U shkatërrua trashëgimia kulturore dhe historike, e kaluara po zhduket

  • 09 March 2018 - 08:33
U shkatërrua trashëgimia kulturore dhe historike, e kaluara po zhduket

MKRS-JA: NUMËR SIMBOLIK I ASETEVE NË LISTËN E MONUMENTEVE NËN MBROJTJE TË PËRHERSHME 

"Pa zbatim të vendimeve, listave dhe mbrojtjeve të përkohshme e të përhershme në listat e monumenteve, është tepër jorelevante të bisedohet me listat e monumenteve! Shumë objekte ishin në lista të përkohshme apo të përhershme, por sërish u shkatërruan para syve tanë!", ka thënë studiuesi Avni Rudaku për gazetën "Kosova Sot" 

Ministria ka propozuar vetëm asete të trashëgimisë kulturore arkitekturale dhe arkeologjike

Dhjetëra asete të trashëgimisë kulturore do të ishin tashmë në Listë të përhershme të mbrojtjes së trashëgimisë sikur Ministria e Kulturës të ishte më e kujdesshme me dokumentacionin përcjellës kur ato janë propozuar për t'u futur në listën e përhershme në Këshillin e Kosovës për Trashëgiminë Kulturore. 71 asetet që tashmë janë propozuar nga MKRS-ja janë shqyrtuar nga KKTK-ja, por me mungesë të theksuar të dokumentacionit përcjellës, siç është deklaruar KKTK-ja, në një prononcim për "Kosova Sot", ndikon në trajtimin e drejtë të këtyre aseteve, duke i kërkuar MKRS-së kompletimin e dokumentacionit shtesë brenda afatit të paraparë ligjor. Kështu që Lista e monumenteve nën mbrojtje të përhershme mbetet me një numër simbolik të aseteve. Përkundër pasurisë së madhe dhe të gjithanshme të trashëgimisë që posedon vendi, në një përgjigje që gazeta ka marrë nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, thuhet se vlerësimin dhe shpalljen e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme e bën në bazë të propozimeve, të cilat vijnë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe se KKTK-ja aktualisht është duke shqyrtuar shtatëdhjetenjë (71) asete, të cilat janë propozuar nga MKRS-ja. 

Mungesë e theksuar e dokumentacionit përcjellës

Sipas KKTK-së, më 26.02.2018, nga KKTK është parashtruar kërkesa në MKRS për plotësim të dokumentacionit për këto asete dhe tashmë këshilli është në pritje të përgjigjes zyrtare, me qëllim që këshilli të ketë mundësi për të proceduar më tutje vlerësimin e aseteve të propozuara për shpallje në mbrojtje të përhershme."Të gjitha këto asete tëpropozuara kanë vlera të trashëgimisë kulturore, mirëpo kanë mungesë të theksuar të dokumentacionit përcjellës që po ndikon në trajtimin e drejtë të këtyre aseteve. Në po shpresojmë që MKRS-ja në afatin e paraparë ligjor do të plotësojë kërkesat për dokumentacion shtesë", thuhet nga KKTK-ja në një përgjigje për "Kosova Sot". Po sipas këtij këshilli, ministria ka propozuar vetëm asete të trashëgimisë kulturore arkitekturale dhe arkeologjike, deri më tani nuk ka dërguar propozime për artefakte të trashëgimisë kulturore të luajtshme për t'u vënë nën mbrojtje të përhershme. Aktualisht lista e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme ka njëzetetre (23) asete, për të cilat këshilli ka kërkuar nga MKRS-ja të hartohen planet e menaxhimit, por fatkeqë- sisht këto plane ende nuk janë përfunduar.

Vështirësitë, të natyrave të ndryshme

Gazeta nuk ka mundur të marrë një përgjigje nga MKRS-ja lidhur me ecurinë e propozimeve dhe shqetësimet e ngritura nga KKTK-ja. Në anën tjetër, ekspertë të fushës dhe zhvillimeve kulturore në vend kanë kërkuar nga institucionet që të jenë efikase dhe të ndërmarrin hapat e duhur për mbrojtje të trashëgimisë kulturore. Ylber Vokshi, ekspert në fushën e trashëgimisë, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se është shumë i vogël numri 23 i aseteve që kanë marrë statusin e mbrojtjes së përhershme nga ana e Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kulturore (KKTK), që është kompetencë ekskluzive e tyre. "Me siguri kanë vështirësi të natyrave të ndryshme, por ato gjithsesi duhet tejkaluar dhe nuk duhet toleruar një situatë të tillë, kur nga numri i madh i atyre në listën e monumenteve të përkohshme afro 1600 statusi i tyre zgjidhet vetëm për disa sosh, pasi ato janë të një rëndësie të veçantë", ka thënë ai, duke shtuar se pas gati tre vjetësh kur u riaktivizua KKTK-ja gjithsesi duhet rishikuar veprimtarinë e tij, që të hulumtohen shkaktarët kryesorë dhe të korrigjohen ato në mënyrë që KKTK të kryejë të gjitha detyrat dhe obligimet që i takojnë me ligj, e për të cilat Kosova ka ngecje të mëdha në shekullin e ri në fushën e trashëgimisë kulturore. "Kemi ngecje të mëdha në përshpejtimin e punëve përgatitore për plotësimin e kushteve për anë- tarësimin e Kosovës në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, si dhe aktivizimin e trashëgimisë kulturore të lënë pas dore në këta 19 vjet", ka thënë ai për "Kosova Sot", kurse studiuesi dhe njohësi i zhvillimeve kulturore në vend, Avni Rudaku, ka thënë, në një prononcim për "Kosova Sot", se Lista e monumenteve nuk është me rëndësi për momentin, pasi, siç ka thënë ai, edhe Qendra Historike ka pasur ligj të veçantë, por është shkatërruar mjaft shumë! "Nuk e garanton futja në këtë apo atë listë! Pa zbatim të ligjeve, pa zbatim të vendimeve, listave dhe mbrojtjeve të përkohshme e të përhershme në listat e monumenteve, është tepër jorelevante të bisedohet me listat e monumenteve! Shumë objekte ishin në lista të përkohshme apo të përhershme, por sërish u shkatërruan para syve tanë!", ka thënë ai. 

(Kosova Sot)