Me kë e mashtronte gruan dhe si vdiq legjenda e Kung-fusë?

  • 13 May 2018 - 14:40
Me kë e mashtronte gruan dhe si vdiq legjenda e Kung-fusë?

KRITIKË E LIBRIT "BRUCE LEE: A LIFE", TË AUTORIT MATTHEW POLLY

Bruce Lee vdiq derisa ishte me njërën prej dashnoreve të tij

SHKRUAN: DANIEL BATES 

Bruce Lee ishte po aq i talentuar në shtrat, sa që ishte në sportet luftarake, bën me dije një libër i shkruar rreth tij. Libri biografik mbi legjendën e kung-fusë, thotë sesi aktorja Sharon Farrell kishte përjetuar kënaqësi aq të madhe me Lee-n, sa që thoshte se 'ai më ktheu mbrapshtë, meqë e njihte për mrekulli trupin tim'. Edhe pse ishte i martuar me Linda Emery-n, me të cilën kishte dy fëmijë, Bruce Lee nuk përtonte të lidhej edhe me femra të tjera. Nuk është vështirë të thuhet pse femrat çmendeshin pas tij. Kishte 32 vjet, por trupin e kishte si të një 18 vjeçi, falë ushtrimeve të rregullta dhe ushqimeve proteinike.

'NUK JAM I SHENJTË'

Edhe vetë aktori në një rast kishte pranuar se 'nuk jam i shenjtë', kur flitet për jetën e dashurisë. Thuhet se ai i bënte femrat për vete me anë të lëvizjeve të tij kung-fu, si dhe vallëzimit cha-cha. Bile, ai edhe u bë synet, në mënyrë që të bëhej më 'amerikan'. Përkundër asaj se ai njihej si njeri koti dhe arrogant, femrat nuk mund ta refuzonin, meqë, sikur që thotë një gjermane bionde, ai kishte një 'magnetizëm të papërshkruar'. Bruce vdiq në moshën 32 vjeçe, në vitin 1973, vetëm pak javë pas lëshimit të filmit "Enter the Dragon", filmit të parë të madh kung-fu, me produksion perëndimor. Ky film e shndërroi atë në një ikonë kulturore, njoftoi botën me filozofinë e tij Taoiste dhe ua hapi dyert sporteve luftarake në perëndim. Por, në jetë Bruce nuk ishte aq i matur, sa në film dhe asnjëherë nuk ia doli që, në tërësi, ta kontrollonte temperamentin e tij si dhe dëshirën që ta kishte kontrollin në duart e veta. Libri, i cili pretendon që të jetë biografia e parë autoritative e Bruce Lee-s, që nga vdekja e tij, thotë se Bruce mësoi nga Steve McQueen që të kontrollonte çdo gjë në skenë, si dhe të ishte i rrethuar me zoçka të të gjitha moshave dhe llojeve.

BRUCE ISHTE MASHKULLI ME TRUPIN MË TË BUKUR

Në vitin 1969 Bruce ishte këshilltar për filmin "The Wrecking Crew", kur u takua me aktoren Farrell. Asokohe gruaja e tij sapo kishte lindur fëmijën e tyre të dytë, vajzën Shannon. Farrell tregon se Bruce ishte mashkulli me trupin më të bukur, nga të gjithë meshkujt që ajo kishte pasur. "Ai ishte një dashnor i mrekullueshëm, meqë e njihte shumë mirë trupin e femrës", thotë ajo. Kjo lidhje zhvillohej sipas kërkesave dhe tekave të tij, e Farrell ishte një dashnore e bindur. Por, ajo e la Bruce-n për Steve McQueen-in. "Bruce ishte i martuar dhe nuk kishte asgjë, as edhe një oturak për të përshurrë në të, derisa Steve ishte i suksesshëm. Ai ishte mbrojtësi im. Por, edhe pasi që u lidha me Steve-n, mund të them se Bruce mbeti dashuria e jetës sime", thotë Farrell. Libri tregon sesi Bruce pati një aferë edhe me kolegen e tij nga filmi "Way of the Dragon", Nora Miao, edhe pse ajo kurrë nuk e ka konfirmuar, por as demantuar një gjë të tillë. Por, dashnorja më e njohur e Bruce Lees ishte Betty Ting Pei, e cila u njoh me të gjatë xhirimit të filmit "Way of the Dragon". Me këtë të dashur Bruce nuk mërzitej fare nëse e shihnin të tjerët, prandaj e merrte atë edhe në vendet publike. Gjatë viteve 1970, filmat "Way of the Dragon" dhe "Game of Death" e shndërruan Bruce-n në yllin më të madh në Hong Kong dhe në personin më të famshëm në Azinë juglindore. Kjo ia siguroi atij ftesën nga "Warner Bros", për ta bërë filmin "Enter the Dragon". Se si gruaja e aktorit ballafaqohej me aventurat e shpeshta të burrit të saj me femra të tjera, nuk dihet me saktësi. 

I PËLQENTE LIDHJET ME FEMRAT E BUKURA

E lindur me emrin Linda Emery në Sietëll, ajo u rrit në një familje baptiste, e cila ishte kundër martesave të përziera. Libri citon vëllain e vogël të Bruce-s, Robert Lee, i cili tregon se, përkundër asaj që Bruce, derisa ishte beqar, pëlqente të kishte lidhje me femra të bukura dhe 'me mish', ai në fakt u martua me një vajzë të heshtur dhe të ndjeshme, e cila dinte si ta dëgjonte dhe e linte që të bënte çka të donte ai'. Këtë e thotë edhe vet Bruce në një intervistë të vitit 1966: 'Linda është më orientale sesa disa kineze që unë i njoh. Ajo është e heshtur dhe nuk llomotitë gjatë tërë kohës", transmeton "Kosova Sot Online". Libri e përshkruan Lindën, tani 73 vjeçe, me një fjalor më diplomatik, si "partnere e përkryer për një njeri të shkëlqyeshëm dhe ekstrovert". Miku i tyre, Taky Kimura, thotë: 'Askush nuk ia ka pranuar Lindës meritat e saj. Kjo grua ka qenë një mbështetje tepër e fortë për aktorin". Bruce Lee lindi si Lee Jun-fan në San Francisko, në vitin1940. I ati i tij ishte këngëtar opere dhe aktor, derisa e ëma e tij, Grace Ho, ishte figurë publike në Hong Kong, ku edhe u rrit Bruce. Si i ri Bruce ishte një delinkuent, për çka edhe u përjashtua nga shkolla katolike. Si i ri, Bruce u paraqit në disa filma, por prindërit e tij ia ndalën karrierën në film, meqë nuk ishin të kënaqur me notat e dobëta të tij. Meqë ishte shtetas amerikan, Bruce vendosi që të kthehej në SHBA dhe ta bënte një jetë të pavarur. Derisa punonte si enëlarës, ai mësoi vallëzimin cha-cha, për çka e admironin shumë femrat. Në kohë të lirë studionte artet, apo sportet luftarake. Ai zhvilloi stilin e vet personal, meqë mendonte se shkollat tradicionale ishin tepër rigide. Në anën shpirtërore, ai u dha pas filozofisë Taoiste. Në fillim mori role të vogla në seritë TV, sikur që ishte "Longstreet", për të vazhduar më pas në ekranin e madh, duke u bërë legjendë. Punonte tepër shumë. Në maj të vitit 1973 atij i ra të fikët, pasi që kishte punuar në një ambient pa qarkullim të ajrit. Mjeku e diagnostikoi me ënjtje të trurit. Dy muaj më pas, ai vdiq.  

 

(Kosova Sot)