Një bust dhe një minimuze për Paçakun

  • 19 May 2018 - 10:26
Një bust dhe një minimuze për Paçakun

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Kujtim Paçaku ishte përfaqësimi më i lartë i arritur ndonjëherë në Kosovë nga komuniteti rom, për nga vlerat politike, intelektuale, kulturore dhe letrare

Kujtim Paçakun e kam takuar një herë në jetë në një organizim letrar nga Qendra Multimedia, International Literature Festival, e njohur si "Polip" . Një libër të tij për gjuhën rome e kam hasur edhe në Bibliotekën e Qytetit tim, të cilën për disa vjet e frekuentoj me kënaqësi. Disa poezi të tij i kam lexuar në librat që botoheshin nga Multimedia dhe antologjitë e poetëve nga Ballkani e më gjerë. Disa poezi të tij elegjike dhe me karakter social e universal janë shpërndarë gjithandej rrjeteve sociale pak orës pas lajmit për vdekjen e Paçakut, por shumë prej tyre i kisha lexuar edhe më herët. Përnjëmend poezitë e tij janë tejkalim edhe i nivelit artistik të dhjetëra poetëve të tjerë që qarkullojnë në hapësirën tonë, qofshin shqiptarë, apo me përkatësi tjetër kombëtare. Kujtimi ishte i veçantë për nivelin e tij të lartë letraro-filozofik, sfondin e tij prej disa pozitave/profesioneve/punëve të vyeshme në politikë, kulturë e gazetari, por edhe për këtë: erdhi nga komuniteti i margjinalizuar rom, me histori të dhimbshme, të përpjekjeve titanike për mbijetesë historike nëpër periudha të vështira dhe akoma mbetet komuniteti më i varfër në Kosovë, më i paarsimuari, më i diskriminuari, më i etiketuari dhe më i talluri. Ndonjëherë çfarë e bën të diskriminuar këtë komunitet, është edhe fakti se ka aq shumë batuta me buzëqeshje të lehta, sakaq nuk dallohet ku është 'dashuria' për ta dhe ku shtrihet 'neveria' e paragjykimi i pacipë! Diskriminimi, stereotipizimi dhe paragjykimi nuk bëhet sikur me pjesë- tarët e komuniteteve të tjera, sepse kjo do të thoshte se ky komunitet ka shumë trashëgimi materiale dhe shpirtërore, të cilën mund ta përbaltosin më konkretisht! Natyrisht se nuk ka diskriminim, sa ka stereotipa dhe paragjykime, dhe këto shpesh ngatërrohen në mes vete. Gjersa diskriminimi është sjellje apo veprim përjashtues, stereotipi është përgjithësim, ndërsa paragjykimi, qëndrim kryesisht negativ ndaj dikujt me bazë përkatësinë në një grup të caktuar shoqëror, apo se vjen nga një territor, krahinë apo rajon i caktuar. Distanca sociale më e rëndë për romët është se janë të papastër, sesa që janë me ngjyrë të zezë! Por paragjykime, stereotipa dhe diskriminime ndaj familjeve të varfra dhe me papastërti ekstreme, ka edhe ndaj atyre shqiptarëve me status të ulët socio-ekonomik, dhe këtu bëhet pastaj fjalë edhe për raporte komplekse: diskriminim dhe klasë, sesa diskriminim dhe etni! Prandaj, ndonjëherë edhe gabojmë kur menduakemi se ekziston urrejtja ndaj romëve vetëm se janë romë, e jo edhe se janë të varfër e jetojnë në mjedise të papastra! Shumë familje shqiptare nuk do të donin t'i kishin romët në lagjet e tyre jo vetëm se janë romë, me ngjyrë të errët në trup, por sepse konsiderohen si të papastër dhe janë 'përshtatur me mënyrën e jetesës edhe të rrethuar me mbeturina'! Natyrisht se këto janë stereotipa dhe paragjykime deri në 'fashizëm teorik', se "nuk bën me shti farën e magjupit në shtëpi", por vetëm po mundohemi t'i fusim edhe kategoritë e tjera në këtë diskriminim etnik, sikur është kategoria e klasës!

TË NDALOHET LOJA FASHISTE: "KUSH LIVRIT, ËSHTË MAGJUP!"

Është një lojë e poshtër, për të cilën jemi indinjuar me një edukatore në një shkollë publike, e cila nuk reagonte fare kur nxënësit e saj luanin jashtë orës mësimore, lojën fashiste: "…Hup-shkllup/nën kauç/kush livrit/është magjup"! Ajo nuk ishte e vëmendshme, apo nuk e dëgjonte, por duhet njëherë e përgjithmonë, të gjithë edukatorët e mësimdhënësit, ta ndalojnë këtë lojë, sikurse edhe t'i jepet porosia edhe prindërve, ta heqin qafe këtë lojë tradicionale raciste! A nuk duhet fshirë nga kujtesa e brezave të rinj e të vjetër këtë lojë diskriminuese ndaj romëve? Pse qenka keq të jesh rom? Pse nuk po u dashka pikërisht të lëvizim e ta prishim lojën, sepse ai që lëviz realisht është fituesi i lojës, e jo ata që nuk lëvizin!

EDUKIMI, JETA DHE PROFESIONI I PAÇAKUT

Kujtim Paçaku, ish-deputet, poet e gazetar rom, e përmbyste krejt botëkuptimin aq të rremë, të papranueshëm, të dënueshëm, se romët gjatë gjithë jetës janë analfabetë, pa arsimim, jo inteligjentë, e të papastër! Kujtimi ishte ekzemplari më praktik, që tregon për të mijtën herë, se romët jo vetëm mund ta tejkalojnë 'vetveten', apo statusin e tyre aktual e të pafavorshëm, por edhe t'i tejkalojnë shkrimtarët shqiptarë me fuqinë e tyre krijuese. Njëherë e përgjithmonë, po e mësojmë si specie se, më shumë se ndonjë kod gjenetik dhe determinizëm biologjik, na kanë kushtëzuar rrethanat historike, inferioriteti historik, shtypjet, luftërat e humbura, numri i vogël i banorëve për t'i rezistuar trupave me numër më të madh se ushtria jonë e shtizave, shigjetave e heshtave! Iniciativa e Historisë Gojore apo Orale ka bërë një intervistë të shkëlqyeshme me Kujtim Paçakun. Në përgjigjet e tij rreth fëmijërisë së tij, Paçaku shprehet: "Jam djalë i katërt, i parafundit i familjes sime Paçaku, prej babës Durmishit dhe nënës Seime. Që të pesë fëmijë babai im na ka shkolluar të themi me një pagë të atëhershme. Që të pestit jemi me diploma universitare. Mundemi rrallë me has tek komuniteti rom këtë shembull, falë çdo herë Zotit edhe babait tim, i cili si telefonist i mirë fokusin kryesor, apo të gjitha paratë që i kishte i ka derdhë gjithmonë në libra dhe fletore për ne. Vëllai ka kryer kimi- fizikën, motra ime e ndjerë e dyta ka kryer ekonominë, motra ime tjetra Hamdia ka kryer ... është inxhiniere e diplomuar, pastaj unë, dhe e ndjera motra ime tjetër ka kryer anglishten. Do të thotë tani jemi dy vëllezër e një motër." (Intervistë me Kujtim Paçakun nga Jeta Rexha, më 1 nëntor 2014, në Prizren. Për më shumë, lexoni intervistën e tij të plotë, në linkun: http://oralhistorykosovo.org/wp-content/uploads/2016/05/Kujtim_Pacaku _SQ_finale.pdf) Paçaku në këtë intervistë tregon se si që në moshën e hershme, ishte angazhuar në shoqatat e ndryshme kulturore dhe radio-gazetari: "… Në vitin 1969, bëhet një revolucion kulturor në Kosovë. Krijohet organizatat e para kulturore. Si e përmendëm "Durmish Aslano" në Prizren, Shoqata Rome në Prishtinë, "Nerudimka" në Ferizaj, njëra në Pejë e kështu me radhë. Çka ishte që në '86-tën, unë jam i pari që hap dyert e radios, këtë ishte e paevituar në Radio Prizren. Fillon emisioni i parë në gjuhën rome ndoshta edhe në Evropë. Edhe pa kurrfarë bllokade para veti, nëemisionin e parë unë kam thënë "Lacho dive romalen me se e Durmishesko chavo o Kujtimi, ka kerva i emisija pi rromani chib!" "Mirëdita njerëz, unë jam Kujtim Paçaku, djali i Durmishit dhe do të fillojmë emisionin në gjuhën rome"."(po aty) Paçaku nga burimi i njëjtë i informacionit, tregonte se ishte shumëdimensional. Ishte marrë edhe me aktrim, edhe me dramë; edhe me politikë, ishte këshilltar i ish-presidentit Fatmir Sejdiut, deputet, studiues i romishtes etj. Ai kishte magjistruar në pedagogjinë e muzikës, duke thënë se ishte "pothuajse magjistri i parë i diplomuar".(po aty) Kishte shkruar libra edhe për gjuhën rome dhe po ashtu veprat e tij me poezi ishin përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Rrëfimi i tij jetësor në këtë intervistë ishte elegjik, përveç kur tregonte edhe me poezitë e tij, si "Ngjyra": "Unë dy herë kam marrë për poezi vendin e parë. N'mesin e tyre ka qenë edhe poezia e paevitueshme, "Ngjyra". T'ju them se poezitë e mia janë përkthyer mbi 12-13 gjuhë botërore edhe në gjuhën kineze. Por "Ngjyra"... askush nuk e ka evituar "Ngjyrën". E kanë pëlqyer "Ngjyrën", sepse kemi menduar... unë kam menduar që përmes poezisë "Ngjyra" do t'i them së paku paragjykimet. Ngjyra e zezë a po?... që na karakterizon (qesh). Do t'i them paragjykimet, auto-paragjykimet që unë jam i zi s'guxoj të takohem me Jetën {i referohet intervistueses}, Jeta ma e bardhë se unë..." (po aty) Në poezinë e tij "Ngjyra", Paçaku e shpreh më fuqishëm se çfarë do të thoshte të ishte njeri me ngjyrë në këtë truall. "Pse frigohesh, pse fshihesh?/Të vjen turp nga ngjyra e lëkurës tënde?/ O njeri!/Edhe ty, edhe mua, edhe ata të tjerë/Na ka krijuar Zoti. Dëgjo!/Nën ngjyrën e lëkurës tënde ke të fshehur një ylber, mu brenda shpirtit tënd./Andaj, kokën lart!" Kujtimi ishte dëshmia se si poezia e tij adhurohet nga lexuesit e të gjitha përkatësive etnike dhe vetëm në dhomën time fejsbukiane, dhjetëra shokë e shoqe i kishin ndarë poezitë e Kujtimit, fill pas vdekjes së tij. Ishte bërë epik edhe fjalimi i tij reagues ndaj rrëshqitjeve dhe shkarjeve raciste ndaj romëve, në aferën e përgjimeve të publikuara "Pronto", ku romët ishin ndjerë me të drejtë të fyer nga ai lloj komunikimi

. NJË BUST DHE MINIMUZE PËR PAÇAKUN

Pothuajse, Kujtim Paçaku ishte përfaqësimi më i lartë i arritur ndonjëherë në Kosovë nga komuniteti rom, për nga vlerat politike, intelektuale, kulturore dhe letrare. E mbajmë në mend kur për herë të parë pas luftës, dilnin emrat e përfaqësuesve dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga komunitetet e ndryshme, por edhe rome. Ka qenë shumë i dashur "Haxhi Merxha", por niveli i tij intelektual dhe formësimi i tij i përgjithshëm ka qenë dukshëm më larg Kujtim Paçakut. Prandaj, Paçaku duhet të ruhet si kujtesë jo vetëm për komunitetin rom, por për tërë Kosovën, duke e bërë bustin e tij në Prizren si dhe një minimuze në Prishtinë, ku do të ekspozoheshin gjërat e tij materiale, librat, fotografitë, rrobat, gjësendet e ruajtura nga familjarët e kështu me radhë. Ai ka tejkaluar frymëzimin vetëm për komunitetin rom, duke u pranuar nga shoqëria e gjerë shqiptare dhe nga shumë vende e kultura të tjera të huaja, si një vlerë njerëzore universale. Prizreni duke qenë fëmijëria e tij, do të ishte më interesante të bëhej busti atje, ndërsa duke qenë se një kohë të madhe të veprimtarisë së tij politike dhe letrare e bëri në Prishtinë, të hapej një minimuze në kryeqytet. Ose-ose, të bëhej muze vetë shtëpia ose vendi ku ishte lindur ai - e jo në kryeqytet, si dhe të kompensohej nga shteti prona që do të shndërrohej në muze, në rast se do të ishte pronë e familjarëve ose dikujt tjetër në kohën e sotme. Prehu në paqe, Kujtim! Të gjithë të kanë dashur!

(Kosova Sot)