PIRAMIDAT MADHËSHTORE

  • 17 March 2018 - 09:07
PIRAMIDAT MADHËSHTORE
Image

 

VIZITA NË EGJIPT(1)

Historia me faraonët, libri biblik dhe kuranor, legjendat e Moisiut mbi çarjen e detit

 

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Policë a ushtarë të armatosur e ruanin krejt zonën e piramidave. Sapo e kaloni kontrollin e parë, vijnë njerëz të cilët duan të të shesin shërbimet e devesë, e të përjetoni udhëtimin nga piramida më e madhe deri te sfinksi e më tej, duke u paraqitur si zyrtarë të zonës

E gjipti më ka tërhequr më së shumti për ta vizituar, sikur shumicën prej nesh kur flasin për të, prania e piramidave madhështore në këtë vend, historia me faraonët, libri biblik dhe kuranor mbi legjendat e Moisiut apo të Musës mbi çarjen e detit, filmat dokumentarë rreth misteriozitetit dhe dekonstuktimin e miteve mbi mënyrën e ndërtimit të varrezave madhështore faraonike, mumifikimi e tjerë e tjerë. Shumë familje më të kamuara shqiptare, kohës së fundit, me ndonjë përjashtim tjetër klasor, nuk shkojnë në Egjipt në radhë të parë për piramida, por në front të parë e vënë magjinë e plazheve e detit në Sharm El-Sheik, destinacionin më të tërhequr turistik dhe për t'i kaluar pushimet, jo vetëm egjiptianët, arabët sauditë etj., por nga e mbarë bota. Edhe të rinjtë kosovarë, të vetëm, me familje a me miq e mikesha, kanë filluar ta mendojnë Egjiptin edhe për detin, rrezitjen, notimin e relaksimin në Sharm ElSheikh, por edhe në grupe të ndryshme turistësh, po i ndjekin ofertat e ndryshme "all inclusive" për piramida dhe sajte të tjera kulturore-historike për t'i vizituar. Një pjesë tjetër më e madhe e shqiptarëve, kryesisht të rinj e studentë, janë lidhur emocionalisht me Egjiptin, ose pse janë duke studiuar në këtë vend, ose i kanë kryer studimet dikur dhe kanë nostalgji për vitet e tyre studentore, kryesisht duke studiuar apo ndjekur universitetin për t'u bërë imam apo teolog. Mua më ka fascinuar gjithmonë arti i lashtë egjiptian, mitologjia mbi lloj-lloj perëndie, mënyra se si i kanë vizatuar njerëzit në profile nga botëkuptimi tjetër i kohës për të bukurën, apo edhe për nga naiviteti në disa principe të njohura të arteve pamore dhe estetike, sikur e mendojmë me kutin e sotëm. Sidoqoftë, në vend të Sharm ElSheikh, ku udhëtimi bëhet sinonim vetëm me detin, pishinat e hoteleve, kthjelltësia e ujit dhe fotografitë, unë më parë zgjodha qytete të stërlashta arkeologjike dhe historike, si Asëani, Lluksori, apo Giza - vendi i piramidave më të njohura në botë. Sidoqoftë, pasi kisha vendosur ta vizitoja Egjiptin, sapo dikush e dinte se do të shkoja atje, sikur për shumë vende të tjera afrikane e me lajme për konflikte, luftëra, rebelime, revolucione të dështuara etj., dëgjoja vetëm porosi e këshilla miqsh - shpesh me plot të drejtë - se nuk do të duhej të udhëtoja për në Egjipt, pasi që pas revolucionit egjiptian dhe lajmit për sulmet terroriste me rreth 150 të vrarë, situata kishte ndryshuar dramatikisht. Ndonjëherë edhe të fusnin frikën, por gjithmonë e kisha një bindje se përmes medieve, nuk mund ta njohim realitetin në tërësinë e tij. Dhe ja erdha dhe nuk pashë erë lufte, përveç kur objektet shtetërore, pikat e ndryshme turistike e historike, por sidomos edhe drejt gadishullit të Sinait, kishte shumë pika kontrolli, qoftë nga policia e armatosur mjaft rëndë, apo edhe ushtria. Një gjë që të binte në sy për herë të parë ishte se si shumë ushtarë ishin të rinj në moshë dhe dukeshin të tillë në fytyrë, në shumicën e postblloqeve. E pyeta një egjiptian pse shoh aq shumë fytyra të reja, aq të rinj në moshë, si ushtarë në postblloqe - qoftë në sheshin e revolucionit, qoftë në objekte të shtetit, qoftë në rrugën për në Sharm El- Sheikh që kishte aq shumë postblloqe sikur të dalësh në shtetin tjetër se jo brenda tij, që ma kujtonin KFOR-in pas lufte. Ai ma ktheu këtë përgjigje: Në Egjipt është obligim që të kryhet ushtria sapo mbushni 18 vjet dhe të rinjtë kyçen herët në rekrutimin si ushtarë! Nuk ma mbushi mendjen, por nuk doja ta zgjasja!  

VËSHTIRËSITË E LIRISË SË LËVIZJES PËR KOSOVARËT

Egjipti e njeh Kosovën dhe kisha vendosur të aplikoja në Tiranë për ta marrë vizën, por mund ta bëja me postë edhe përmes ambasadës në Mbretërinë e Bashkuar. E mora vizën në Tiranë dhe erdha! Madje, edhe kolumnen teksa po e shkruaj, po e dërgoj nga Egjipti. Do të doja t'i ndaja mbresat e mia rreth këtij udhëtimi - në një nga vendet me mrekullinë e vetme të shtatë, të mbetur ekzistente edhe zyrtarisht, në botë. Teksa më ra të punoja me atë e këtë agjenci udhëtimi, më habitën shumica e shitësve të tiketave, se si nuk i dinin as rregullat elementare të qarkullimit dhe udhëtimit përmes linjave ajrore. Kur e 'preva' tiketën, edhe zyrtari që e shiste atë, më thoshte: Shiko, a ke të drejtë të udhëtosh përmes Tiranës, pasi Kosova nuk është në zonën Shengen, përkundër që je tranzit?! Më bëri të mendohesha dhe pyeta ambasadën gjegjëse të vendit tranzit, se a kisha të drejtë ta kaloja tranzit me të njëjtën kompani në Egjipt përmes zonës ndërkombëtare apo neutrale në aeroportin "Leonardo Da Vinçi" në Romë - pasi Kosova ende nuk është në zonën Shengen, ndonëse me logjikë, përvojën time të dikurshme, njohja e disa rregullave ndërkombëtare dhe ndarja e përvojave me miqtë e pasionuar në udhëtime, besoja se mundesha, por më fusnin në dilema shumica e agjencive. Dhjetëra agjenci i kam pyetur, nuk kanë qenë të sigurta se a mund të udhëtoja me destinacionin final Egjiptin, përmes vizës egjiptiane, por duke u ndalur në zonën "lidhjet e tranzitit apo lidhjet kaluese", për vetëm 2 orë e gjysmë në aeroportin e Romës! Vetëm mendja ime ma thoshte, po ashtu ca miq të mi me përvojë në udhëtime të largëta dhe zyrtarja përgjegjëse e Aeroportit Ndërkombëtar "Nënë Tereza", se unë kisha të drejtë sikur shumica që kanë destinacione të largëta si: SHBA, Australia, Kanada, Iraku etj., të 'pushojnë' pakëz në zonën ndërkombëtare të aeroportit, pasi që ju nuk po hyni në territorin italian, por vetëm është vend kalues përmes zonës neutrale. Dhe ashtu ndodhi: pa asnjë sfidë kalova aeroportin e Romës, sepse ajo ndalje ishte vetëm kaluese dhe në fakt nuk hynim ne në territorin italian, por në zonën neutrale. Pasi arritëm në Egjipt, gjëja e parë që na vinte në mendje ta vizitonim, ishin pamjet e piramidave që na kanë përcjellë gjatë gjithë jetës, qoftë përmes medieve, filmave, librave, dokumentarëve të vazhdueshëm në TV kabllorët e vjetëve të fundit etj. Pamjet e piramidave të jepnin përnjëmend ndjenja që fjala nuk i thotë dot!

VIZITA TE PIRAMIDAT E GIZËS

Marrim taksin prej sheshit 'Tahrir' të Kajros te piramidat e Gizës, pak në periferi të kryeqytetit, me më pak se pesë euro. Ka edhe më lirë, vetëm se duhet të ndjekësh linjat e autobusit, t'i shikosh dhjetëra oferta të agjencive lokale turistike etj. Nëse ka një vend që gjithmonë duhet ta negociosh çmimin për diçka, thuajse mbetet në mesin e tyre, edhe Egjipti, meqë nga 50 euro, një çmim mund të bie edhe deri në 5 apo 1 euro. Të jesh i huaj për ta, do të thotë se je i pasur, ke ardhur për të shpenzuar etj. Sikur taksistët, sikur shitësit e suvenireve të mrekullueshme me faraonët e lloj-lloj figure të perëndive të egjiptasve të lashtë, qiradhënësit etj., lëvizin ekstremisht në çmime, varësisht se si e negocioni në fillim. Madje, një familje mike egjiptiane, gjithmonë na këshillonte që kur të ishim me ta, të pyesnin vetë ata se çfarë donim të blinim ne, sepse çmimi ndryshonte. Sidoqoftë, rruga për të shkuar te piramidat nga qendra kryesore e Kajros, bënte rreth gjysmë ore, sidomos për shkak të trafikut, thuajse më të dendur në botë. Pavarësisht se duket në fillim kaos komunikacioni rrugor, më vonë bindeni se janë ndër vozitësit më të mirë, meqë edhe në xhurulldi , gjithçka funksionon. Sikur ta prisni automjetin për ta dhënë përparësinë si këmbësor, ta kaloni rrugën prej këndej në anën tjetër, do të mbeteni gjithmonë në të njëjtin vend! Duhet ta hidhni hapin dhe t'ju afrohen me shpejtësi të mëdha veturat e të kaloni rrugën! Është në fillim shumë e vështirë, por dikur mësoheni të kaloni tej për tej komunikacionit aq të dendur e aq të rënduar në Kajro e gjetiu në Egjipt. Ngado që shkon edhe për te piramidat, edhe në ndonjë qytet tjetër, fotografia që e pushton qytetin, në përmasa të mëdha, me lloj-lloj mbishkrimi për shpresën në të, është ajo e presidentit aktual, gjeneralit drejtues të shtetit Abdel Fattah Saeed Hussein Khalil el-Sisi. Shumica e atyre me të cilët të bie të flasësh për politikë, thonë se El-Sisi na ka sjellë sërish paqen dhe sigurinë. Madje, takuam shumë prej tyre edhe që kishin nostalgji për Mubarakun, pasi që ishin shumë të zhgënjyer me revolucionet e njëpasnjëshme, e të vlerësuara, si të dështuara. Për presidentin aktual, thoshin se na lë të lirë dhe kjo është me rëndësi. Një taksist që na dërgoi te piramidat, na tha se, presidenti aktual i Egjiptit, edhe ai është mysliman, por e mban Zotin në zemër e jo në mjekër! Ai thoshte se, nuk do të pranonte asnjë ekstremist që i përzihet se sa është dikush fetar! Aludonte në presidentin e burgosur! Natyrisht se shoqëria në Egjipt përbëhet nga shumë grupe mendimesh politike, fetare dhe etnike dhe merr kohë të gjatë ta kuptosh në tërësi se ç'drejtime ndjekin, pasi që është mjaft heterogjene. Duke lënë anash këtë, ishte madhështore çdo moment që i afroheshim piramidave. Ndonjëherë frikësoheshim se mos po na zhgënjejnë dhe shumë prej tregimeve janë përralla edhe për to, ngase njeriu kur e prek dhe e sheh me sytë e tij atë që është përshkruar madhështore, konkretizimi i saj, e redukton përmasën e mitit apo legjendës, rrjedhimisht edhe të emocionit, habisë, ekzaltimit etj. Por, piramidat edhe më shumë të marrin me vete, edhe pasi i keni parë, keni brenda tyre dhe keni bërë foto me sfondin e tyre! Ne sa herë shkojmë diku në vend të largët e më të veçantë, ose e marrim shqiponjën kuq e zi, ose flamurin e Kosovës, ose plisin! Kësaj radhe, plisi rrinte për mrekulli pranë piramidave dhe sfinksit! PIRAMIDAT MBESIN SËRISH MADHËSHTORE Vijmë në zonën e piramidave. Policë a ushtarë të armatosur, e ruanin krejt zonën e piramidave. Na bëhet kontrolli rutinor e çantave dhe çdo gjëje tjetër. Kalohet në disa kontrolle! Sapo e kaloni kontrollin e parë, vijnë njerëz të cilët duan të të shesin shërbimet e devesë, e të përjetoni udhëtimin nga piramida më e madhe deri te sfinksi e më tej, duke u paraqitur si zyrtarë të zonës, por nuk duhet t'i dëgjoni. Më pas, vjen deri te blerja e tiketës. Bileta varion varësisht nga përfitimet e përfshira: vizita brenda dhe jashtë piramidave e kështu me radhë. Ndër çmimet më të mëdha, mund të shkon deri te shuma prej 400 paundësh egjiptianë, rreth 20 euro për person. Pasi e blini tiketën, sërish hyni në kontrollet rutinore, detektorët e ndryshëm të metalit e të gjërave të tjera dhe më pas, e përjetoni shikimin direkt të piramidave madhështore. Pasi hyni në zonën e piramidave, menjëherë të afrohen njerëzit: o për të shitur suvenire me faraonët e perënditë e lashta egjiptiane, o për shitjen e shërbimeve kalorësike me deve, o për të ndihmuar të fotografohesh etj. Secila ndihmë, secila dhënie, qoftë edhe kur të thotë 'gift', është me para. Kushdo që të afrohet, të thotë me mirësjellje "Mirë se vini!" dhe për çdo fjalë që të thotë, do të jetë me para! Por nuk është sikur e kanë bërë tmerr! Largohen! Mjafton t'i injorosh, ose të mos pranosh ndihmën e tyre dhe mund të ndalen, nuk janë të dhunshëm apo diçka tjetër, me ndonjë rast aty-këtu, që të ngjiten pas e mund të bezdisin! Pazaret kur t'i bëni edhe për shëtitje me deve, duhet t'i caktoni që në fillim krejt detajet. Ja një shembull: kur ju shohin që jeni të huaj, menjëherë luajnë me çmimin e deves. Sapo bëni pazar me ta, duhet të udhëhiqeni me detaje. Ne morëm devetë prej njërit, por gjatë kalërimit apo 'develërimit', ata që na drejtonin devetë, na thanë që pas syve të personit me të cilin bëmë marrëveshje, t'ia jepnim edhe atyre ca para. Me dikë merresh vesh, ta bie një tjetër, pastaj atë 'tjetrin', sërish duhet ta paguash ekstra.

Në numrin e ardhshëm:
Cila është biblioteka më e vjetër në botë?
Çfarë sekretesh ruan Biblioteka e Aleksandrisë dhe zonat e tjera kulturore?

(Kosova Sot)