PUNIMET SHKEL E SHKO, MILIONAT SHKUAN HUQ

  • 26 May 2018 - 10:13
PUNIMET SHKEL E SHKO, MILIONAT SHKUAN HUQ

Institucionet shtetërore kanë nxjerrë në harresë premtimet prej dekadash për bërjen e vendit me infrastrukturë kulturore. Kur kanë kaluar më shumë se një dekadë që edhe u lansuan premtimet e para për modernizmin e infrastrukturës, nuk ndodhi asgjë, përveç ca punimeve shkel e shko dhe miliona euro që shkuan huq. Në vend të objektit "Dr. Ibrahim Rugova" ka mbetur vetëm një gropë e madhe mbushur me ujë dhe me bretkosa, ndërsa Kolonia e Artistëve është harruar fare dhe nuk dihet se çfarë po ndodh me të. Nuk u bë gjë për Muzeun e Arteve Moderne, apo për Sallën universale në kryeqytet. Një situatë e tillë pritet të mbretërojë edhe për shumë vjet, në mos dekada. Gjithnjë e më pak flitet për investime të tilla. Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim gjatë ditës së djeshme (e premte) nga MKRS-ja lidhur me planifikimet që kjo ministri i ka bërë për këtë vit për investime kapitale në infrastrukturën kulturore. Përderisa për ekspertëdhe njohësit e zhvillimeve kulturore në vend një situatë e tillë vjen si rezultat i politikave joserioze që janë ndjekur nga institucionet.

KATRAHURA DISAVJEÇARE ME OBJEKTIN E OPERËS

Ylber Vokshi, ekspert dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se politikat investive në infrastrukturën kulturore tërësisht janë joserioze, larg situatës dhe kërkesave reale."Le të analizohen veprimet e pushtetit qendror vetëm me katrahurën disavjeçare, me ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit të Kosovës, për të cilin ende nuk u arrit të ndahen mjetet e duhura materiale për ndërtimin e tij,e këto trupa i zhvillojnë aktivitetet e tyre nëpër hapësira tërë- sisht joadekuate", ka thënë ai, duke shtuar se çdo garniturë politike që ka udhëhequr MKRS-në ka përqeshur adhuruesit e artit skenik, duke premtuar lokacione dhe projekte të ndryshme, duke ndarë fonde vjetore qesharake, të cilat fare nuk janë realizuar. Ai ka thënë se ato mjete materiale do të frytëzoheshin këto vite do të kishim shumë objekte që do të avanconin kulturën tonë. Por, ka thënë se problemi qëndron aty se kurrë nuk ka pasur interesim nga klasa politike jona, së cilës deri me tani as që i ka interesuar infrastruktura kulturore që është e mjerë në tërë Kosovën, me përjashtime shumë të vogla. Kurse regjisori Ben Apolloni ka pohuar për 'Kosova Sot" se MKRS-ja që nga fillimi është udhëhequr përgjumshëm.

"Nuk kam shumë njohuri rreth, programit qeverisës, përkatësisht agjendës së punës, të cilën e ndjek MKRSja, por mund të them që veprimtaria e këtij institucioni nuk reflekton shumë pozitivisht. Dhe, për këtë faji nuk duhet t'u ngarkohet vetëm zyrtarëve të tanishëm, por edhe atyre që e kanë udhëhequr këtë sektor vitet e kaluara", ka thënë shkrimtari Imer Topanica për "Kosova Sot"

"Unë nuk shoh ndonjë politikë apo plan për krijimin e kushteve që të kemi kulturë në Kosovë. Politika e Kosovës e urren kulturën e Kosovës. E, në atë vend ku politika e urren kulturën, nëse duam të bëhemi optimistë, do të themi se ai vend është buzë greminës, por nëse flasim realisht, ai vend ka mbaruar në greminë", ka pohuar regjisori Ben Apolloni për gazetën "Kosova Sot" 

KEQPËRDORIMET E BUXHETEVE

Ndërsa, krijuesi Bujar Meholli ka thënë për "Kosova Sot" se mungesa e sallave për evenimentet e rëndësishme kulturore vazhdon të jetë problem i madh, që ndikon direkt në jetën tonë kulturore. Sipas tij, politikat e institucioneve gjegjëse duhet të drejtohen pikërisht te ky problem madhor, i cili, shton ai, rezulton i pazgjidhshëm deri më tani, për shkak të shumë arsyeve - mes tyre keqpërdorimi i buxhetit nga ana e zyrtarëve institucionalë."Duhet të merren shembull shtetet përreth nesh; të cilat i kushtojnë rëndësi të posaçme kulturës dhe objekteve të saj. Nuk mund të zhvillohet një shtet kur përballet me këso probleme. Është e turpshme për një shtet si ne që ende të mos kemi sallë të Operës dhe Baletit!", ka pohuar Meholli. Ai ka thënë se duke na përshkuar probleme të këtilla ndrydhen edhe talentet e reja, të cilat assesi s' arrijnë ta gjejnë veten dhe të zhvillojnë karrierën e tyre."Situata duhet të ndryshojë, mirëpo me këtë interesim të institucioneve dhe me këtë skenë politike aktuale jam shumë skeptik", ka pohuar Meholli për "Kosova Sot". Shkrimtari Imer Topanica ka thënë për "Kosova Sot" se është absurde të mendohet se tash e disa dekada nuk është iniciuar as edhe një projekt për teatër të operës, për ndonjë stadium që i plotëson standardet ndërkombëtare ose objekt të tillë relevant.

(Kosova Sot)