisorët

KRIJIMTARIA LETRARE, NË FUNKSION TË KINEMATOGRAFISË

" Disa vërtet lindin shkrimtarë, veçse u duhet punë, lexim e angazhim i madh, disa të tjerë s'e arrijnë këtë stad paçka se e dëshirojnë. Pra, jo të gjithë mund të jenë poetë e shkrimtarë. Këtu, edhe qëndron fakti pse kinematografisë kosovare s'i ofrohet diçka interesante për ta shndërruar në film, sepse s'kemi ndonjë shkrim që do të mund të bëhej film", ka pohuar krijuesi Bujar Meholli për gazetën "Kosova Sot"

Nuk ka asnjë dyshim se letërsia shqipe mund të luajë një rol shumë të madh në zhvillimin e kinematografisë sonë, duke ofruar lëndë të rëndësishme për industrinë filmike. Por, pavarësisht kësaj, bollëkut, apo jo, raportet apo bashkëpunimet mes këtyre dy fushave ende mbesin larg njëratjetrës. Edhe pse studiuesit dhe kineastët tanë japin mendime të ndryshme, produksioni letrar në Kosovë ka çka i ofron filmbërësve. Ka edhe pohime të kundërta. Regjisori Ben Apolloni, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se letërsia do të ndikojë në zhvillimin kur ajo të lexohet nga kineastët. Por, ai ka ngritur shqetësimin se kienastët tanë nuk lexojnë.

MUSLIU: SOT, LETËRSIA KA DEVIJUAR NGA AJO IMAGJINATË E DIKURSHME

Më tej, Apolloni ka thënë se letërsia shqipe e krijuar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, etj., është brumë i mirë për t'i inspiruar skenaristët, regjisorët. "Por, fatkeqësisht, njihet pak, lexohet pak. Bëjeni një anketë për këtë me kineastët dhe shumica do ta përmendin vetëm Ismail Kadarenë, pak a shumë si misat", ka thënë ai. Mahir Musliu, regjisor, ka thënë për "Kosova Sot", se letërsia dikur i ka paraprirë skenarëve ose motiveve që janë nxjerrë nga këto vepra letrare, tregime, romane ose drama. Sipas tij, veprat më të mira kinematografike dikur zanafillën e kanë pasur nga vepra që janë shkruar nga shkrimtarë të ndryshëm. Musliu ka shtuar se imagjinata, fantazia, fati i personazheve në këto vepra i ka provokuar regjisoret që të t'i ekranizojnë apo t'i plasojnë në shirit filmik. Filmi, ka pohuar më tej ai, është tregim, i cili përndryshe nga romani rrëfen përmes fotografisë dhe ka zë e klithma. "Sepse, si situatë e ngjarje nuk dallon nga këto gjini letrare. Sot, letërsia ka devijuar nga ajo imagjinatë e dikurshme, e cila ka ofruar vlera, trendët sot tregojnë se ajo është shkrirë në shkrime gazetareske e fejtonistike. Imagjinata e shkrimtarit është lodhur e përgjumosur", ka pohuar regjisori Musliu, duke shtuar se filmi ka lindur nga letërsia sikur edhe teatri, madje edhe zhanret filmike gjenezën e kanë në letërsi. Mos të harrojmë, ka shtuar ai, antikën e lashtë, e cila atëbotë ka nxjerrë zhanret e para nëpër dramat e shkruara, pra tragjedinë dhe komedinë.

PAK VLERA E ORIGJINALITET

Shkrimtari Ismet Tahiraj është shprehur për "Kosova Sot", se pas luftës letërsisë i mungon dashuria dhe iniciativa për ta bërë një material, siç ka thënë ai, bie fjala roman apo dramë që të bëhet skenar për film nga të bëmat e luftës, ku, siç ka konkluduar ai, duhet një qasje e vullnetshme dhe mjaft profesionale pa teprime mitike që filmi të gjallojë gjatë në kujtesën e sa e sa gjeneratave tona. "Po ashtu, në këtë film duhet të shtjellohet edhe ana tradhtare spiunore e individit, ka mjaft raste të tilla që duhet të përcillet me dozën e satirës dhe humorit, por me mjeshtri të përsosur kjo do të jepte një tablo reale e Kosovës", ka thënë ai. Kurse krijuesi Bujar Meholli ka potencuar për "Kosova Sot", se në ditët e sotme, vendi ynë gëlon nga poetë e shkrimtarë të rinj, por, sipas tij, që fatkeqësisht shumë pak kemi vlera letrare dhe origjinalitet. Shumica, ka pohuar Meholli, duan të jene poetë e shkrimtarë, i patën apo nuk i patën premisat për një gjë të tillë. " Disa vërtet lindin shkrimtarë, veçse u duhet punë, lexim e angazhim i madh, disa të tjerë s'e arrijnë këtë stad paçka se e dëshirojnë. Pra, jo të gjithë mund të jenë poetë e shkrimtarë. Këtu, edhe qëndron fakti pse kinematografisë kosovare s'i ofrohet diçka interesante për ta shndërruar në film, sepse s'kemi ndonjë shkrim që do të mund të bëhej film", ka pohuar ai. 

(Kosova Sot)