Eugent Bushpepa meritoi më shumë

  • 14 May 2018 - 08:37
Eugent Bushpepa meritoi më shumë

SHQIPTARËT NË "EVROVIZION 2018" 

Edicioni i sivjetmë i Evrovizionit, i 63-ti me radhë, i mbyllur dy ditë më parë ishte më i veçanti. Jo për shkak të prurjeve, cilësisë apo ndonjë kriteri të veçantë. Por, për shkak se në finale të tij, arritën tre këngëtarë shqiptarë, por që përfaqë- suan shtete të ndryshme. Njëri Shqipërinë, Eugent Bushpepa, e dy të tjerët shtetet e tjera, Italinë, dhe Qipron. Megjithatë, edhe edicioni i këtij viti i Evrovizionit nuk doli nga ata të kaluarit sa i përket vlerësimit, ku votimet politike dhe fqinjësore nuk munguan. Kështu kanë thënë në një prononcim për "Kosova Sot" njerëzit e skenës muzikore. Sipas tyre, Shqipëri ka merituar të paktin vendin e 5 -të, por 'mbeti viktimë' e votimeve politike dhe fqinjësore. Ndërkohë që Bushpepa zuri vendin e 11-të, vendin e dytë në finalen e së shtunës mbrëma u rendit shqiptarja Eleni Foureira, e cila përfaqësonte Qipron, kurse shqiptari tjetër Ermal Meta, i cili bashkë me Fabrizio Moron përfaqësonin Italinë, zunë vendin e pestë. 

U pëlqye kënga shqiptare

Muzikantja Dafina Smajli, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se e veçanta e këtij festivali është pikërisht fakti se në këtë natë e gjithë Evropa bëhet së bashku, duke dëgjuar performime këngëtarësh nga zhanret më të ndryshme muzikore evropiane, duke përfshirë këtu, siç ka thënë ajo, pop, rock, rap, folk, danceetj. Secili shtet, shton Smajli, zgjedh një këngë që i përfaqëson ata, duke shpresuar kështu që kënga të jetë ajo e duhura, më e pëlqyera. "Shqipëria meritoi të ishte në 5-shen e parë, sepse kënga kishte potencial, po ashtu edhe këngëtari si pikë të fortë zërin me një timbër të shkëlqyer. Personalisht jam e zhgënjyer me pikët për të cilat tashmë dihet Eurovisioni nuk është gjë tjetër veçse politikë, ku secili vend voton për atë vend që ka miqësi më shumë me të p.sh., Franca voton Monakon, Spanja-Portugalinë, Greqia-Rusinë etj", ka thënë ajo, duke shtuar se shpreson që në të ardhmen këto influenca të zhduken, them që kënga jonë është kënga më me tematikë, domethënie, muzikalitet, dhe kësaj radhe s'ka se si të mos pëlqehet. "Gjithsesi është mëkat një këngë kaq e bukur e punuar me përkushtim një artist me përqendrim total, një përcjellje po ashtu shumë me nivel të mos vlerësohet maksimalisht", ka pohuar ajo. 

Image

Tre shqiptarë për tri shtete

Edhe këngëtari Visar Peja ka thënë për "Kosova Sot", se përfaqësuesi i Shqipërisë meritonte të ishte më lart sesa u zgjodh. Sipas tij, si çdo vit Evrovizioni nuk po sjell ndonjë risi që është për t'u përmend! Por, shton ai, ky vit për ne shqiptarët ishte pak më ndryshe, sepse kishim tre përfaqësues për tre shtete, me çka, sipas Pejës, dëshmon potencialin tonë artistik! "Ishte diçka madhështore dhe krenari për ne! Kënga fituese edhe në sondazhe ishte favorite, por mendoj që Eugent Bushpepa ishte i denjë për vendin e parë, ndoshta mund të tingëllojë subjektive, por ky ishte vlerësimi im!", ka potencuar Peja.

Kompozitori Gashi, shumë parodi në Eurovizionin 2018

Kompozitori, Xhevdet Gashi ka thënë për “Kosova Sot”, se si herëve tjera, edhe këtë herë kishte këngë, siç ka thënë ai, parodike dhe këngë me përmbajtje muzikore. Kësaj radhe, ka shtuar ai,  kishte më tepër nga këto të dytat. Ndërsa ka shtuar se mirë që të tre shqiptarët patën këngë dhe interpretim shumë të mirë. „Kishte vokale shumë të mira. Krahasimi është i pamundur sepse zhanret ishin të ndryshme. Sipas shijes sime, Bushpepa ishte vokali më i mirë i festivalit. Kënga e Izraelit sipas mendimit tim, ishte në kategorinë e "parodive”“, ka shtuar Gashi

Kantautori Klinaku, Izraeli fitoi me meritë

Kurse Kantautori, Hysni Klinaku, ka pohuar për „Kosova Sot“, se edicioni i këtij viti , t i ketë pëlqyer shumë, ngas sipas tij, ka qenë një spektakël i nivelit! Edhe votimi, sic ka thënë ai,  përjashtim në ndonjë rast, aty këtu, ka qenë korrekt, fqinjët nuk kanë votuar për fqinj! „Pjesëmarrja e tre artistëve shqiptar, edhe njëherë tregon se ne si individ jemi të fortë, por nuk kemi organizim, dështojmë në ekip! Mund të them se që të tre kanë qenë në nivel të lart të interpretimit dhe përfaqësuan shtetet të forta Eguent Bushpepa është një artist i kompletuar me vokal të jashtëzakonshëm. Mendoi se deri më tani sa i përket Shqipërisë, vetëm Rona ka qenë si prezantim më i mirë Ndërsa mendoi që Izraeli me meritë e fitoi Evrovizionin 2018”, ka pohuar Klinaku, për “Kosova Sot”.

 

Eurovizioni, një festival kontrovers

Kurse, krijuesi dhe muzikanti Bujar Meholli, ka thënë për "Kosova Sot", se edicioni i sivjetmë i Festivalit Evropian të këngës ishte i veçantë për shkakun se morën pjesë tre shqiptarë dhe për këtë natyrisht u mburrëm të gjithë ne. Megjithatë, ka thënë ai, ky festival prej kohësh është kontrovers. "Kjo për faktin se çdo vit më shumë rëndësi po i kushtohet komercializmit, politikës, sesa artit dhe vlerave që ai shpërfaq. Se kombi ynë është anashkaluar e dëshmojnë edhe edicionet e mëhershme, në të cilat me gjithë performancat e mira s'kemi dalë, se s'kemi dalë fitues, më shumë për shkak të rrethanave politike, jo për mungesë të vlerave artistike!", ka pohuar ai. Po sipas tij, në finalen e mbrëmshme, patëm tri performanca mbresëlënëse nga shqiptarët tanë, por që çuditërisht asnjëra syresh s'i përmbushi kriteret e Evropës, për të dalë fituese! Dhe në fund, ka shtuar më tej ai, fitoi ajo që dorën në zemër është pritur më së paku, sepse në krahasim fjala vjen me shqiptaren (që përfaqësonte Qipron) Eleni Foureiran, izraelitja ishte më e dobët. "Shto këtu përfaqësuesit e shteteve të tjera që e merituan ta fitojnë çmimin e këtij viti, si: Shqipëria me Eugent Bushpepën që pati interpretim të mirë, me një këngë të realizuar bukur, Gjermania me një artist fantastik, Italia po ashtu, Holanda, Austria, Çekia e Suedia. Por, ja që befasitë e Eurosongut vazhdojnë çdo vit, dhe edhe në edicionit e 63-të vendosi t'i japë çmimin Izraelit për njërën apo tjetrën arsye, mirëpo jo pse kënga e Netta Barzilai pati ndonjë vlerë të mirëfilltë apo diçka të veçantë në të", ka potencuar ai, duke shtuar se kjo ishte veçse befasia e radhës! Nata finale, e Eurovizionit të 63-të, ka thënë ai, ishte interesant se patëm tre shqiptarë, dhe kështu iu tregua botës se dimë të bëjmë art, dhe se përkundër që s'jemi komb i madh kemi emra që mund të konkurrojnë lirisht me emrat e kombeve të mëdha evropiane. 

(Kosova Sot)