A do të dalë Teatri nga kaosi ku është zhytur?

  • 19 April 2018 - 08:58
A do të dalë Teatri nga kaosi ku është zhytur?

NË PRITJE TË VENDIMEVE TË MËDHA 

Berisha: Do të merren vendime që do ta fusim Teatrin në rrugë të mbarë

Dorëheqja e aktores Kumrije Hoxha nga pozita e ushtrueses së detyrës së Drejtoreshës së Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka komplikuar edhe me zgjidhjen e problemeve me të cilat po përballet TKK-ja. Megjithatë, pritet që sot pasdite Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të mblidhet për të diskutuar situatën dhe, siç ka mësuar gazeta, pritet të dalin vendime të mëdha, të cilat mund t'i japin fund 'kaosit' që për shumë kohë ka mbërthyer institucion elitar kulturor në vend. Kjo është konfirmuar nga zyrtarë të TKK-së dhe KD-së së TKKsë. Ndërsa ekspertë dhe njohës të fushës së teatrit kanë thënë për "Kosova Sot", se institucionet duhet të ndërmarrin vendime të rëndë- sishme për të stabilizuar situatën në TKK.

Vendimet e pritshme

Në një prononcim për "Kosova Sot", zyrtarë të MKRS-së kanë thënë se ata besojnë në punën e Këshillit Drejtues të TKK-së dhe ripërsërisin që ky organ drejtues i TKK-së të caktojë shpejt pasardhësin e Hoxhës. Samir Hoxha, këshilltar në Kabinetin e ministrit të Kulturës, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se KDja do të merret me zgjedhjen e problemeve të Teatrit dhe që Ministria do ta mbështesin punën e tij. "Përzgjedhje e KD-së së TKK-së është në ingirencat e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar, andaj besoj fuqishëm se kjo çështje do të trajtohet me prioritet të larte nga ana e Këshillit Drejtues të këtij institucioni", ka thënë këshilltari Hoxha. Ndërsa, kryetarja e KD-së, Burbuqe Berisha, në një prononcim për "Kosova Sot", përmes telefonit, ka thënë se Këshilli do të mblidhet sot pasdite dhe do të merren vendime që do ta fusim Teatrin në rrugë të mbarë. "Këshilli do të mblidhemi sot, (e enjte) dhe nga aty pritet të dalin vendim në të mirë të Teatrit", ka thënë ajo. 

Kërkohen ndryshime rrënjësore

Në një prononcim për "Kosova Sot", krijuesi Bujar Meholli, ka thënë se Teatri Kombëtar prej kohësh është zhytur në probleme të mëdha, të cilat assesi s'po mund t'i kalojë. Kjo, ka thënë ai, si pasojë e menaxhimit të keq që po vazhdon të bëhet në këtë institucion, që kohët e fundit ka degraduar ndjeshëm. Ndërsa ka thënë se për ta kthyer Teatrin në binarë duhet të bëhet një ndërhyrje e menjëhershme. "E dimë se Teatri është shumë i rëndësishëm për jetën tonë kulturore, siç është rëndom në vendet perëndimore, veçse atje i kushtohet rëndësi e madhe dhe kujdes i veçante, që te ne prej vitesh mungon! Mendoj se do të duhej të ngritën të gjithë aktorët që janë pjesë e tij dhe të kërkojnë ndryshme rrënjësore për të mirën e Teatrit dhe kulturës sonë", ka thënë Meholli, duke shtuar se nga aty duhet të largohen menaxhmenti aktual dhe të vijë një tjetër që e ka në plan të parë të mirën e Teatrit dhe aktorëve te tij! Teatri, ka pohuar më tej Meholli, duhet të largohet nga politika një herë e mirë, në mënyrë që t'i kthehet shkëlqimi që e kishte dikur. Edhe regjisori Mahir Musliu, në një prononcim për "Kosova Sot", ditë më parë pati deklaruar se avaritë në Teatrin Kombëtar duhet të përfundojnë dhe Teatri t'i kthehet normalitetit. 

(Kosova Sot)