Thesari i kidnapuar i trashëgimisë kulturore të Kosovës mbahet "i burgosur" në Beograd

  • 14 April 2018 - 10:52
Thesari i kidnapuar i trashëgimisë kulturore të Kosovës mbahet

"E vetmja gjë që është bërë deri tani, nga ana e institucioneve tona për artefaktet, është prezantimi i disa posterëve dhe ndonjë deklaratë boshe nga ishministrat e Kulturës dhe këta të dialogut, duke mos marrë asnjë hap tjetër konkret, për ta vënë këtë pikë edhe në agjendën e bisedimeve", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Bashkim Lajçi, ekspert në fushën e etnologjisë

I nstitucionet shtetërore, konkretisht Ministria e Kulturës, nuk janë duke folur rreth thesarit të trashëgimisë kulturore, që mbahet në Serbi, padrejtë- sisht. Ka vite që zyrtarët shtetërorë pak flasin për artefaktet e Muzeut të Kosovës, nëse kjo çështje do të përfshihet në bisedime që Kosova po zhvillon me Serbinë. Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim zyrtar nga institucionet lidhur me këtë çështje dhe nëse çështja e thesarit të Muzeut të Kosovës, ku përfshinë 1200 artefakte etnologjike dhe arkeologjike, do të jetë në tryezën e bisedimeve në Bruksel. Përderisa ekspertë dhe njohës të fushës së trashëgimisë kanë thënë se vendi duhet të insistojë për pasurinë e saj të trashëgimisë, duke e shtruar si çështje serioze në bisedimet politike me Serbinë. Ndërsa kanë veçuar rolin që kanë ndërkombëtarët edhe në këtë çështje. 

PROPAGANDA SERBE ME ARTEFAKTET E KOSOVËS

Në një prononcim për "Kosova Sot", Ylber Vokshi, ekspert në fushën e trashëgimisë, ka thënë se çështja e artefakteve nuk duhet trajtuar si problematikë kontestuese për t'u përfshirë në bisedime politike apo teknike me Serbinë. "Ne, as pas 20 vjetësh nuk po punojmë seriozisht që t'i kthejmë këto 1247 artefakte, të cilat, si rezultat i neglizhencës sonë, Serbia ende është duke i mbajtur në Beograd. Një qasje e tillë inerte vetëm tregon një të vërtetë se sa ne jemi të interesuar për këto çështje madhore identitare", ka thënë Vokshi, duke shtuar se tani pas 20 vjetësh të ketë dilema apo hamendje se si duhet kthyer në vendin e vet ato artefakte, nuk ka sens profesional, pasi ajo është çështje teknike e jo politike si po dëshirojnë ta trajtojnë disa duke tentuar që ta fusin në kuadër të bisedimeve maratonike dhe shterpe me shtetin serb. Me të gjitha, ka thënë ai, konventat ndërkombëtare duhet kthye në vendin burimor. Ai ka shtuar se së fundi edhe me Planin e Ahtisarit ceket qartë se ato duhet të kthehen brenda 120 ditëve, një gjë e tillë kurrë nuk është bërë deri me tani. Sipas tij, ato 1247 eksponate arkeologjike dhe etnologjike janë marrë në vitin 1998 nga Muzeu i Kosovës, janë tregues të trashëgimisë kulturore që nga koha e neolitit e më vonë, pa marrë parasysh periodat e ndryshme historike. "Janë marrë në emër të organizimit të një ekspozite në Beograd dhe si të tilla është dashur të kthehen në vendin burimor të tyre. Kjo është një e vërtetë të cilën askush nuk mund ta kontestojë e jo t'i lejohet Serbisë të keqpërdorë këto artefakte si ajo në ekspozitën e organizuar në Paris,në "luftën" propagandistike kundër pranimit të Kosovës në UNESCO,e ne nuk reagojmë zyrtarisht thuajse nuk ekzistojmë", ka pohuar eksperti Vokshi. Po sipas tij, ka pasur dhe ka mekanizma juridikë ndërkombë- tarë për të aktivizuar kthimin e tyre. 

LAJÇI: NJË PJESË TË MADHE TË FAJIT E BARTIN EDHE INSTITUCIONET TONA

Kurse, Bashkim Lajçi, ekspert në fushën e etnologjisë, ka pohuar për "Kosova Sot", se lidhur me moskthimin e mbi 1200 artefakteve arkeologjike dhe etnologjike nga ana e Serbisë, s'do mend se një pjesë të madhe të fajit e bartin edhe institucionet tona. Ai ka pohuar se neglizhenca dhe mosinteresimi i duhur i institucioneve tona shtetërore kanë ndikuar që Serbia të ndihet komode dhe të mos e çajë kokën për artefaktet e grabitura, që i mban peng në Beograd. "E vetmja gjë që është bërë deri tani, nga ana e institucioneve tona për artefaktet, është prezantimi i disa posterëve dhe ndonjë deklaratë boshe nga ish-ministrat e Kulturës dhe këta të dialogut, duke mos marrë asnjë hap tjetër konkret, për ta vënë këtë pikë edhe në agjendën e bisedimeve", ka thënë ai, duke shtuar se po të kishte qenë Qeveria e Kosovës më e organizuar dhe më e përkushtuar në këtë drejtim, do të mund të kishte bërë më shumë. Ndërsa shkrimtari Ismet Tahiraj, duke folur rreth trashëgimisë sonë që është marrë nga Serbia, ka thënë për "Kosova Sot", se kthimi i saj në vend dhe mundësia e përfshirjes në bisedimet Kosovë- Serbi, varet nga agjenda e imponuar nga faktorët ndërkombëtarë, që përkufizojnë spektrin e bisedimeve. "Dihet shumë mirë se shumë artefakte arkeologjike tash janë në muzetë e Beogradit, por mos të harrojmë se edhe më parë nën ombrellën jugosllave nga ish -krahina e jonë shumë gjurmime arkeologjike ose janë mbyllur ose janë marrë artefakte gjoja për ekspertizë precize dhe ato eksponate janë harruar atje pa pasur kush guxim t'i lypin", ka thënë Tahiraj. Sipas Tahirajt, institucionet duhet ta denoncojnë ndërkombëtarisht Serbinë, pasi, sipas tij, me humbjen e atyre artefakteve, ne humbim mijëra vjet të historisë sonë.