EKSPOZITA BAZË NË MUZEUN E KOSOVË, ME NJË MAL TË METASH

  • 19 May 2018 - 10:20
EKSPOZITA BAZË NË MUZEUN E KOSOVË, ME NJË MAL TË METASH

"Puna për rregullimin - ndërtimin e ekspozitës ka filluar shumë vonë dhe arkeologët e parahistorisë janë ftuar tepër vonë, vetëm një muaj para hapjes dhe natyrisht ne kemi kërkuar kohën e mjaftueshme për punë", ka pohuar arkeologu Shafi Gashi, duke shtuar se Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës dhe disa anëtarë të grupit punues i kanë marrë joseriozisht vërejtjet e disa profesionistëve se një ekspozitë (edhe me standard më të ulët ) nuk mund të përgatitet për dy muaj

E hapur për të shënuar një moment të rëndësishëm të Historisë së Kosovës, në 10- vjetorin e shtetit, ekspozita Bazë e përhershme në Muzeun e Kosovë, është përcjellë më shumë mangësi, të meta dhe pa elementet e rëndësishme, të cilat duhet të përcjellin një ekspozitë të këtij rangu. Duke mos arritur të prezantohet synimi i nisur shumë vjet më parë për një ekspozitë të përhershme, që do të prezantojë historinë e Kosovës, që nga antikiteti e deri më sot. Kështu kanë thënë ekspertë dhe njohës të fushës së trashëgimisë, në një prononcim për "Kosova Sot". Sipas tyre, qysh në fillim kur është marrë vendimi për një ekspozitë të tillë janë vërejtur anomalitë për të vazhduar deri në përfundimin e projekti. Ndërsa drejtues të institucioneve dhe ekspertë kanë thënë për "Kosova Sot" se pavarësisht të metave që mund ta kenë përcjellë ekspozitën janë arritur rezultate të mira, sidomos sa i përket vizitueshmërisë duke arritur 7 mijë veta.

EKSPOZITA JASHTË STANDARDEVE

Arkeologu Shafi Gashi, aktualisht kryetari i Këshillit të Kosovës për trashëgimisë kulturore, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se ekspozita Bazë e Muzeut të Kosovës ishte hapur në një ditë të veçantë për qytetarët e Kosovës dhe si projekt, ka filluar në fillim të vitit 2017, nën mandatin e ministrit Kujtim Shala, i cili kishte themeluar një grupi punues për hartimin e Koncept- Dizajnit. Në këtë grup punues, ka thënë ai, nuk ka pasur gjithëpërfshirje , e sidomos arkeologët e parahistorisë janë lënë tërësisht anash. "Puna për rregullimin - ndërtimin e ekspozitës ka filluar shumë vonë dhe arkeologët e parahistorisë janë ftuar tepër vonë, vetëm një muaj para hapjes së dhe natyrisht ne kemi kërkuar kohën e mjaftueshme për punë", ka pohuar ai Gashi, duke shtuar se Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës dhe disa anë- tarë të grupit punues i kanë marrë joseriozisht vërejtjet e disa profesionistëve se një ekspozitë (edhe me standard më të ulët ) nuk mund te përgatitet për dy muaj. Ekspozita, ka potencuar më tej ai, ka ekstrem shumë të meta, e veçanërisht pjesa e parahistorisë për faktin, siç është shprehur më tej arkeologu Gashi, se së pari ka koleksion shumë më të mirë për këtë periudhë, pastaj vitrinat ku janë vendosur artefaktet dhe ndriçimi janë joadekuate. Po sipas tij, nuk ka as edhe të vetmin shpjegim në lidhje me funksionin, datimin dhe shumë informacione që duhet t'i ketë. Pasi, siç është shprehur ai, sot përmes artefakteve dhe kontestit të gjetjes së tyre bëhen përpjekje të ndërtohet e kaluara jonë, që do të thotë se ekspozita ofron tepër pakë informacione edukativo-arsimore dhe periudha e dardanëve dhe Dardanisë mungon tërësisht . "IAK ka një koleksion shumë të mirë pothuajse për të gjitha periudhat, por është lënë anash dhe vetëm në disa ditë para hapjes, DTK-së i ka rënë në mend që t'u bëjë ftesë arkeologëve të këtij institucioni. Në ekspozitë ka ende shumë punë për t'u bërë dhe shpresoj që ministri Gashi do të marrë masa të nevojshme dhe do të na përkrahë që në ekspozita kryesore të Republikës së Kosovës të angazhohen specialistët më të mirë dhe aty të ekspozohet koleksioni më i mirë, e sidomos ai i periudhës Iliro- Dardane, që është lënë tërësisht anash", ka thënë Shafi Gashi.

Kritiku Ilir Muharremi, profesor në UP, ka thënë për "Kosova Sot", se kjo ekspozitë që në fillim kishte defekte në vendosjen e vitrinave, të cilat ishin shumë të mëdha në raport me eksponatet. "Pastaj, datimi i enëve ishte i gabuar. Përshkrimet mungonin. Emërtimet ishin qesharake, konkretisht te buqeta e Adem Jasharit, figuron mbiemri Jjashari, me shkronjën e parë të vogël, etj", ka thënë ai

EKSPOZITA U VIZITUA NGA 7 MIJË VETA

Ndërsa Enver Rexha, drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, ka pohuar se pavarësisht kritikave dhe vërejtjeve, të cilat mund t'i ketë pasur edhe ai, ka mbetur i kënaqur me Ekspozitën Bazë të Muzeut të Kosovës, ku një hise ka edhe Instituti që ai drejton. Sipas tij, çështja e hapjes së një ekspozite të përhershme në muze ka më se 10 vjet që ka nisur dhe sipas tij, kjo ekspozitë ka një rëndësi, pasi në 10- vjetorin e shteti bëhet një ekspozitë për të treguar vlerat e rralla dhe të vlefshme të trashëgimisë. Ai ka thënë se vërejtjet lidhur me ekspozitën janë më se normale, pasi sipas tij, mund të jetë e mangët, etj, por, për fillim këto janë mundësitë e institucioneve tona. "Mendoj se është bërë hapi i parë i mirë, ato vlera që janë, ekspozita që, sipas meje, do të plotësohet herë pas here me gjetje dhe artefakte të tjera. Për mua kjo ekspozitë dhe puna e bërë është për t'u vlerësuar dhe natyrisht se kritika do të merren parasysh dhe sigurisht se do të eliminohen. Edhe unë kamë pakënaqësitë mia, por meqë është e para nuk i kam shpërfaqur", ka thënë Rexha. Kurse drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, ka thënë për "Kosova Sot", se ekspozita bazë e përhershme në Muzeun e Kosovës është një dhuratë që i është bërë vendit me rastin e 10- vjetorit të pavarësisë , dhe Muzeut i ka sjellë më se 7 mijë vizitorë dhe më shumë se gjysma janë deklaruar të kënaqur me ekspozitën dhe se kjo është gjysma e procesit, pasi, siç ka thënë ai, disa herë është deklaruar se kjo është një platformë në zhvillim, një bazë ë mirë, siç ka pohuar më tej ai, e cila ka nevojë për kontribute nga më të ndryshmet të institucioneve të specializuara, por edhe të gjithë atyre që mund të kontribuojnë në të mirë të muzeut. Ndërsa ka thënë se ajo që ata i bënë ndjehet për faktin se më shumë se dy muaj e gjysmë që nga hapja e ekspozitës Bazë të përhershme, është rritur kualiteti i vlerësimit të vizitorëve. 

(Kosova Sot)