LIBRI NUK HAHET

  • 19 May 2018 - 11:12
LIBRI NUK HAHET

SHKRUAN: FATMIR LOHJA

Zoti ministër, në çdo takim, na e përsërit se e dëgjon me vëmendje zërin e sovranit

Me fillimin e punës, për ministrin e ri, në oqeanin opinionistik lundruan, fjalët më të mira. Ka studiuar në Holandën e largët. Më i miri kursit. Holandezët kanë dashur ta mbajnë pedagog në fakultet, por ai nuk e ka pranuar, se dëshiron t'i shërbejë me përkushtim, mëmëdheut. E të tjera, e të tjera, secila fjalë më ëmbël se tjetra, sa edhe poetet u bënë xhelozë. Fat i madh, kur të drejton një erudit. Në aeroportin e Rinasit ju dorëzuan me ceremoni zyrtare, çelësat e zyrës së ministrisë. Një skeptik, konservator, e lëshoi një thënie:" Nuk ka asnjë ditë punë, dhe ka pranuar të bëhet ministër!?"Jeta e ka treguar se ka njerëz konservator dhe modern. Shumë herë përplasen fort në mes tyre, për zhvillimin e shoqërisë. Në prezantimin mediatik, na e bëri më se të qartë se ai vetë është me të renë dhe për konservatorët nuk do të ketë vend në dikaster. Skeptikun-konservator, se kush e paditi, nuk u mor vesh !? Pas tre ditëve e hodhi në rrugë, për këtë na njoftuan zyrtarisht. Na erdhi shumë keq për hallexhiun, se është specialist i shkëlqyer dhe një koleg bashkëpunues. Edhe për ne, pasiguria për të mbajtur vendin e punës , u fut në palcë. Zoti ministër, nga një spiunllëk, apo nga ndonjë fjalë e lëshuar pa kujdes, të përcakton me siguri matematikore, në se je konservator apo modern.

SI KRITER U VU EDHE MILITANTIZMI NDAJ PARTIS

Ë Ministria filloi të lëvizë. U hapën e u mbyllën shumë drejtori, për t'i ngjarë motrës së saj, në Holandë. Më pëlqen e reja, por me karar. Në ndryshimin e personelit, u vu si kriter edhe militantizmi ndaj partisë, aspak e ngjashme me motrën holandeze. U hap një këshillë në korridoret e dikasterit: "Mos i dil përpara ministrit të nderuar! Po nuk i pëlqeve, kur të sheh për herë të parë, edhe kryeministri nuk të kthen më në punë, se i ka dhënë kompetenca të plota, për ta nxjerrë në dritë, ministrinë tone!" Si specialist i vjetër, më digjej xhani të takohesha me shefin, për ta parë, edhe dëgjuar live, erudicionin e tij. I kam dobësi të diturit. Kur takoj ndonjë nga ata, nuk u shqitem pa u kënaqur si thonë," tamam-tamam". Frika e mospëlqimit ma bënte shtatë. Për të bukur nuk e kam mbajtur veten asnjëherë. Edhe sot çuditem se çfarë ka pëlqyer nusja tek unë! Në mbledhjet e dikasterit strukesha në rreshtat e fundit, dhe nuk e merrja informacionin e plotë, për t'u bindur për erudicionin e tij. "Mali me mal nuk takohen". Vartësi nuk ka nga shkon, pa u takuar me shefin. Një ditë, në mëngjes, më njoftuan, se më priste në mesditë,për t'i raportuar në zyrë. U përgatita me përkushtim, edhe seriozitet maksimal, për të qenë i gatshëm, për t'i dhënë çdo informacion. Eksperienca 30-vjeçare, si profesionist, nuk ma lejon të hezitoj në dhënien e shifrave, të sektorit ku punoj.

EMOCIONET E SHUMTA

Më në fundi erdhi edhe takimi i shumëpritur. Pata shumë emocione, ndonëse mundohesha ta qetësoj veten, me arsyetimin se ai është afërsisht në moshë, me djalin tim të madh. Sekretaria me uli në një karrige, sepse zoti ministër e kishte dike brenda. Me kalimin e kohës, djersë të ftohta, edhe të nxehta ma përshkonin trupin. Nuk mund të vendosja në se duhej ta hiqja , apo mos ta heqja xhaketën ,të cilën ma bleu nusja,sapo mori vesh se na është ndryshuar komandanti në dikaster. Në atë gjysmë ore pritje, çfarë nuk më shkonte në mendje." E ka me të mira,apo me hile?"- ishte pyetja kryesore që më shqetësonte. Me ministrin nuk jam takuar më përpara, ndërsa prindërit ja kam njohur prej shume vitesh. Babi me universitet për shofer, pra me patentë nafte në xhep. Shofer autobusi, prej shumë vitesh, në linjën e unazës, në kryeqytet. E ëma shtëpiake, pas ardhjes së demokracisë. Kur u mbyll fabrika shtetërore, i dhanë një vit asistencë sociale. Më pas, nuk mundi të integrohej në punë tjetër. Kam shumë respekt për ata, edhe sot. Nga e kaluara e shihja veten të mbrojtur. Për spiunët aktual, nuk e dija se çfarë konsiderate kanë për mua. Zoti ministër, në çdo takim, na e përsërit, se e dëgjon me vëmendje zërin e sovranit. Dera më se fundmi u hap. Befasisht , më shfaqet një top-modele, me stërminifund, dhe me gojën e hapur pash më pash. Sytë, që ia rrezatonin lumturinë e sapokaluar, u tkurren kur më panë mua. Kush e di se si i jam dukur unë mjerani? U ngrita për të shkuar në takim. Nuk më la sekretaria. Duhej të prisja, kur të merrte ajo urdhër nga shefi. Pas pak çastesh u dëgjua një zile. Sekretaria u ngrit në këmbë si me telekomandë. U mundua të rregullonte uniformën e lehtë pupël. Kur u bind, se qe mirë, ndonëse e brishtë, me shumë energji, u fut te zyra e shefit. Prit se po del, si për inat dera nuk jepte asnjë sinjal. Kaloi kohë bukur mirë, kur sekretaria doli e lumturuar, identik si shoqja e saj. Ka mbaruar djali i botës në Holandë, ku vitrinat e shitoreve, pa u errësuar, zëvendësohen me vasha, secila më e bukur se shoqja. A ke para, se janë të gatshme ,për ta bërë qejfin, që ta mbash mend, tërë jetën? Duke rregulluar uniformën eksituese, ma bëri me kokë, se tani mund të hyja te shefi i madh. U futa me këmbën e djathtë, me xhaketën veshur dhe kollare në qafë. Ministrit ja mbulonte shtatin këmisha e bardhë dëborë, pa xhaketë edhe kollare, identik si kryeministri grek. Edhe unë kollaren e kam mjaft bezdi në qafë. I dhashë dorën me emocione frenetike. U ula ku më urdhëroi. E ndjeva djersitjen në trup. • Ç'i ke ato dokumente në duar?- më pyeti me zë të hollë grash. • Kam të gjitha shifrat, për t'u dhënë informacion të bollshëm,- i përgjigjem, me zërin tim natyral, bariton. Bubullima, e tonalitetit të zërit tim, e pashë mirë, që e shqetësoi. Fërkoi të dy veshët me bezdi. E hëngra mendova në çast, por jo për fajin tim. Tingulli i burrave mesdhetare është larg me ëmbëlsinë nordikëve. Ata flasin në akorde minorë, ndërsa ne këndojmë në maxhor. • Më kanë informuar se shkruani? Kur dëgjova pyetjen, mu davariten retë e dyshimit, se më ka thirrur me keqdashje. Në dosje e kisha futur një kopje të romanit tim të fundit. E nxora, dhe pa e nënshkruar ja shfaqa në sy. Nga xhepi i brendshëm i xhaketës nxora një stilolaps. Fillova të shkruaj një përkushtim të rastit, siç e bëj zakonisht, kur dhuroj një libër . • Çfarë po shkruan? • Po nënshkruaj dhuratën time modeste, që e kam rastësisht me vete,- i përgjigjem. • Kërkon të më korruptosh? • Jo. As më shkon ndërmend. Libri është aq fisnik, sa nuk i përfill, ndërhyrjet si nga lart, ashtu edhe nga poshtë,-i përgjigjem me buzëqeshje të pasigurt. • Libri nuk hahet! Me ta dëgjuar shprehjen, m'u mbush mendja, se holandezi paska humor. Po i jepja dorën e fundit librit, me tregime humoristike. Truri dhe penda prej muajsh shkapeteshin me dallgët e replikave të holla, të humoristëve anonim. Me pasion, u përgatita ta vazhdoj linjën e tij. E pranoja me qejf, që temat t'i përcaktonte ai, ndërsa unë të isha i gatshëm në replikë. Nuk e mendova aspak, se z. ministër, në zyrën e tij, po shkelte të drejtat e njeriut, se po përcaktonte temat, përkundrazi do të njihja veten ,se sa i zoti jam në replikë. • Bukur zoti ministër. Libri as nuk hahet e as nuk pihet,- fillova ti mbaj ison. - Me të dëgjuar e kam, thonë se edhe.. qentë nuk e hanë. • Më ke bën shaka ti? - u dëgjua zëri i hollë, në tonalitet lart. • Më pëlqeu humori i juaj, prandaj replikova në të njëjtën linjë,- i përgjigjem disi i habitur. • Nuk bëj shaka në vendin e punës! Si të shkon ndërmend, të më flasësh me këtë gjuhë?- ma bëri pyetjen me nerva shumë. U binda se po aktron holandisht. Për anglezët e di sa kanë humor të shkëlqyer, ndërsa për holandezët nuk kisha ndonjë informacion. Komshi janë, duhet të këna marrë e dhënë me njëri-tjetrin, e mendova në çast. Holandezët krenohen në botë, për shkollën e pikturës, ndërsa letërsinë e tyre pak e njoh.  Edhe fëmijët e kopshtin e dinë zoti ministër, se libri vetëm lexohet, - e vazhdova humorin, me temën e sugjeruar nga ai. • Të ndaloj të flasësh! Zbatova urdhrin duke e parë në dritë të syrit. Mirë unë i urdhëruari, po edhe i gjithëdituri rrinte si guak. Nuk po vëreja as zgjuarsi të lindur,e as akumulim diturish. Binte në sy, fryrja e gjelave të detit holandezë, që bëhen mbi njëzet kilogram, dhe vetëkënaqësia e arritjeve të menjëhershme, sa po më vinte keq për pozicionin e tij. • Përse më keni thirrur?- e pyes pas një heshtje të gjatë dhe shumë të bezdisshme.- Informacion për punën nuk doni. Librin si dhuratë nuk e pranoni, se e urreni. • Më vjen mirë që jeni shkrimtar. Dua ta nxis pasionin tuaj,me kushtin që t'i shërbeni sa më mirë punës sonë , - u binda se shefi u fut prapë në rol. • Shkruaj letërsi artistike, me tendenca humoristke, - fillova ta sqaroj ngadalë- ngadalë, për t'i dhënë kohë vetes, për t'u përgatitur, për temën e radhës, që do të sugjeronte shefi i madh. • Po publicistikë? • Me publicistikë jam marrë në rini. Kur nuk jam në krijim artistik, e përqendrues ndonjëherë edhe në publicistikë. • Tani e tutje, si në letërsi edhe në publicistikë, temat do t'i marrësh nga unë!- urdhëroi me seriozitet maksimal. • Në profesion jam ekonomist. Sipas këtij urdhri, kërkoni të më ndërroni vendin e punës?- e quk me delikatesë. • Jo. Ta sugjeroj këtë këshillë, në se dëshironi ta mbani vendin e punës. • Zoti ministër, a keni dëgjuar ndonjëherë për muzat, e grekëve të lashtë?- e pa pritur përgjigje vazhdova.- Muzat janë nëntë vajzat e Zeusit. Pse janë secila më e bukur se tjetra piktorët kanë dëshirë t'i paraqesin nudo. Ato jetojnë në Olimp. Klioja i këndon të shkuarës, Melpomeni tragjedisë, Talia komedisë,……… A e ndiqni horoskopin zoti ministër?- e kapa krejtësisht të papërgatitur. • E ndjek çdo ditë,- më përgjigjet me siguri. • Mbajeni mend, se Uranija, qiellorja, është muza e astronomisë! • Ku i ke mësuar këto përralla. • I kam lexuar në libra zoti ministër. Unë i çarravitëm Talijes. Më lë t'i avitëm,por ende nuk me ka lënë ta prek me dorë. Thonë se kur muzat mbarsen me tokësorët, lindin artistët e mëdhenj. Në Shqipëri i kanë dy fëmijë. • Cilët?- më pyeti me kureshtje fëmijë. • Të ndjerin Dritëroi Agolli, poetin e kombit, dhe shkrimtarin me përmasa botërore, Ismail Kadare. • Për të parin jam dakord, për të dytin mos ma zë me gojë!- më urdhëroi. • Me që i keni zët librat, me shkrimtarin e madh ku jeni prishur?- nuk m'u durua pa e pyetur. • Nuk e pëlqejnë shefat ,- u përgjigj ,shkurt. • A mund të ma thoni me sinqeritet, pse jeni prishur kaq shumë me librin? Se çfarë më dëgjuan veshët nga eruditi," Birë, Selman i nënës, kë të qaj më përpara".Sipas tij, ai që lexon libra në mijëvjeçarin e ri, ndonëse nuk e kam fiksuar mirë, por e sigurt është se gjendet në mes arkaikut dhe mitikut,pra shumë e shumë kohë më përpara se konservatorët. Librin e paska skeduar në biblioteka telefoni satelitor në bashkëpunim me internetin. Sot nuk paska nevojë të lexosh libra,të mbash skeda. Çfarë kërkon, e gjen në çast, në gogle. T'i rekomandoja, se kur lexon librat mund ta formulosh pyetjen e saktë, e më pas mund të fillosh kërkimet burimore, pata cazë frikë, për vendin e punës, ndonëse 95% isha i bindur, se qeshë ndarë me atë. E tha me gojën e vet. Edhe shkollën e kishte mbaruar online, pa e prekur me dorë një libër. Ai fliste kundra librit, unë shtrëngoja dhëmbët, deri sa e bëra gjuhën gjak. • Do ta pranosh porosinë time, se ma lodhe kokën!- e mbush me vështirësi me frymë. • Me të dëgjuar e kam. Helsinki bie më pranë Holandës se Shqipërisë? • Nuk ta kanë thënë keq. Çfarë lidhje ka me bisedën tonë? • Në atë qytet të bukur janë nënshkruar kartat, nga shumë udhëheqës të botës, me qëllimin e mirë, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. • Sa budallallëqe kanë brenda ato karta, aq të mira qofshin. Do ta pranosh apo nuk do ta pranosh kompromisin tim? T'u them se gjendesha në mes reales së prekshme, dhe sureales të ngritur nga servile, është pak. Edhe unë, ende nuk jam i bindur se ke të besoj." Punët e mira bëhen dalë e ngadalë," - ka thënë Gjergj Mullaga, pa u shpikur ende elektriciteti. • Do ta provoj.- e thashë këtë përgjigje, për të mos u pushuar në vend nga puna.- Ju lutem, ma sugjeroni temën e parë të shkrimit,- i futa tinëzisht karremin , në një grep fort të vogël. • Tani më pëlqen. U fute në shina. Do të bashkëpunojmë mirë. Ta fillojmë me temën:"Jehona e ardhje sime nga bankat e Universitetit Holandez, si ministër në atdhe." Në ndarje ma dha dorën me shumë dashamirësi. E urova veten, që u ndava hijshëm. Shatra-patra shkova në shtëpi. Kur e mora veten bukurmirë, nuk m'u durua pa e shkruar këtë tregim, me temën e urdhëruar nga eruditi ynë. A do ta pëlqejë? Varet nga erudicioni i tij. Unë urdhrin e zbatova me korrektësi. 

(Kosova Sot)