Prishtina mban rekordin e shkretëtirës kulturore

  • 24 April 2018 - 09:26
Prishtina mban rekordin e shkretëtirës kulturore

Topanica: Pushtetarët mendojnë se kultura nuk është një hallkë, në të cilën ia vlen të investohet

Kosova ka një bollëk komunash, por me fare pak aktivitete kulturore, që shpeshherë krijon përshtypjen e një shkretëtire kulturore. Me përjashtim të ndonjë aktiviteti, si festival; filmi, teatri, apo muzikë, jeta kulturore nëpër komunat e Kosovës pothuajse është inekzistente. Më së keqi, pavarësisht kushteve, qëndron kryeqyteti kosovar, ku gjithçka po shkon drejt dekulturalizimit. Një gjë e tillë është pohuar edhe nga njerëzit e kulturës. Sipas tyre, jeta kulturore në mbarë vendin është shumë e dobët, jo e pasur dhe pa gjallëri të duhur dhe kur kryeqyteti është aq pasiv,nuk mund të flasim më për qytetet e tjera me varfëri të thellë kulturore. mst : Komunat, trajtim të keq kulturës Regjisori Ben Apolloni, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se në përgjithësi Kosova mund të cilësohet si një shkretëtirë kulturore.

As Prishtina si kryeqytet, ka thënë ai, por as qytetet e tjera, nuk e trajtojnë kulturën të rëndësishme dhe nuk e vlerësojnë siç e meriton."Ndoshta nga gjithë qytetet e Kosovës një përjashtim e bën qyteti i Ferizajt, që më duket se është më aktivi, por edhe aty mungon kinemaja", ka thënë ai, duke shtuar se njerëzit që udhëheqin Ministrinë e Kulturës, por edhe ata që udhëheqin drejtoritë komunale për kulturë duhet ta kuptojnë se kultura është esenca e një shteti."Nëse duam të bëhemi evropianë, duhet të kulturohemi. Evropa ndryshe nuk na pranon, nuk na do", ka thënë ai. Ndërsa Emin Sahiti, menaxher në Ansamblin kryeqytetas "Bajram Curri", në një prononcim për "Kosova Sot", ka potencuar se zhvillimet kulturore në Prishtinë janë për keqardhje, çfarë, sic ka thënë ai, është duke ndodhur me jetën kulturore në kryeqytetin kosovar. Kjo po ndodh, kahënë ai, për arsye se nuk ka interesim për trashëgiminë kulturore dhe traditën dhe arsyeja tjetër që komuna nuk ka interesim për financimin e kulturës së mirëfilltë shqiptare, ku të rinjtë dhe të rejat të merren me këngë dhe valle shqiptare. "Por, si duket, këta janë të interesuar që t' i mbyllin këto ansamble, sidomos Ansamblin kulturo-artistik "BAJRAM CURRI" nga Prishtina, i cili ka një traditë 53- vjeçare. Kjo komunë është e vetmja në trojet shqiptare që nuk ka kurrfarë festivali të kulturës së mirëfilltë shqiptare. Kjo është një vrasje e kulturës shqiptare për fat të keq", ka thënë Sahiti. Prishtina, me mungesë aktivitetesh

Edhe Dafina Smajli, pedagoge dhe muzikologe, ka thënë se sa herë përmenden aktivitetet kulturore të gjithë sytë i kemi te Prishtina! Sipas saj, ka mungesë shumë të madhe të aktiviteteve kulturore në qytetet tjera të Kosovës, natyrisht Prishtina e ka fatin që sadopak të ketë ritëm më të shpejtë në këtë aspekt, edhe për shkak të infrastrukturës më të përgatitur që posedon për zhvillimin e këtyre ngjarjeve. Ajo ka thënë se duhet një plan vjetor të aktiviteteve që nga Prishtina të bartet edhe në qytetet e tjera një ekspozitë apo një shfaqje teatrale, një koncert."Disa komuna mundohen ndonjëherë, njëherë në vit, për të mos thënë hiq, por kjo nuk duhet të mbetet me kaq, duhet të merret dikasteri i kulturës me ketë çështje, sepse qytetarët e Kosovës e meritojnë të jenë më afër kulturës vendase apo edhe ndërkombëtare", ka pohuar Smajli.

Studiuesi Imer Topanica ka thënë se thellë, thellë margjinalizimi i artistëve nga jeta shoqërore, e për rrjedhojë edhe kjo mungesë aktivitetesh kulturore, ka të bëjë me një perceptim të përgjithshëm që mbizotëron në mendësinë tonë. Ai ka thënë se ata që qeverisin në nivelin qendror e lokal mendojnë që kultura nuk është një hallkë në të cilën ia vlen të investohet. Madje, shton Topanica, zyrtarët që udhëheqin drejtoritë relevante justifikohen për buxhet të ulët, të cilin e posedojnë, por ky nuk është arsyetim i qëndrueshëm. "Konsideroj që edhe me ato pak mjete do të mund të ngjallej jeta kulturore nëpër qytetet tona, sepse fundja e fundit nuk është problemi te buxheti i ndarë për këtë sektor, por tek menaxhimi i tij. Këtë mund ta themi edhe për sa i përket kryeqytetit, nuk është çudi se si përkundër koncentrimit të individualiteteve krijuese e artistike jeta kulturore mezi zvarritet", ka pohuar ai për "Kosova Sot".

Financimet kuturu Kurse Sabit Zeneli, aktor, ka pohuar për "Kosova Sot" se jeta kulturore nëpër komuna lëre që është e varfër, por pothuajse nuk ekziston fare. Kjo, shton ai, është si pasojë e politkëbërjes nëpër komuna, sepse dihet që drejtorët e drejtorive janë persona politikë dhe rrallë rastis që të jenë specialistë të fushës, të cilën e udhëheqin dhe shpeshherë si produkt i koalicioneve të partive politike."Drejtoritë e kulturës zakonisht u jepen partive të vogla, të cilët pastaj vazhdojnë avazin e atyre paraprakë dhe përpos ndonjë ore letrare që e mbajnë 'poetët e facebookut' nuk ka tjetër aktivitet", ka thënë ai, duke shtuar se duhet një mobilizim i shoqatave dhe presionin e tyre për ngjallje të aktiviteteve kulturore në mbarë vendin. Ai ka thënë se edhe Prishtina si kryeqytet është më e varfra me jetë kulturore në vendin tonë. Isa Vatovci 

(Kosova Sot)