Asnjë film i përbashkët kombëtar që "dridh" opinionin

  • 25 April 2018 - 08:54
Asnjë film i përbashkët kombëtar që

Bashkëpunimet Kosovë-Shqipëri në fushën e kinematografisë lënë shumë për të dëshiruar. Edhe më keq janë bashkëpunime ndërmjet vetë kineastëve apo produksioneve, të cilat më pak përjashtime nuk dihet që të kenë bërë një film të përbashkët me interes kombëtar që nga rënia e komunizmit. Përderisa kineasatët e vendeve të rajonit po intensifikojnë bashkëpunimet duke realizuar filma për interesa të tyre, ku nuk mungojnë edhe ata propagandistik dhe promovues, kineastët tanë gjithnjë e më shumë po i ikin nga njëri-tjetrit dhe realizimin e filmave me pak përjashtime e bëhen pasi të 'vjelin' buxhetin publik. Në një prononcim për "Kosova Sot", studiuesit dhe krijuesit tanë kanë thënë se ne kemi ngjarje të mëdha, reale, të cilat do na lakmonin regjisorët më të mëdhenj botërorë për t`i bërë filma të tyre.

Vetëm deklarata boshe të tipit "një komb një flamur"

Shkrimtari Ramadan Thaçi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se ne mburremi gjithnjë deklarativisht, një gjuhë, një komb, një flamur dhe siç ka pohuar më tej ai gjithherë kemi folur për shpresën e madhe të ribashkimit kombëtar kur ishim pjesa e okupuar e truallit shqiptar."Okupimi i trojeve tona, përmes dëbimit të popullsisë autoktone nga popujt ardhacak e barbar, ishte metoda më e rëndë që e përdorën kundër zhvillimit dhe emancipimit të popullit shqiptar", ka pohuar ai, duke shtuar se pas okupimit turk të trojeve shqiptare, ngjarjet e kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në gjysmën e dytë të shekullit XIX, janë temë në vete për skenar filmi, kur përmes krimeve dhe gjenocidit u dëbuan për gjithmonë dhe, përpara syve të popujve evropian popullsia shqiptare nga vendbanimet etnike, siç ka potencuar ai, deri tek gjenocidi dhe krimet shtetërore të Serbisë në fund të shekullit XX."Të gjitha këto ngjarje dhe, ngjarje të tjera si, Liria e fituar me sakrifica, ndërtimi i rrugës së kombit, lehtësisht mund të përdoren nga regjisor të mirënjohur ose edhe shtëpi kinematografike si dhe Ministritë e Kulturës Shqipëri Kosovë, për projekte të filmave të mëdhenj dhe dinjitoz. Temat ekzistojnë, por edhe libra të shkruar për ngjarje të tilla ekzistojnë, mungon vetëm vullneti, organizimi institucional", ka pohuar ai. Po sipas Thaçit, këto tema duhet të ruhen për nga realiteti dhe origjinaliteti, e kurrsesi skenarët t`i përshtaten interesave të caktuara politike, grupore ose edhe individuale në momentin e caktuar. "Në rastin e parë, filmat do të jenë afatshkurtër dhe pa ndonjë porosi të sinqertë për brezat që vijnë pas nesh, ndërsa në rastin e dytë filmat do të jenë me jetëë gjatë dhe real. Shembull një film i mrekullueshëm do të bëhej për dëbimet e vitit 1999, me skenar të një libri të krijuar në atë kohë dhe nga autor të sinqertë", thotë Thaçi, duke shtuar se te ne nuk punohet dhe nuk planifikohet për të ardhmen."E shikoni me sa përkushtim njerëzor u punua filmi i Skënderbeut, në një kohë të vjetër shekullin e kaluar, me teknik filmi të pazhvilluar, por puna ekipore e të gjithëve e bëri këtë film që të shikohet edhe sot me kureshtje dhe interesim. Sikur jemi të prirë të mos punojmë së bashku, të mos e respektojmë më të mirin, veprën e mirë, sikur jemi të fokusuar në interesa materiale", ka pohuar Thaçi për "Kosova Sot".

Na duhet bashkëpunim ideor e artistik

Kurse regjisori Mahir Musliu ka thënë se bashkëpunimi është shumëdimensional dhe se bashkëpunime financiare janë realizuar në të kaluarën në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Ai ka thënë se ka pasur projekte të cilat financiarisht janë mbështetur nga dy QKKtë, por neve na duhet bashkëpunimi ideor e artistik. "Kjo nënkupton që dy regjisorë apo skenaristë merren vesh rreth një koncepti regjisorial e ideor. Tema dhe ideja janë pikënisje në zhvillimin dhe dramatizimin e një skenari, i cili do të prekte një periudhë historike, biografike osetragjike të kalendarit tonë jetësor. Këtë nuk na ndalon askush ta bëjmë vetëm duhet punë, përkushtim dhe dinjitet në këto tema", ka pohuar Musliu për "Kosova Sot". Sipas tij, e keqja e artistëve tanë është se filmin e teatrin e konsiderojnë si hobi dhe shumica prej tyre kanë punë të tjera nëpër administratë e gjetiu, ndërsa për të përfituar sa më shumë materialisht ata zhyten edhe në film dhe teatër vetëm sa për t'i fituar ca para. Në art, shton Musliu, kur paraja del përpara veprës nuk ka sukses."Disa të tjerë punojnë nga dhjetë shfaqje dhe nga dy filma në vit dhe kjo është super energji, super kondicion i sasisë, e cila e mbyt cilësinë. Më habit ky kreativitet steril i disave që punojnë kështu. Kjo po sjell përsëritjen në stil dhe metodologjinë e punës", ka pohuar ai, duke shtuar se ndonjëherë është më mirë të punohet një vit e më shumë tek një film e gjysmë viti tek një shfaqje, në mënyrë që ajo të ketë sukses sesa të bëhen shumë shfaqje e shumë filma pa vlera. E aktori Naim Berisha ka thënë për "Kosova Sot" se bashkëpunimet me Shqipërinë në fushën e kinematografisë janë të domosdoshme për shkak se jemi një komb dhe na përbashkon e njëjta histori, kulturë dhe i njëjti mentalitet."Këto bashkëpunime (të munguara) duhet të kenë në epiqendër rritjen e kualitetit, duke bashkuar kuadrot më të mira dhe më adekuate të të dy vendeve për projektet e caktuara, por assesi të jenë të projektuara për të qenë bashkëpunime kozmetike, të grupeve të caktuara të interesit, të cilat në fokus nuk e kanë kualitetin, por përfitimet e tjera të natyrës joartistike", ka thënë ai për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)