Gjermanishtja po e lë në hije frëngjishten

  • 14 April 2018 - 10:59
Gjermanishtja po e lë në hije frëngjishten

Arsyetimi i drejtuesve dhe përpiluesve të kurrikulave kosovare është se, gjuha gjermane më shumë është perspektivë e kosovarëve, jo vetëm se po e kërkojnë për të shkuar të punojnë në Gjermani - si arsye kryesore, tregu i punës - por edhe për shkak të numrit shumë më të madh të mërgimtarëve të Kosovës, të cilët janë në Gjermani dhe në Zvicër

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Në faqen zyrtare të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, është dhënë lajmi se "është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Aleancën Franceze të Prishtinës. " Sipas këtij burimi zyrtar qeveritar, "qëllimi i këtij memorandumi është mbështetja financiare për projektet e "Promovimit të Frankofonisë në Kosovë" dhe bashkëpunimi në fushën e aktiviteteve për promovimin e Frankofonisë në Kosovë." Mjetet financiare thuhet se kapin një vlerë prej 4500 eurosh. Po kush është Aleanca Franceze e Prishtinës? "Aleanca Franceze e Prishtinë është shoqatë me të drejta lokale, e themeluar në vitin 2004 me emrin Qendra Kulturore Franceze, e cila më 2011 u shndërrua në Aleancë Franceze. Dhe tani Aleanca Franceze e Prishtinës është pjesë e rrjetit Alliance Française që koordinohet nga Fondacioni Alliance Française." (Shih për më shumë linkun vijues zyrtar të Rrjetit të Aleancës Franceze: http://www.afpristina.com/sq/index.php/kush-jemine/per-ta-njohur-me-mire-fondacioninalliance-francaise) Nëse do të kërkonim edhe më shumë rreth këtij organizimi frankofon, rrënjët do t'i gjenim që në pjesën e dytë të shekullit XIX, kur francezët donin të përhapnin kulturën e tyre në kolonitë e tyre që kishin dhe jashtë vendit në përgjithësi, për të promovuar kulturën, gjuhën dhe për të joshur të tjerët si shtet e kulturë. "Rrjeti i Aleancave Franceze është i shpërndarë në 136 vende, ka 40 delegacione të përgjithshme dhe ka 813 Aleanca Franceze në botë me më shumë se 538000 studentë. Aleanca Franceze ka tri misione kryesore : • Të propozojë kurse të frëngjishtes, në Francë dhe në botë, për të gjithë, • Të promovojë kulturën franceze dhe kulturat frankofone në të gjitha dimensionet, • Të favorizojë diversitetin kulturor duke vënë në pah të gjitha kulturat Për t'i realizuar qëllimet e saja, Fondacioni mbështet Aleancat Franceze duke iu dhënë ekspertizë pedagogjike dhe profesionale për një shërbim më cilësor."(po aty) Sipas të njëjtit burim të mësipërm, "Aleancat franceze kanë më shumë se 460 000 studentë. 8 000 profesorë punojnë në Aleancat franceze. Ata mësojnë më shumë se 492 461 studentë. Afër 6 milionë njerëz marrin pjesë çdo vit në manifestimet kulturore të organizuara nga Aleancat Franceze." (po aty) Duke qenë se francezët janë treguar shumë dashamirës për Kosovën, është njëfarë ndjenje mirënjohëse për të dhënë sadopak kontribut financiar, në promovimin e kulturës e gjuhës frënge, si shtet. Por në anën tjetër, duket pak interesante të ndihmosh si shtet aq i varfër, një shoqatë e cila vjen nga një shtet aq i fuqishëm në promovimin e kulturës së tyre frankofone. Në secilin variant, aq shumë diplomacia franceze ka mbështetur shtetin e Kosovës në rrugëtimin e saj, bombardimet e NATO-s e kështu me radhë, sakaq nuk mund të diskutohet më tej rreth arsyetimit apo jo të financimit nga MKRS për Aleancën Franceze të Prishtinës. Po ashtu, kjo aleancë ndërvepron me qytetarët e këtij vendi, qofshin krejt edhe frëngjishtfolës, frankofonë, profesorë të gjuhës frënge etj. Po ashtu, shumë kosovarë janë mirëpritur në Francë më shumë se askund tjetër, si azilkërkues. Por do të flasim se si pas krizës globale të vitit 2008, krizës greke dhe palëkundshmërisë së Gjermanisë në aspektin financiar dhe kërkimin e shtetasve edhe nga Ballkani përmes vizave të punës, gjuha gjermane është në mesin e gjuhëve më të kërkuara për t'u mësuar nga kosovarët.

GJUHA GJERMANE DHE FRËNGE NË KOSOVË

Përdorimin e gjuhëve të huaja në një shtet, i përcakton jo vetëm ligji për gjuhët zyrtare, por edhe sidomos fuqia e një shteti të huaj që tërheq shtetasit e shteteve të tjera, ta vlerësojnë me perspektivë ekonomike atë gjuhë. Pse gjuha frënge ishte dikur pjesë e kurrikuleve parauniversitare në Kosovë dhe tash po lëkundet? Trendët e rinj socio-ekonomikë po e lëvizin interesimin e kosovarëve për gjuhët e huaja. Gjuha frënge që mësonim ne gjatë viteve të '90-ta apo pas luftës, ishte e varur nga pushteti serb. Asokohe, Jugosllavia kishte raporte shumë miqësore me Francën, por edhe kjo e fundit, kishte dhe ka akoma edhe sot, dominim në BE dhe në glob. Por në dekadën e fundit në Kosovë, gjuha frënge ka shënuar rënie të mbështetjes institucionale dhe qytetare. Kam përcjellë shumë diskutime të ashpra të profesorëve të gjuhës frënge, por edhe kam mësuar për interesimin e madh të ambasadës franceze, për t'i përkrahur kërkesat e mësimdhënësve të gjuhës frënge, që në shkollat e mesme kosovare, gjuha frënge të mos disfavorizohet, ndonëse pa arritur qëllimet e paraqitura. Arsyetimi i drejtuesve dhe përpiluesve të kurrikulave kosovare është se, gjuha gjermane më shumë është perspektivë e kosovarëve, jo vetëm se po e kërkojnë për të shkuar të punojnë në Gjermani - si arsye kryesore, tregu i punës - por edhe për shkak të numrit shumë më të madh të mërgimtarëve të Kosovës, të cilët janë në Gjermani dhe Zvicër. Duke e përfshirë Zvicrën, duan të thonë se, gjermanofolësit sado kudo, merren vesh me zviceranofolësit. Kam parë disa profesorë të frëngjishtes në shkollat e qytetit tim, të cilët janë shumë të frustruar, të revoltuar dhe të pakënaqur me shmangien e përforcimit të mëtejshëm për të mësuar gjuhën frënge në shkollat kosovare. Ndonëse e kanë shqetësim vendin e tyre të punës si mësimdhënës - ngase heqja totale e gjuhës frënge, do t'i lërë pa punë në një moshë jo të pëlqyeshme, sikur është mosha 50 vjeç, - por në diskutimet private, e pranojnë se gjuha gjermane është më e rëndësishme për tregun e punës. Argumenti i tyre më i fuqishëm rreth gjuhës frënge është se ka pasur traditë të mësimit të gjuhës frënge në Kosovë edhe para luftës, edhe pas luftës, si dhe Franca është aleati i dytë pas Gjermanisë, si dy vendet më të fuqishme mike në Bashkimin Evropian. "Edhe sikur të mos ishte me rëndësi për tregun e punës, gjuha frënge, do të duhej të ishte e promovuar dhe e mbetur në kurrikulat shkollore kosovare, sepse me këtë e dëshmojmë para francezëve, se e duam gjuhën, kulturën dhe historinë e tyre. Në momentin që e heqim gjuhën frënge krejt nga kurrikula, atëherë, ne do ta shohim se do t'i hidhërojmë miqtë tanë francezë" - më thoshte një ditë një profesor i frëngjishtes, duke dashur të arsyetonte pse gjuha gjermane nuk duhet të 'rrezikon' përjashtimin total të gjuhës frënge nga kurrikula parauniversitare.

GJUHA GJERMANE NË KOSOVË

Vjetëve të fundit, gjuha gjermane është më se e kërkuar. Këtë ta thonë shumë kursistmbajtës të gjuhës gjermane, duke thënë se "hall nuk po munden t'i japin". Edhe më herët ka pasur interesim për gjuhën gjermane, por ka qenë më shumë karakteristikë motivuese për bashkime familjare, martesa të vajzave e djemve lokalë, me djem e vajza mërgimtare në Gjermani e Zvicër. Por ekziston edhe një përparësi për fuqizimin e gjuhës frënge, kur përmendet mërgata shqiptare në Zvicër, pasi që dihet se një nga kantonet dhe gjuhët më të fuqishme, si në Gjenevë e gjetiu, është frëngjishtja. Jo rastësisht, shumë mërgimtarë kosovarë, që jetojnë në Zvicër, kur vijnë në Kosovë, i dëgjojmë duke folur në gjuhën frënge, edhe pse nuk jetojnë në Francë. Gjuha franceze është e përhapur në shumë vende të botës, për shkak të ish kolonive franceze, dominimit të saj politik, ushtarak, kulturor dhe letrar etj. Po ashtu, Franca vazhdon ta ketë një politikë të mbrojtjes shtetërore dhe institucionale të gjuhës frënge. Kjo shprehet edhe te vetë francezët. Nëse shkoni në Francë, e shihni sa të rezervuar janë të flasin në gjuhën angleze dhe tendencat gjithmonë i kanë të flasin së pari frëngjisht sesa anglisht, edhe nëse e shohin se jeni i huaj. Edhe "Javët e Frankofonisë" në vendet e ndryshme jashtë Francës, e kanë për qëllim promovimin e gjuhës, kulturës e filmit francez. Çuditërisht apo paradoksalisht, mund të na shkon në mendje të themi edhe këtë: "Me trendët e rinj të dekadës së fundit, francezët mund të thonë se sa ishte Serbia këtu në Kosovë, gjuha frënge ishte pjesë e kurrikulave shkollore, ndërsa tash pas luftës, pavarësisht se i ndihmuam, për shkak të tregut të punës në Gjermani, gjermanishtja po e zëvendëson frëngjishten"! Paradoks apo jo?!

GJUHA ITALIANE NË QYTETIN E PEJËS DHE NË SHQIPËRI

Se gjuha e huaj është e ndikuar nga shumë faktorë politikë, socialë e gjeografikë, e kemi rastin e qytetit të Pejës. Shumë pejanë i dëgjoja të më thoshin se e dinin shumë mirë italishten. Nuk do mend se është e lehtë për ta shpjeguar: Pas luftës në Kosovë, ushtarët italianë ishin të shtrirë sidomos në rajonin e Dukagjinit, sikur që rajonin e Anamoravës, e dominonin pak francezët për kohë të shkurtër, dhe rusët po ashtu, por më pas e morën me shumicë, amerikanët. Prandaj, pejanët ndërvepronin më shpesh me ushtarët italianë; disa prej tyre donin të punonin si përkthyes me ta, e kështu me radhë. Në fillim shumë përkthyes vinin me KFOR-in edhe nga Maqedonia dhe Shqipëria, por më pas u bënë përkthyes, edhe punonjësit lokalë kosovarë. Por gjuhët italiane dhe greke, për shkak të afërsisë gjeografike dhe shumë fushave të tjera të ndërveprimit të Shqipërisë me Italinë dhe Greqinë fqinje, janë mjaft të përhapura vetëm në Shqipëri, por fare pak te kosovarët. Por nuk vlen ky parim i gjeografisë dhe fqinjësisë, gjithmonë dhe kudo. Shumica e gjeneratave të reja sot, nuk flasin gjuhën serbe, edhe pse i kemi fqinj. Kjo lidhet me politikën, të kaluarën dhe trendët e rinj të përqafimit të gjuhës angleze, si trend global; të gjuhës gjermane, si treg i punës, dhe kjo është më se interesante të përmendet, se si infermierët kosovarë, aq shumë po e mësojnë gjuhën gjermane, të punojnë më pas atje në Gjermani, ngase ky shtet ka nevojë të madhe për ta.

MT: GJUHA SUEDEZE NË MITROVICË

Por duke qenë se mërgata kosovare është e shpërndarë në vende të ndryshme evropiane, ashtu siç kanë qenë ngulitjet e familjeve të para nga qytete të ndryshme, ashtu edhe janë koncentruar në vende të ndryshme, edhe qytetarët e qyteteve të ndryshme të Kosovës. Gjatë verës, mund të dëgjoni shumë mitrovicas duke folur suedisht, sepse ka shumë nga ky qytet, sidomos në Suedi. Kjo nuk e përjashton faktin se nuk ka edhe nga qytetet e tjera kosovare, por për Suedinë, janë më të njohur mitrovicasit.

 

FUND

Duke qenë se Kosova gjithnjë e më shumë po e favorizon gjuhën angleze dhe gjermane, për shkak të trendit global dhe tregut të punës, duke e lënë mjaft anash gjuhën frënge me kurrikulat e reja parauniversitare, memorandumi i financimit të Aleancës Franceze në Prishtinë nga MKRS-ja, mund të shihet si një investim edhe diplomatik-kulturor dhe i tregimit të miqësisë kosovarefranceze. Prandaj, nuk po e shohim me ndonjë kritikë pse u bënë kosovarët aq të varfër, të ndihmojnë një shoqatë që vjen edhe me mbështetje të një kulture e shteti aq të pasur, si Franca! Tek e fundit, miqve tanë po ua heqim edhe gjuhën e tyre nga kurrikulat tona shkollore