Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë NXJERR JASHTË 'MODE' LIBRIN

  • 23 April 2018 - 08:31
Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë NXJERR JASHTË 'MODE' LIBRIN

SOT SHËNOHET DITA BOTËRORE E LIBRIT 

Muharremi: Lexuesit librin e marrin veç kur kanë provime ose kur bëjnë ndonjë punë që nevojitet, ndërsa asnjëherë nuk e marrin për kohë të lirë të lexojnë 

Letërsia shqipe e Kosovës, pavarësisht se e vogël krahasuar me letërsitë e mëdha, vazhdon ta ketë një vend të veçantë brenda familjes botërore letrare. Edhe pse, mendimet sa i përket produksionit, zhvillimit të saj, vlerës së ofruar ende mbesin temë diskutim në mesin e krijuesve dhe studiuesve tanë letrare. Sidomos në vigjilje të festave apo ditëve të veçanta kur i kushtohet librit dhe krijimtarisë letrare. Edhe këtë viti, Dita e Librit, letërsinë shqipe dhe librin shqip e gjen, pa ndryshim të madhe. E, si e gjen kjo ditë, letërsinë shqipe këtë vit, krijuesit dhe studiuesit e letrave shqipe japin mendime të ndryshme.

Letërsia vazhdon të mbetet në krizë

Shkrimtari Zeqir Fazliu, një nga doajenët e arsimit shqip në Kosovës, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se letërsia shqipe mund të krahasohet me letërsitë e mëdha dhe, siç ka thënë ai, ato nuk mund të kenë ndikim në lexueshmërinë e letërsisë shqipe, sepse letërsia e mirë i përballon ato. Ndërsa ka dhënë vërejtje sa i përket përkthimit, meqë, siç ka thënë ai, përkthimin e letërsisë nuk po e bëjnë institutet tona, por individë të ndryshëm që ai, ajo, që ka para ka mundësi edhe të përkthehet. "Para disa ditësh patëm një promovim të një Antologjie nga Tirana në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë. Pjesëmarrja ishte e vogël, simbolike. Kritika letrare duhet të jetë më aktive,sepse po dalin edhe vepra me vlera jo të mira letrare", ka thënë shkrimtari Fazliu. Kurse studiuesi Ilir Sefaj, ka thënë për "Kosova Sot", se letërsia shqipe, e cila krijohet aktualisht në Kosovë, tash e gjatë kohë vazhdon të gjendet në krizë, dhe këtë fakt e diktojnë disa arsye. E para, ka thënë ai, brezi i ri i krijuesve të Kosovës, i ndikuar nga letërsitë e mëdha, kurrsesi nuk po arrin të krijojë një identitet të tij. Krijuesit tanë, sipas tij, sikur po harrojnë se në botën perëndimore ka sisteme të tjera vlerash, të cilat jo gjithnjë përkojnë me realitetin tonë të brishtë, siç pohon më tej Sefaj, dhe intenca për t'u dukur medoemos modern a postmodern po i fut ata në hermetizëm. "Komunikimi ose ndikimi i letërsisë shqipe të Kosovës dhe jo vetëm, në jetën shoqërore të vendit lë shumë për të dëshiruar, dhe kjo ilustrohet më së miri me faktin se krijuesit tanë nuk nxjerrin më shumë se 200 apo 300 ekzemplarë. Pra, ata janë të vetëdijshëm se arti i tyre nuk po arrin ta gjejë lexuesin", ka thënë ai, duke shtuar se ndër të tjera, këtë krizë të letërsisë shqipe të Kosovës e dikton edhe prirja për ta adhuruar atë që vjen nga jashtë, në veçanti përqendrimi i vëmendjes së lexuesit tonë tek nobelistët, por edhe te krijuesit "komercialë"."Një arsye tjetër dhe jo më pak e rëndësishme, e cila e mban larg letërsisë lexuesin tonë, por edhe lexuesin në përgjithësi, është zhvillimi i hovshëm i teknologjisë, zhvillim ky i cili bën që shpeshherë letërsia të duket jashtë mode dhe me ndikim minimalist", ka thënë krijuesi Sefaj.

Mungon ndihma e shtetit

Edhe Besian Zeneli, nënkryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ka pohuar për "Kosova Sot", se Dita Ndërkombëtare e Librit, letërsinë e Kosovës e gjen mjerisht në një situatë që lë për të dëshiruar. Sipas tij, pohimet se lexuesi po largohet ditaditës më shumë nga letërsia shqipe janë pohime që qëndrojnë, dhe siç ka thënë ai më tej, kjo vjen si pasojë e mosofrimit të asaj çfarë pjesa më e madhe e lexuesve preferon. "Po ashtu, ngufatja e madhe nga letërsia ndërkombëtare, pastaj dhe mungesa e madhe e ndihmës nga shteti dhe i gjithë aparati që duhej të ndihmonte dhe favorizonte letërsinë dhe autorin vendor", ka pohuar Zeneli. Kurse sa i përket përkthimit, ai ka thënë se gjendja është alarmante dhe shteti ynë ende nuk ka një fond për të ndihmuar dhe për të përkthyer autorët vendorë në gjuhë të huaja, përderisa ka pohuar më tej, shtetet e tjera e edhe rajoni punojnë jashtëzakonisht shumë në këtë drejtim. Kurse për Ilir Muharremin, lexuesi te ne pothuajse fare nuk ka qenë afër me librin. Sipas tij, lexuesit librin e marrin veç kur kanë provime ose kur bëjnë ndonjë punë që nevojitet, ndërsa asnjëherë nuk e marrin për kohë të lirë të lexojnë. "Letërsia jonë nuk ofron tema globale, e ato që i ofron na dërgojnë në të kaluarën. Unë nxora në drite një libër psiko-triler një zhanër i patrajtuar më parë te në. Një kontribut i vockël për letërsinë tonë me qëllim të lirohet nga shabllonet. Me këtë desha t'i thyeja tabutë dhe mendoj që arrita, sepse tashmë libri po pritet mirë. Njerëzit kanë nevojë për këso tema", ka thënë Muharremi, në një prononcim për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)