Komiteti Kombëtar i Kosovës, në mbrojtje të trojeve shqiptare

  • 22 March 2018 - 08:41
Komiteti Kombëtar i Kosovës, në mbrojtje të trojeve shqiptare

I THEMELUAR NË MAJ TË VITIT 1918 NË SHKODËR 

"Studiuesit pjesëmarrës prezantuan në këtë tryezë shkencore ku patëm rastin të dëgjojmë kumtesa, të cilat prezantonin punën e Komitetit nga këndvështrime të ndryshme. Një nga interesimet tona është që, përveç trajtimit klasik, ngjarje apo proceset historike të shihen edhe në aspekte të tjera, në këtë rast të shohim se çfarë mendimi politik ka prodhuar ky Komitet dhe sa ka qenë ai valid në proceset e mëvonshme që përjetuan shqiptarët", ka thënë Blerim Halili, drejtori i Instituti "Gnosis" 

Në maj të vitit 2018 patriotët shqiptarë, kryesisht të Kosovës, në Shkodër themeluan Komitetin Kombëtar të Kosovës, qëllimi i të cilit ishte për të mbrojtur trojet shqiptare që mbetën jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar. Si organizatë politike ky komitet kreu një punë të rëndësishme për çështjen shqiptare. Veprimtaria e tij nuk ishte e kufizuar, por mbulonte tërë trojet shqiptare, veçmas ato që mbetën në ish- Mbretërinë Jugosllave, e cila lindi pas Luftës së Parë Botërore. Këto konkludime dolën të mërkurën në tryezën shkencore, "Shekulli i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (1918 - 2018)", aktivitetet u organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti Kosovar për Studime Sociale, "Gnosis". Studiues dhe njohës të historikut dhe të veprimtarisë së Komitetit, por edhe zhvillimeve gjatë periudhës së veprimtarisë së tij, prezantuar kumtesa lidhur me Komitetin, duke u parë në disa rrafshe, duke mos lënë anash edhe jehonën që pati puna e këtij Komiteti tek shqiptarët. 

Prurjet e reja

Blerim Halili, drejtori i Instituti "Gnosis", një nga organizatorët e kësaj tryeze, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se ideja ishte që të mbahet një tryezë shkencore me rastin e 100- vjetorit të Komitetit, duke e njohur rëndësinë kombëtare të këtij Komiteti. Ai ka thënë se si institut u ka interesuar një aktivitet i tillë dhe gjetën edhe gatishmërinë e IAP-it për organizmin e këtij aktiviteti. "Studiuesit pjesëmarrës prezantuan në këtë tryezë shkencore ku patëm rastin të dëgjojmë kumtesa, të cilat prezantonin punën e Komitetit nga këndvështrime të ndryshme. Një nga interesimet tona është që, përveç trajtimit klasik, ngjarje apo proceset historike të shihen edhe në aspekte të tjera, në këtë rast të shohim se çfarë mendimi politik ka prodhuar ky Komitet dhe sa ka qenë ai valid në proceset e mëvonshme që përjetuan shqiptarët", ka thënë Halili. Ndërsa Memli Krasniqi, shef i Degës së Historisë në IAP, një nga organizatorët e tryezës, ka thënë për "Kosova Sot", se qëllimi i kësaj konference është shënimi i një date të ngjarje të rëndësishme kombëtare, pasi këtë vit shënojmë edhe 100- vjetorin e themelimit të këtij Komiteti. "Përveç kësaj, qëllimi është që të sillën vlera dhe prurje të reja, të cilat hedhin dritë rreth veprimtarisë së Komitetit", ka pohuar ai, i cili përveç tjerash, ka mbajtur edhe kumtesën "Shqiptarët në opinionin publik amerikan (1918- 1919). Një kumtesë, e cila sjell dëshmi se si ishte trajtuar çështja shqiptare në Amerikë, në kohë kur edhe vepronte Komiteti i Kosovës. 

Komiteti, një organizatë politike

Kurse historiani, Lush Culaj, një nga njohësit më të mirë të veprimtarisë së Komitetit, ka prezantuar kumtesën e tij "Komiteti i Kosovës dhe kryengritja e Plavës dhe e Gucisë e vitit 1919". Duke prezantuar kumtesën ndër të tjerash, Culaj ka thënë se Komiteti "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës', është themeluar më 1 maj të 1918 në Shkodrës, siç ka thënë ai, në rrethana të rënda dhe të para përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Ai ka thënë se Komiteti ishte një organizatë politike me program politike të përcaktuar qartë dhe se, siç ka thënë ai, u formuar kryesisht nga patriotë kosovarë që ndodheshin brenda kufijve politikë të shteti shqiptar. "Ndonëse pagëzimi ishte Komitet i Kosovës nga pika e parë e programit themelues të kësaj organizate shihet që nuk ishte qëllimi vetëm te çlirimi i Kosovës, por të tërë territoreve shqiptare të pushtuara nga serbo-malazezët", ka thënë ndër të tjerash Culaj. 

(Kosova Sot)