LUFTA SIZIFIANE PËRBALLË PSIKOLOGJISË SË TURMAVE

  • 04 March 2018 - 16:22
LUFTA SIZIFIANE PËRBALLË PSIKOLOGJISË SË TURMAVE

( Një vështrim telegrafik për letërsinë psikologjike të prof. Dr. ILIR MUHARREMIT )

Nga : Vilson Culaj

Libri ,, Psycho ‘’ është sfidant për tu kuptuar dhe i lehtë ( shije ) për tu lexuar. Ta mbarështrosh një vepër letrare me fundament psikologjinë dhe filozofinë e jetës me gjithë kompleksitetin e saj fiksuar në një gotë vere dhe një banakiere fiktive femër, ( si diskurs e fiksion letrar ) është thjesht një mjeshtri e rrallë që buron nga një univers njohjeje empirike, vetënjohjeje e rigjetjeje të vetvetes përmes kulturës së gjerë të leximit. Është fuqia gnostike dhe epistimiologjike për t’i përceptuar gjërat jashtë shablloneve klasike të traditës që nuk është traditë, por rigjiditet e fatkeqësi sociale, dëshmon struktura e këtij libri kaq joshës për lexuesit. Aty është e etiketuar dhe e atakuar hipokrizia, miopia, formalizmi dhe emitimet e rrejshme të jetës – jetë që nuk shijohet, por vetëm na shpifet si e lumtur. Aty kryqëzohen kohërat kalorsiake, moderne e posmoderne në kërkim të njeriut real, por gjakimi i shkrimtarit megjithatë mbetet  i kotë për të ndryshuar gjendje të një itelekti kolektiv postmodern por ende në embrionin e Gnostikës së përthelluar .  Hulumtimi për mbinjeriun e Niçes dhe njeriut normal të  autorit mbetet i njëjtë në këtë libër, edhe pse shekujt rrjedhin si uji ndër urë. Autori si Eugeni dikur nga prizmi i tij letrar ,, Psycho ‘’ sheh vetëm hije njerëzish në sheshin e Athinës, e jo njerëz që në sytë e zemrat e tyre gjallon jeta.. Është lufta e përhershme e legjendës edipiane për ta shkëputur njëherë e mirë ,, kërthizën ndërpsikike ’’ me prindin, ambientin, shoqërinë naive dhe masat primitive, edhe pse të gjitha këto të veshura me maskën e postmodernes dhe rrobave të argjendta. Në këtë libër reflektohet vazhdimisht e gjakohet ngultas për identitetin personal dhe pranverën e moshës dhe formimin e një dizajni ndërpsikik jashtë diktatit të botës e nga bota. Është një gjakim letrar e jetësor për t’u shkëputur nga narcisi kolektiv i kësaj shoqërie, e cila në vend të lumturisë e progresit, sjell vetëm ligësi, maska, intriga, obsukurantizëm, lufta, përplasje ideologjike, fetare, krahinore, mu ata prototipa që mbjellin luftë dhe fshehin gjurmët e luftës të trandur nga deliriumi i famës e ngritja e kultit të vetvetes. Është rënia - goditja në kokë përmes një  gjykimi iluminist ndaj veseve njerëzore, luftën e mirë të Logosit, ( fjalës së gjallë ) që nuk mbaron kurrë, dhe Etnosit që kapitullon e rikapitullon veten nëpër gjurmët e historisë hera-herës, por me plot herezi, e më shpesh përmbysje e vendnumërim. Ky libër nuk është libër i Epikondrisë morale as seksuale ( edhe pse trajtohet kjo temë ), por i një realiteti të thyer dikur në kohë e hapësirë, që askund si shihet drita në tunel. Romani PSYCHO nuk është një pëlhurë e bardhë për lexuesit as autorin, por është libër i jetës i mbushur plot jetë dhe bërthamë -  ngjarje të jetës.

Idetë e autorit nuk janë të ngurta falë kulturës së tij të madhe të leximit e njohjes, por janë tepër fluide e konkrete që sillen mes qiellit e tokës, e realitetit tonë hera-herës të dhimbshëm dhe pa një rrugë zgjidhjeje. Edhe pse në shikim të parë libri të krijon përshtypjen e një qasjeje nihiliste dhe ekzistencializmi post modern, në fakt ky libër në strukturën e tij ngërthen edhe racionalizëm Dekartian, klasicizëm, frymë të rilindjes Evropiane , por edhe një lloj Platonizmi të nënshtresuar që fijen e tij mund ta nuhasë vetëm lexuesi i kultivuar. Autori është relator idesh dhe lundron nëpër ide, sepse idetë e reflektimet letrare i ka tepër të konceptuara, dritëgjata, largpamëse dhe frymëdhuruese. Këndvështrimi dhe mbarështrimi nihilist i këtij libri sa psikologjik po aq letrar, sa empirik po aq sociologjik, sa pesimist po aq realist, sa me doza të ateizmit po aq të humanizmit nuk është krejtësisht i rastësishëm. Është në fakt projeksion i një mendjeje racionaliste që gjatë formimit të tij intelektual është ballafaquar me shumë sindrome e cektësi të këtij shekulli me maska, andaj shtytja e tij letrare ka formë e përmbajtje të tillë. Andaj, kërkohet vëmendje e receptuesit para se të gjykojë këtë fenomen letrar e psikologjik, siç është autori Muharremi. Autori thjesht vuan. Vuan dhe ka etje për një botë ndryshe, jo se vetë e urren botën, por se di t’i detektojë mirë ligësitë e zbrazëtitë e saj. Ai ëndërron dhe e gjakon pjesën tjetër të medaljes së kësaj bote të përmbysur e zhytur keqas në: tradhëti, hipokrizi, skllavëri mendjeje e trupi, hedonizëm, barbari e lufta, e pushtet të pakufishëm e padrejtësi, braktisje e vetëvrasje, lavdi të rreme, përbuzje e kriminalitet, prostitucion e lufta speciale, labirinthe e kurthe të jetës, libido mentale e seksuale, pushtet të parasë nga të cilat vuan bota si: iluzione, cenë e cektësi e pambarim, por edhe për vrullet e jetës e vdekjet miskine si lirim nga vuajtja.       

Libri ‘’Psycho’’ është libër për veshët e shurdhër e mendjet e hapura. Duhet kulturë leximi për ta lakmuar e durim për ta shijuar këtë libër unik. Lexuesi i rëndomtë dhe pa gjeografi të mendimit, ndoshta këtë libër do ta trajtonte si , Libri i ërrët i ndërdijes autoriale ‘’, por në fakt ky libër është gjakim për ta larguar errësirën dhe iluzionin e tyre sociologjik, psikologjik e të traditës pa përmbajtje të kolektivitetit që shpeshherë në mënyrë të verbër, dinë t’u besojnë edhe ligjeve të Asurdit. Shëtitja nëpër ngjarje përmes politekstit letrar, por edhe psikoanalitik të autorit Muharremi, është aftësi e tij e rrallë intuitive, por ndonjëherë me pak çalime estetike dhe me mungesë të një plasimi të një doze të optimizmit të duhur tek lexuesit. Intertekstualiteti i tepruar, arbitrariteti, fiksioni, nihilizmi, mbiracionalizmi i tepruar, por edhe rrëfimi psiko – romanor pa mbushje me personazhe tjera përcjellëse, e zbehin pak dhe e dyzojnë strukturën e këtij libri multi disiplinar. Këndvështrimi abstrakt ,, Psycho ‘ si reflektim i një ‘overdose’ e libidos sekuale dhe trajtimi dhe shmangia e botës femërore nga realiteti i ndjenjave, por vetëm si një terren – objekt i kënaqësive mashkullore, është  një atakim i rrezikshëm ( alla Frojdian ) për moshat e reja ( 16 – 25 vjeçare ) dhe të rrriturit që nuk kanë një kulturë të lartë leximi e formimi. Edhe pse autori në këtë rast nuk është ngjarja as pjesa e fenomenit, por është mjeshtria letrare për ti detektuar dobësitë, cektësitë, manitë e errësirat tona të ndërdishme e të nëndheshme si shoqëri dhe si univers njerëzor.      

Aty nuk i është vënë pika e dualizmit të jetës si diskurs, por në të ka dualizëm të theksuar që në faqet e para të tij. Ndoshta pak kush nga lexuesit e ka më të qartë thënien e John Lockut se sa autori : ,, Bota zhvillohet e përparon si rezultat i të kundërtave ‘’. Autori prof. Dr. Ilir Muharremi nuk është kundër botës përmes diskursit e kozmosit të këtij libri,  por botën psikologjike shqiptare dëshiron dhe synon ta kultivojë e pikëvështrojë më të përparuar pikërisht përmes fenomenit Ekzistencial Psycho. Autori Ilir Muharremi në fakt është pjesa tjeter e botës dhe e konceptimit letrar e psikologjik i cili lexuesit tonë i ofrohet si vlerë e re e shtuar si një lloj risie letrare e trajtese, por edhe e rrëfimit psiko romanor. Hipotitekisht mund të konkludojmë se : ,, Autori vuan nga ‘’dyshimi ‘’, por çdo ditë ushqehet me dije, njohje e lexim. Lufta e tij titanike për tu shkëputur nga dizajni i psikologjisë së turmave është i përhershëm, dhe brenda tij gjallon prapë se prapë dashuria dhe vullneti i fshehur për të lënë gjurmë mbi këtë planet.

Psycho është aftësia e autorit për ta njohur psikën e tij personale e kolektive, por është edhe një lloj thirrjeje e triumfi se : Njohja e tij, njohja është njëra ndër misionet më fisnike të kësaj bote pa fillim e mbarim, përveç jetës dhe lirisë sonë, nëse liria nuk është e arratisur diku në shkëmbinjtë e thërrmuar të kohës…

(Kosova Sot)