Ligji për kinematografinë nuk i zgjidh problemet e filmit kosovar

  • 27 April 2018 - 08:26
Ligji për kinematografinë nuk i zgjidh problemet e filmit kosovar

PUSHTETARËT NUK KANË TREGUAR PËRKUSHTIM PËR ZHVILLIMIN E FILMIT

Musliu: Kinematografia konsiderohet interes nacional edhe në Francë

MKRS-ja ka nisur draftimin e projektligjit të ri për kinematografinë në vend. Tashmë është formuar edhe ekipi që do të marrë vërejtjet e dhëna në projektligj, i cili në prag të miratimit të tij në Parlament ishte tërhequr nga ish-ministri Kujtim Shala. Kështu kanë thënë në një prononcim për "Kosova Sot" zyrtarë të MKRS-së. Përderisa kineastët tanë japin mendime të ndryshme rreth nevojës apo jo të bërjes së një ligji të ri për kinematografinë në vend. Në një prononcim për "Kosova Sot", Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, ka thënë se MKRS-ja ka formuar ekipin punues, i cili është duke punuar në hartimin e koncept- dokumentit për kinematografinë, koncept ky i cili do t' i paraprijë draftimit të projektligjit."Drafti fillestar është përfunduar dhe i njëjti ka kaluar edhe në konsultime paraprake, shumë shpejt do të mblidhet ekipi punues dhe do t'i shqyrtojë komentet e dhëna (nëse ka) dhe pastaj draftin do ta procedojë për Qeverinë e Republikës së Kosovës për miratim", ka pohuar Hoxha, duke shtuar se ekipi që do të bëjë draftimin e projektligjit për kinematografinë përbëhet nga Arben Zharku, drejtor i QKK-së, kryesues; Feim Hoxha anëtar nga Departamenti Ligjor; Kamuran Goranci anëtar nga Departamenti i Kulturës; Servete Lika anëtare nga Divizioni i Financave; Albert Kurtulaj anëtar nga DIEKP dhe Vjosa Hoxha anëtare nga Sekretariati Koordinues i Qeverisë.

Për një garë të shëndoshë

Naim Berisha, aktor rezident në TKK, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se proceset shoqërore gjithmonë u paraprijnë iniciativave të hartimit të normativave ligjore, përfshirë hartimin dhe miratimin e ligjeve përkatëse. Pra, shton ai, ligji i vjetër për kinematografinë nuk është treguar edhe aq funksional, ngase nuk ka mundur të eliminojë çështjen e influencimit të grupeve të caktuara të interesit gjatë marrjes së vendimeve për projektet fituese, siç ka vazhduar ai, sidomos në konkurset e mbajtura në institucionet publike."Si për shembull Qendra Kinematografike e Kosovës ka nevojë për miratimin e një ligji të ri që rregullon në mënyrë më adekuate dhe funksionale këtë fushë, nëpërmjet të cilit do t'i jepej frymë- marrje garës së shëndoshë dhe të barabartë për të gjithë", ka thënë Berisha, duke shtuar se ligji i ardhshëm do të duhej të parashihte, veç tjerash, një mënyrë të re të përzgjedhjes se komisioneve vlerësuese, si dhe ta rregullojë në mënyrë më të thukët procesin e përzgjedhjes së projekteve filmike. Kurse regjisori Mahir Musliu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se së pari do të duhej bërë një vlerësim i ligjit aktual, të shikohet çfarë objektivash kemi arritur me këtë, e çfarë synojmë në të ardhmen. "Kam bindjen se kinematografia do të zhvillohet kur shteti ta shndërrojë në interes nacional. E kjo bëhet duke i kushtuar interes dhe vëmendje nga tërë institucionet e vendit. Vetëdijesim nga gjeneratat që vijnë e kjo bëhet vetëm atëherë kur nëpër bankat e shkollës fillohet të mësohet për filmin", ka thënë ai, duke vazhduar se sot kultura filmike zë një vend të rëndësishëm në jetën shoqërore të vendeve të zhvilluara, jorastësisht përmenden milionat që shpenzohen nëpër projekte të ndryshme. Në SHBA, ka pohuar më tej Musliu, kinematografia konsiderohet interes nacional, ashtu edhe në Francë e disa vende të tjera të botës. "Shpresoj se edhe ne po ecim këtyre shembujve të përvojave më të përparuara të globit. Aty ku mungojnë kinematë ka dekulturalizim e primitivizëm shoqëror", ka pohuar Musliu.

Filmit i duhen para

Gani Mehmetaj, kritik, publicist dhe drejtor i "Kosova Filmit", në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se vendit i duhen shumë gjëra të tjera para ligjit për kinematografi. Ndërkaq, shton ai, filmit i duhen para, sepse kot bëhet ligji i ri kur nuk ka para sa duhen. "Por prapë është mirë që ligji të përgatitet mirë e të mos nxitojmë, sepse ligji duhet të bëhet për interesin e përgjithshëm e jo për interesa grupesh", ka pohuar ai. Edhe regjisori Ben Apolloni ka thënë se vendi nuk ka nevojë për një ligj të ri për kinematografinë, por për respektim të ligjit aktual. "Nuk jam i mendimit që Kosova ka nevojë për ligje të reja, por jam i bindur që ka nevojë për njerëz kompetentë dhe kreativë në krye të QKK-së. Jam i bindur që edhe ky ligj është shumë i mirë, por që kurrë nuk është respektuar", ka thënë Apolloni. Sipas tij, është e kotë të ndërrohen ligjet, më parë duhet ndërruar mentaliteti qeverisës dhe qasja ndaj kulturës, e në veçanti kinematografisë.

(Kosova Sot)