Mallkimi familjar i familjes Kennedy

  • 16 March 2018 - 21:53
Mallkimi familjar i familjes Kennedy

SI KA MUNDËSI QË NJË FAMILJE TË PËRJETOJË KAQ SHUMË TRAGJEDI?

Vdekjet në këtë familje nuk u ndalën për vite me radhë

Në vitin 1999, në Masaçusets, me ç'rast humbi jetën i biri i JFK-së, John F. Kennedy Jr., gruaja e tij, Carolyn Bessette Kennedy, si dhe kunata Lauren Bessette

Shumë njerëz dinë për vrasjen e presidentit Kennedy dhe vëllait të tij Robert F. Kennedy në vitet 1960. Por, varësisht nga gjenerata të cilës i takoni, këto ngjarje tjera brenda klanit Kennedy mund të mos jenë aq të njohura për ju.

1. Historia e rrëzimit fatal të avionëve

Shumëkujt i kujtohet rrëzimi i një avioni të vogël në vitin 1999, në Masaçusets, me ç'rast humbi jetën i biri i JFK-së, John F. Kennedy Jr., gruaja e tij, Carolyn Bessette Kennedy, si dhe kunata Lauren Bessette. Por, ndoshta nuk dini që, 35 vjet më parë, Ted Kennedy mbijetoi rrëzimin një avioni në vitin 1964, me ç'rast vdiqën dy persona. Vëllai më i madh i presidentit Kennedy, Joe Kennedy Jr., vdiq në një fatkeqësi ajrore në vitin 1944, gjatë një misioni në kuadër të Luftës së dytë botërore. Katër vjet pas vdekjes së Joe Jr., një fatkeqësi tjetër ajrore vrau motrën e presidentit Kennedy, Kathleen Kennedy. Ajo kishte vetëm 28 vjet.

2. Gruaja vdes në veturën e drejtuar nga Ted Kennedy

Çapakuidik është emri i një ishulli të Masaçusetsit, ku punëtorja e kampanjës Mary Jo Kopechne vdiq në vitin 1964, në një aksident trafiku, derisa duke vozitur ishte Ted Kennedy, i cili ishte duke e dërguar atë në shtëpi. Ai e humbi kontrollin ndaj veturës dhe ranë në ujë. Ted shpëtoi, derisa Mary mbeti në veturë dhe u mbyt.

3. I biri i RFK-së vdes nga mbidozimi me drogë

David Kennedy, njëri nga 11 fëmijët e Ethel dhe Robert F. Kennedy, vdiq në vitin 1984 në Palm Biç të Floridës, si pasojë e dozës tepër të lartë të drogës. Ai kishte 28 vjet. Si i ri, kishte shikuar shpesh vrasjen e t'et në TV, për çka mendohet se filloi të përdorte drogë.

4. Një djalë tjetër i RFK-së vdes në aksident skijimi

Një djalë tjetër i Robert F. Kennedy, Michael Kennedy, vdiq në një aksident gjatë skijimit, në Aspen, Kolorado, natën e vitit të ri, 1997. Ai kishte 39 vjet dhe la pas vetes tre fëmijë.

5. Nipi i Kennedy-t akuzohet për dhunim

Në vitin 1991, Ted Kennedy u detyrua që të dëshmonte rreth një fundjave afër shtëpisë së pushimeve të familjes së tij, në Palm Biç të Floridës, ku përfshiheshin akuzat për dhunim, të ngritura ndaj nipit të tij, William Kennedy Smith. Më pas Smith u lirua nga të gjitha akuzat, por tërë procesi gjyqësor ishte transmetuar gjerësisht nga mediet.

6. Kushëriri i Kennedy-t, Michael Skakel, dënohet për vrasje

Michael Skakel, nipi i vejushës së Robert F. Kennedy, Ethel Kennedy, u dënua në vitin 2002 për shkak të vrasjes së fqinjës së tij, Martha Moxley, duke e rrahur deri në vdekje me çomange, në vitin 1975. Që të dy kishin nga 15 vjet kohën kur ndodhi vrasja. Ai tani është i lirë me dorëzani. 

7. Operacioni i dështuar i trurit i motrës së JFK-së

Qëmoti ishin dëgjuar zëra se motra e presidentit Kennedy, Rosemary Kennedy, ishte 'intelektualisht e ngathët'. Me shpresë të përmirësimit të cilësisë së jetës së saj, kreu i familjes, Joseph P. Kennedy, lejoi mjekët t'ia hiqnin asaj një pjesë të trurit, në vitin 1941, gjë që atëherë ishte procedurë e re, e quajtur lobotomi prefrontale. Operacioni vetëm sa ia keqësoi gjendjen asaj. 

8. Presidenti dhe Jackie Kennedy humbin djalin e vogël

Në vitin 1963, presidenti Kennedy dhe Zonja e parë, Jacqueline Kennedy, bënë publik lajmin rreth lindjes së fëmijës së tyre të tretë, Patrick. Por, meqë kishte lindur para kohe, ai jetoi vetëm dy ditë.

9. I biri i Ted Kennedy-t mbetet pa këmbë, si pasojë e kancerit

Në tragjedinë familjare të Kennedy-ve rol ka luajtur edhe kanceri. Në vitin 1973, djali 12 vjeçar i Ted Kennedy't, Edward Jr., mbeti pa njërën këmbë, si pasojë e kancerit të eshtrave. Në vitin 2009 vet Ted Kennedy vdiq nga kanceri.

10. Refuzojnë mallkimin familjar

Pasi i mbijetoi kancerit të eshtrave, Edward Jr. dhe vëllai i tij, Patrick Kennedy, deklaruan se refuzojnë idenë e ekzistimit të ndonjë mallkimi familjar. Ata thanë se, përkundër vështirësive dhe problemeve të shumta, familja e tyre është sikur edhe çdo familje tjetër amerikane.

(Kosova Sot)