Romansierët kosovarë, inferiorë ndaj atyre në Shqipëri

  • 24 May 2018 - 08:36
Romansierët kosovarë, inferiorë ndaj atyre në Shqipëri

Muharremi: Tematikat, si te ne ashtu edhe në Shqipëri, kanë defekte në krahasim me evropianët 

"Romani kosovar ndër vite ka pësuar rënie të dukshme, në cilësi. Nga autorë, si: Adem Demaçi, Nazmi Rrahmani, Ymer Shkreli e të tjerë, që e nisën romanin kosovar -sot, fatkeqësisht, nuk ka autorë të mirëfilltë që e kultivojnë këtë zhanër letrar, ose ka fare pak", është shprehur krijuesi Bujar Meholli për gazetën "Kosova Sot" 

Letërsia shqipe, e krijuar në Kosovë, ende mbetet larg përfshirjes në gara për çmime në konkurset letrare në Shqipëri, sidomos kur është në konkurset për romanin. Pavarësisht se letërsia shqipe, e krijuar në Kosovë në dekadën e fundit, ka shënuar një bum, veçmas në gjininë e prozës. Që nga pas lufta bashkëpunimet kulturore në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, edhe pse të nisura me shumë premtime kanë çaluar shumë, duke mos përjashtuar edhe fushën letrare. Me pak përjashtime, shumëçka është arritur në bazë të lidhjeve dhe interesave të ndryshme. Për krijuesit dhe studiuesit tanë, letërsia shqipe është një, pavarësisht se ku krijohet dhe vlerat duhet të çmohen njëlloj. Edhe pse ka disa barriera që pengojnë vlerësimin gjithëkombëtar nëpër konkurset letrare. Por, sipas tyre, sido që të jetë konkurset prestigjioze si ai, "Kadare", e ndonjë tjetër duhet të ketë 'vend' për gjithë shkrimtarët e hapësirës shqiptare. Edhe pse, sipas tyre, ende ka vend për kritika në këtë drejtim.

Romancieri Ilir Muharremi, profesor në UP, i cili ka shënuar një sukses me romanin e tij, "Psycho", ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se autorët shqiptarë nga Kosova gjithmonë janë ndjerë inferiorë karshi atyre të Shqipërisë 

Mahir Morina, krijues dhe studiues, ka thënë për "Kosova Sot", se raportet dhe zhvillimet kulturore e letrare janë rrjedhojë e raporteve historike e politike të shoqërive tona, rrjedhimisht Tirana ka udhëhequr arsyeshëm proceset kulturore kombëtare

Muharremi: Në Kosovë ka romansierë të mirë

Romancieri Ilir Muharremi, profesor në UP, i cili ka shënuar një sukses me romanin e tij, "Psycho", ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se autorët shqiptarë nga Kosova gjithmonë janë ndjerë inferiorë karshi atyre të Shqipërisë. Përderisa, sipas tij, Kosova ka mjaft romancierë të mirë. "Gjithmonë ne ndiheshim si inferiorë krahas me ta, por e kundërta ka ndodhur kur ishin në pyetje romancierët nga Shqipëria. Në Kosovë ka romancierë të mirë", ka thënë ai, duke shtuar se letërsia shqipe e Kosovës ka kaluar dhe provuar shumë më herët lirinë e saj dhe krahas me artin krijuesit tanë ishin më të hapur derisa ata kultivonin në komunizëm dhe, siç ka pohuar ai, ende edhe sot veprat e tyre nuk ringjallen nga komunizmi. "Tematikat, si te ne ashtu edhe në Shqipëri, kanë defekte në krahasim me evropianët. Artistët e rinj po lirohen. Romani im "Psycho" nuk i përket Ballkanit, është global, sepse frymojmë global", ka potencuar Muharreni. Ndërsa Mahir Morina, krijues dhe studiues, ka thënë për "Kosova Sot", se raportet dhe zhvillimet kulturore e letrare janë rrjedhojë e raporteve historike e politike të shoqërive tona, rrjedhimisht Tirana ka udhëhequr arsyeshëm proceset kulturore kombëtare. "Por, kjo udhëheqje sikur ka krijuar një komoditet, ku bashkëpunimet janë më shumë një konkurs për formë sesa përmbajtje, dhe vetiu ka krijuar pozicion vetëpunues", ka thënë Morina.

Meholli: Romani kosovar ndër vite ka pësuar rënie të dukshme në cilësi

Në këtë frymë, ka pohuar më tej krijuesi Morina, veprat letrare jashtë Tiranës, përfillen brenda forcës së këtyre raporteve dhe bindjeve. "Duke qenë të mbyllur për rrethin me idenë e identifikimit të vetes, kjo pikëpamje ndikon direkt në mospjesëmarrjen e letërsisë së Kosovës në vlerësime", ka pohuar ai për "Kosova Sot". Ndërsa krijuesi Bujar Meholli ka thënë për "Kosova Sot" se romani kosovar ndër vite ka pësuar rënie të dukshme, në cilësi. Sipas tij, nga autorë, si Adem Demaçi, Nazmi Rrahmani, Ymer Shkreli e të tjerë, që e nisën romanin kosovar - sot, fatkeqësisht nuk ka autorë të mirëfilltë që e kultivojnë këtë zhanër letrar, ose ka fare pak! "Mendoj se kjo është njëra ndër arsyet kryesore, pse në Shqipëri nuk përfshihen autorët kosovarë për t'u futur në garë për ndonjë çmim letrar, qoftë ky edhe çmimi "Kadare"", ka pohuar Meholli, për "Kosova Sot". 

 

(Kosova Sot)