Rrëfimi për një familje të rrethuar nga alienët

  • 12 April 2018 - 15:41
Rrëfimi për një familje të rrethuar nga alienët

John Krasinski është regjisor i këtij filmi horror, me aktoren Emily Blunt në rolin kryesor, rreth krijesave aliene, të cilat të sulmojnë vetëm nëse bën zëra

"A Quiet Place", një triler me alienë- bisha në arat e misrit, me regji të John Krasinskit, hap festivalin e filmit "South by Southwest". Ky film sjell rrëfimin e një familjeje të rrethuar. Për të mbijetuar, atyre iu duhet që ta ndjekin një rregull të thjesht, por të rëndë: nëse ndonjëri prej tyre bën çfarëdo zëri, atëherë puna e atij njeriu e ka pasur. Një krijesë skeletore, me kapëse sikur kthetra dhe me kokë sikur bostan hekuri, del nga mali për ta bërë kërdi shkaktarin e zhurmës. Por, ka edhe mënyra për ta mashtruar përbindëshin dhe për ta vazhduar jetën - por, në qetësi. 

Invadimi misterioz

"A Quiet Place" është një film i zhanrit origjinal, i përkryer nga aspekti teknologjik dhe i arrirë, me disa momente tepër të gjalla e të frikshme. Filmi krijon tensionin te shikuesit, meqë edhe zëri më i vogël që lëshohet nga personazhet, mund të jetë fatal. Ngjarja e këtij filmi fillon në ditën e 89-të të një invadimi misterioz. Një rrugë piktoreske e Nju Jorkut është e boshatisur. Por, aty afër jeton një familje: Krasinski, babai me mjekër intelektuali dhe gruaja e tij, që luhet nga Emily Blunt (Krasinski dhe Blunt janë të martuar edhe në jetën reale), bashkë me tre fëmijët e tyre. Ata duken si një familje normale, përveç faktit se që të gjithë janë këmbëzbathur dhe komunikojnë me duar (me gjuhën e shenjave). 

Aktivizimi i lodrës

Çdo gjë duket stabile, derisa djali më i vogël (Cade Woodward) fillon që të luajë me një avion-lodër, me bateri. Ata ia marrin djalit lodrën, por ai arrin përsëri që ta marrë dhe, derisa janë në udhë, lodra aktivizohet duke bërë zhurmë, me ç'rast paraqitet përbindëshi alien, i gatshëm ta bëjë djalin copë e grimë. Edhe pse heshtja ndihmon që ky film të jetë ai që është, ajo e dëmton filmin, meqë nuk ofron mundësinë e zhvillimit të dialogut midis personazheve. Rolet në këtë film i luajnë: Emily Blunt, John Krasinski, Millicent Simmonds, Noah Jupe, etj.