Ilirët dhe maqedonasit e lashtë u ringjallën gjatë mesjetës në racën e sotme shqiptare

  • 10 March 2018 - 19:50
Ilirët dhe maqedonasit e lashtë u ringjallën gjatë mesjetës në racën e sotme shqiptare

ÇFARË SHKRUAN PËR SHQIPTARËT HISTORIANI AMERIKAN I SHEKULLIT XIX, JOHN CLARK RIDPATH (1)

Gjuha e (vjetër) shqipe ka pasur ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e disa gjuhëve tjera ballkanike

SHKRUAN: ABRAHAM GASHI 

Meshkujt e familjes shkojnë në xhami për t'u lutur, por gratë pothuajse të gjitha shkojnë në kishë. Të dy fetë janë të pranishme brenda familjes dhe në të njëjtën sofër. Shpesh ndodh që ushqimet, të cilat janë të papranueshme për ismailitët, por të pranueshme për të krishterët, shërbehen në sofër.

Çështja e origjinës së shqiptarëve ka qenë dhe mbetet temë kryesore në studimet e sotme në fushën e antropologjisë, gjuhësisë apo arkeologjisë, qoftë brenda shqiptarëve, apo në mesin e shkencëtarëve botërorë. Kjo do të thotë se ne ende jemi në kërkim të identitetit dhe prejardhjes sonë. Grupe të ndryshme interesi, institucione shkencëtarë të ndryshëm, shpesh nën ndikim politik, përkrahin apo kundërshtojnë teza të ndryshme. Teza më e pranueshme deri tani është se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, por ka të tjerë që i vendosin ata në këto troje edhe më herët. Johann Georg von Hahn (11 Korrik 1811 - 23 Shtator 1869) një diplomat dhe studiues austriak i shekullit nëntëmbëdhjetë, i cili shpesh njihet si themeluesi i studimeve shqiptare, shkruan se shqiptarët janë me origjinë pellazge. Ndër faktorët kryesorë që ndihmojnë në përcaktimin e origjinës së një populli janë antropologjia dhe gjuhësia. Gjetjet më të fundit dhe më interesante për origjinën tonë janë rezultatet e AND-së, pjesërisht të publikuara në internet në gjuhën angleze. Sipas gjetjeve në studimet e AND-së të parët tanë janë me origjinë nga Azia e Vogël (këtë e thotë edhe shkrimi i përkthyer më poshtë) dhe rrjedhin nga Lidianët. Sipas disa studiuesve epiriotët dhe etruskët, të cilët në antikitet njihen edhe si pellazgë, janë po ashtu me origjinë lidiane. Derisa gjetjet e fundit shkencore nga gjuhësia, që vijnë nga Austria, pothuajse e mbështesin këtë tezë nga aspekti gjuhësor. Sipas gjuhëtarëve austriakë, Dr. Stefan Schumacher dhe Dr. Joachim Matzinger, gjuha e (vjetër) shqipe ka pasur ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e disa gjuhëve tjera ballkanike. Ata duke shfrytëzuar tregimin e Adamit dhe Evës të botuar në gjuhën italianë dhe shqipe, (shih foton e publikuar nga Dr. Stefan Schumacher më poshtë), mëtojnë të dëshmojnë këtë ndikim të gjuhës së vjetër shqipe (arbërishte v.j.) përmes fenomenit "Sprachbund" në rajonin e Ballkanit, ku fliten gjuhët shqipe, greke, maqedonase, bullgare e rumune. Në një ndejë të organizuar nga KUSA, nga gjysma e muajit dhjetor të vitit 2017, një zyrtar amerikan i USAID-it, pasi që i thashë se merresha me studime gjuhësore, më pyeti: A është vërtetuar akoma teza se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve? Unë ato ditë kisha lexuar një libër të historianit amerikan të shekullit nëntëmbëdhjetë, John Clark Ridpath (Xhon Klark Ridpath), që mban titullin "Racat e Mëdha të Njerëzimit". Ja se ç'thotë ai për shqiptarët.

ILIRËT DHE BURRAT E EPIRIT U BËNË VALËPRITËSIT E PËRMBYTJEVE

Ndarja e dytë etnike e popujve të Greqisë moderne janë shqiptarët. Në gjuhën e tyre ata njihen si shqiptar ose arnaut, që ka kuptimin malësor. Siç e kemi thënë Shqipëria pothuajse koincidon me shtetin antik grek, Ilirinë. Por, raca shqiptare nuk është e kufizuar në këtë rajon. Është e kundërta, kjo racë shtrihet në Atikë dhe Megaris, por jo edhe në qytetet kryesore. Pjesa më e madhe e Beotisë, një pjesë e madhe e rrethit të Lokrës, dhe gjysma jugore e Eubeas gjithashtu janë të banuara me shqiptarë. Disa pjesë të Eginës dhe Andros, si dhe ishujt Salamina, Paro, Hidra, dhe Specia kanë të njëjtën popullatë po ashtu në Argol, Sikioni, Arkadi, Lakoni, Mesinë dhe Eli aty këtu gjenden banime shqiptare. Ky popull ka gjuhën e vet, një dialekt arian, që pa dyshim mund të haset në formën antike greke që flitej në Iliri gjatë kohës së ngritjes së helenizmit. Të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit të tyre kanë mësuar greqishten dhe në të njëjtën kohë, deri diku kanë lënë pas dore dhe kanë harruar gjuhën e tyre të nënës. Në të vërtetë, thuhet se në Greqinë e vitit 1870 vetëm rreth tridhjeteshtatë mijë shqiptarë nuk kishin adaptuar gjuhën greke. Ata gjithashtu janë bërë anëtarë të kishës greke. Në Shqipëri feja muhamedane dominon, edhe pse besimi ortodoks grek njihet dhe lejohet. Ne jemi në gjendje të gjurmojmë me një saktësi të lejuar transformimet e shumta historike, të cilat na dëshmojnë se epirotet, Ilirët dhe maqedonasit e lashtë u ringjallën gjatë mesjetës në racën e sotme shqiptare. Në kapitullin pararendës pamë karakterin dhe prirjet e fiseve qe jetonin në këto zona. Arritjet e tyre më të mëdha kombëtare ata i përjetuan gjatë kohës së Perandorisë Maqedonase. Pas rënies së Maqedonisë dhe shpërbërjen e shtetit në shtete të vogla instinktet e vjetra u ringjallën - instinktet e luftës dhe pavarësisë. Gjatë një periudhe galët dhe bullgarët filluan trysninë mbi Greqinë e Lashtë dhe raca e lashtë greke në tërësinë e vet rrezikohej nga zhdukja nga barbarët. Mirëpo, ishin ilirët dhe burrat e Epirit ata që u bënë valëpritësit e përmbytjeve. Për një kohë të gjatë ata ruajtën frymën mbrojtëse ndaj fiseve teutonike dhe sllave në veri dhe perëndim. Muhamedanët erdhën në numër të madh nga lindja dhe populli të cilin ne sot e quajmë shqiptar u desh të ballafaqohej dhe të mbrohej nga Islami. Turqit bënë pak përparime përballë armikut të tyre të patundur. Gjergj Kastrioti i famshëm u bë udhëheqës popullor, atë turqit e thërrisnin Skënderbeg. Shumë herë Muhamedi i II, pasi pushtoi Konstantinopojen, dërgoi ushtritë e tij kundër shqiptarëve vetëm e vetëm për të pësuar humbje nga ta. Pas shumë tentimesh të kota për t'i pushtuar ata ai ua njohu pavarësinë përmes një marrëveshje zyrtare, e cila zgjati deri në vdekjen e Skënderbeut, atëherë lufta rifilloi.

MBRETËRIA E PAVARUR E ALI PASHAIT

Më 1478 Shkodra u rrethua nga turqit dhe shqiptarët e humbën betejën. Por malësorët asnjëherë nuk e pranuan sundimin turk. Këta të fundit u detyruan t'i angazhojnë ushtarët shqiptarë në ushtrinë e sulltanit dhe shfrytëzuan virtytin e tyre të natyrshëm për të plaçkitur në luftëra në vendet e tjera. Gjatë kohës sa Perandoria Osmane po rritej shqiptarët ishin të pushtuar nga Perandoria Muhamedane. Por, sapo filloi të bjerë fuqia e perandorisë fryma e vjetër e fiseve të Maqedonisë dhe Ilirisë u ringjall dhe nën udhëheqjen e të famshmit Ali Pashai, Shqipëria, kah fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë, u lartësua dhe pothuajse u bë mbretëri e pavarur. Nami i kësaj lufte dhe i udhëheqësit kokëkrisur të saj i dha kësaj race karakterin pasues. Më pastaj shqiptarët gjithmonë nxiteshin nga kujtimet e luftërave dhe fitoreve dhe Ali Pashai hyri në këngët e luftërave të këtij vendi si hero kombëtar. Gjatë tërë kohës së pushtimit muhamedan, që nga fundi i shekullit të pesëmbëdhjetë, raca shqiptare përballej me veprime të forcave të kundërta, disa e tërhiqnin popullin drejt turqve e të tjera drejt grekëve. Duke qenë të një race instinkti i shtynte ata të rreshtoheshin me grekët, por feja e tyre i mbante ata në aleancë me Turqinë. Në pjesën perëndimore të Shqipërisë, e veçanërisht në krahinën malore të Sulit, kisha greke ruajti ndikimin e saj; dhe shqiptarët të cilët janë të shpërndarë në krahinat qendrore dhe jugore të Greqisë përgjithësisht i përkasin kësaj kishe. Ata të gjithë përkrahën lëvizjen e grekëve të sotëm për themelimin e kombit. Por shqiptarët maqedonas u mbajtën nën ndikimin e Portës së Lartë. Këto zhvillime i dhanë mundësinë Ali Pashait që të bëjë lojë të dyfishtë gjatë tërë karrierës së tij. Po këto rrethana penguan shqiptarët që shpirtërisht të bëhen pjesë e kauzës greke për pavarësi. Po të hidheshin ata përkrah rebelimit të madh të vitit 1821 me entuziazëm, dhe po t'i pranonin grekët shqiptarët me të njëjtin entuziazëm, pa dyshim se i tërë vendi do të çlirohej nga pushtimi turk. Por, urrejtja fetare që ekzistonte në mes këtyre dy popujve pengoi bashkimin dhe shqiptarët ose rrinin mënjanë ose rreshtoheshin me turqit.

PATRIOTIZMI DHE TRIMËRITË E SULIOTËVE

Megjithatë, Suliotët, të cilët tashmë kishin vuajtur nga Ali Pashai dhe të cilët për një kohë të gjatë kishin përjetuar tiraninë e turqve, iu bashkuan kauzës greke. Po të ishin më të përparuar dhe me dëshirë t'i nënshtroheshin urdhrave dhe komandës ushtarake që kërkohej, ata do të arrinin të kryenin punë më të mëdha. Edhe ashtu siç ishin, ata, së bashku me grekët e tjerë, arritën famë të madhe ushtarake në tërë Evropën Perëndimore. Nën udhëheqjen e Marko Boçarit ata fillimisht i bënë ballë ushtrive të Ali Pashait me heroizmin e tyre të racës antike; pastaj më 1820 i bashkuan forcat me të në Epir dhe arritën ta kthejnë Sulin dhe pastaj luftuan kundër turqve në perëndim të Greqisë. Më 1822 ushtria Suliote u shkatërrua gjatë një sulmi të tmerrshëm mbi kështjellën e Qafës, atëherë kur ata u munduan të lirojnë garnizonin Suljot që mbahej ngujuar aty brenda. Boçari më pastaj e udhëhoqi fisin në Mesollonjë prej ku vazhdoi të luftojë si hero grek i lashtësisë epike derisa një natë më në fund u vra, siç e di e gjithë bota, gjatë një sulmi kundër kampit turk. As Lord Bajronit nuk i ka ikur nga vëmendja shpirti luftarak i fisit në njërën prej këngëve të tij për luftërat greke: "Oh! Kush është më trim se sa një Suliot zeshkan, I veshur me çamezen e tij si dëbora dhe kapotën e tij të leckosur? Fisin e tij të egër ia lë ujkut dhe hutave, Dhe zbret në fusha si ujëvara nga shkëmbi. Numri i përgjithshëm i shqiptarëve është rreth një milion e dyqind mijë. Në këtë shifër janë përfshirë ata grek (të krishterë v.j) dhe turq (mysliman v.j) që jetojnë në Maqedoni, Epir dhe Iliri. Më shumë se gjysma e popullatës janë muhamedan, më pak se gjysma janë katolik grek. Megjithatë, thuhet se e tërë popullata e duan Kishën Greke dhe se pranimi i fesë Islame ka për motiv interesat. Meshkujt e familjes shkojnë në xhami për t'u lutur, por gratë pothuajse të gjitha shkojnë në kishë. Të dy fetë janë të pranishme brenda familjes dhe në të njëjtën sofër. Shpesh ndodh që ushqimet, të cilat janë të papranueshme për ismailitët, por të pranueshme për të krishterët, shërbehen në sofër. Gratë mund të shihen tek hanë ushqime, të cilat burri dhe djalëria e kanë të ndaluara. 

(Kosova Sot)