Demotivimi kulturor

  • 27 May 2018 - 10:14
Demotivimi kulturor

ME SHKAS NJË INSPIRIM SI FOLËS PËR MOTIVIMIN E TË RINJVE NË "BAR CAMP"-IN NË VITI

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Demotivimi është e kundërta e motivimit: apati, paralizim, stagnim, pasivitet. Gjersa motivohemi, ne shtyhemi drejt një arsyeje, shkaku, thonë psikologët. Por te demotivimi, ndodh pikërisht e kundërta e jetës: pasiviteti. Motivimi është energji, shtysë, nxitje, dashuri, ecje, punë, angazhim, aktivitet, ndërsa demotivimi përpiqet ta tejkalojë edhe instinktin e vdekjes, i cili synon vetëm shuarjen, shkatërrimin, denatyrimin, prishjen, kalbjen, thyerjen. 

DEMOTIVIMI GJENERAL DHE KULTUROR

Për habi të dikujt, ka shoqëri goxha demotivuese, por lindin shkrimtarë të mëdhenj, artistë të jashtëzakonshëm, regjisorë të paparë. Për momentin, Kosova ndodhet në demotivim të përgjithshëm (gjeneral), por edhe kulturor. Në Kosovë ka ndodhur edhe demotivimi kulturor. Nëse pyesni shkencëtarë të shkencës së psikologjisë, do t'ia hapni katër palë sytë, kur mund t'ju thonë: Diku në ndonjë shoqëri demotivuese, ajo bëhet inspirim, frymëzim, nxitje dhe muzë e madhe, sakaq të lindin vepra të mrekullueshme e të madhërishme: në pikturë, në skulpturë, në grafikë, në filma, në muzikë, në arkitekturë. Besa, lindin edhe shumë sekte, rryma fetare e lloj-lloj religjionesh që thërrasin për 'shpëtime', 'delire të madhështisë'. Por jo, në Kosovë, nuk ka ndodhur askush të thotë se është profet dhe të del në emision, me përjashtim të ndonjë të çmenduri! Në Shqipëri, ka ndodhur, por në Kosovë, jo! Ka në hapësirën shqiptare që kanë filluar të sendërtohen edhe 'shpëtimtarë' të tillë, por në formë të mjekësisë së përgjithshme, që mund të fshihen edhe interesa të thjeshta komerciale e klienteliste, por po flasim, për njëfarë lulëzimi kulturor, rilindje kulturore, ringjallje shpirtërore, e cila do të tejkalonte të 'vjetrën', ose të paktën do të përpiqej, të lindte ndonjë 'të re'. Sidoqoftë, ajo që është demotivuese në Kosovë, sepse me gjithë këtë demotivim gjeneral, nuk ka ndonjë shpresë për inskenim veprash madhore e teatrore; kinematografike e muzikore, shoqërore e mesianike. Thjesht, as nuk është shoqëri krejtësisht jodemotivuese ndoshta: i mban diçka gjallë, e strukur, e fshehur brenda. Ndoshta, akoma familja është e fuqishme, por edhe ajo ka rënë dukshëm, deri në përmasa tragjike. Edhe familja që e mban njëfarë kuptimi të përgjithshëm jetësor e motivues, po shembet dita-ditës, sidomos me lajmin e mbrëmshëm, tepër i dhimbshëm vetëm për ta folur e shkruar: mbytja e të birit tinejxher nga prindi! Por edhe tragjike mbetet një i diplomuar në Edukatë Fizike, të shkon i pamësuar dhe i demotivuar në një sektor ndërtimtarie! Edhe tragjike e demotivuese është të dëgjosh dështimin për realizim profesional dhe tentim vetëm për mbijetesë, pavarësisht llojit të profesionit. Demotivimi gjeneral në Kosovë, nuk ka prodhuar të paktën frymëzime të mëdha kulturore tek individët krijues! Pavarësisht demotivimit gjeneral, individi krijues dhe me tipare madhështoreletrare, krijuese, muzikore, kinematografike, akoma nuk ka lindur te ne. 

PSE JAM I DEMOTIVUAR PERSONALISHT PËR JETËN KULTURORE?

1. Rrallë ndodh një ngjarje kulturore në qytetin prej nga vij: Gjilani! Njësoj më thonë shokët nga Besiana, Gjakova, Peja, Prishtina, Prizreni, Mitrovica, Ferizaj. Njësoj e dëgjon dhe e lexon në statuse 'fejsbuku' të gjithsecilit dhe gjithsecilës prej nga vjen dhe ku vepron! 2. Një natë shkova në Polip - Festivalin Ndërkombëtar të Literaturës në Prishtinë dhe shumë diskutime u bënë aty për art e politikë. U kënaqëm me një shok aktor dhe i thamë njëritjetrit: sa mirë bre kur po ka ngjarje kulturore dhe njeriu po kalon bukur duke dëgjuar për tema nga kultura e shoqëria! Ishte ardhur Ardian Vehbiu, publicist i jashtëzakonshëm në hapësirën shqiptare, i cili aktualisht jeton në Nju- Jork. Bashkim Shehu na tregonte për dallimet gjuhësore të katalonasve dhe spanjollëve. Një kroate tregonte se si zemërohej nga intelektualët gjermanë, të cilët i thoshin se kroatët e kishin gjuhën serbo-kroate! Ajo rrëfente se si habitej me ta, ndonëse intelektualë dhe nuk e kuptuakan ende se ka vetëm gjuhë kroate, gjuhë serbe, gjuhë boshnjake, por jo edhe gjuhë serbo-kroate! Kroatët kanë krijuar identitetin e tyre gjuhësor, politik, nacional dhe nuk duan t'ia dinë nëse kanë ngjashmëri me gjuhën serbe, apo pavarësisht pse s'kanë nevojë për fjalorë përkthimi: serbisht-kroatisht, dhe anasjelltas! Tekefundit, asaj i pengonte vetëm togfjalëshi: serbo-kroate! Një shkrimtare turke thoshte se ishte rritur 'erdoganizmi', 'nacionalizmi' dhe 'islamizmi politik' edhe në përkthimet gjuhësore-letrare. Ajo tregonte edhe për problemet e kurdëve dhe turqve rreth gjuhës, problemet politike, paragjykimet e diskriminimet etj. Tregonte për një përkthim se si përshëndetja e huaj, ishte përkthyer nëpër personazhe apo filma, si: "Selajm alejkum!" Pat pastaj edhe diskutime, ku njëra nga shkrimtaret shqiptare - pjesë e audiencës, u kap për një temë bajate dhe të pakuptimtë: Pse Prekazi si emër vendi nuk përkthehet dhe të futet në fjalor?! Ishte më se skandaloze! Pastaj, mori një përgjigje meritore nga panelistët Bashkim e Ardian, se në Shqipëri çfarë të bëhej me italishten, nëse qenka problem gjuha serbe në Kosovë?! Pse të ishte problem emri i përveçëm i një vendi? Si mund të përkthehej një emër vendi? Unë kisha disa shembuj interesantë edhe rreth kësaj teme, por ndonjëherë ose moderatorët janë të dobët dhe s'kanë konsiderata për audiencën, duke e përshpejtuar dhe e mbyllur debatin rraptap, ose është me limite kohore. Fundja, nuk ndihesha në nevojë fare për të folur. Doja vetëm të dëgjoja diçka për kulturë, qoftë edhe të përsëritur, sepse jetojmë në një ambient tepër demotivues kulturor. E kisha një shembull me një fshat të komunës së Gjilanit, ku fjala "Dobërçan" ishte përkthyer si Miresh, sepse 'dobro'- mirë, nga gjuha serbe. Por një shok më përkujtonte një ditë në një media sociale se, Dobërçani ishte si emërtim nga "Kambana e mirë", e jo të deformohej emërtimi. Sidoqoftë, kudo pushtuesit asimilojnë gjuhën lokale dhe natyrisht se pas dekolonizimit, çlirimit, lirisë etj., njerëzit lokalë kanë shumë të drejtë t'i rikthehen vetvetes. Kisha në mendje edhe disa emërtime të fshatrave të tjerë, ku bashkëtingëllorja 'v' është hequr në komunikimin joformal, por edhe atë formal shqiptar. P. sh., Bujanovc, Petrovc, Kmetovc, ose edhe Leskovc, bëheshin Bujanovc, Petroc, Leskoc. 3. Nëse s'ka zhvillime kulturore, nuk mjafton vetëm me hëngër e me pi! Njeriu ka sendërtuar shumë nevoja, prej asaj fizike e fiziologjike, në ato kulturore dhe krijuese. Nuk ka njerëz të përmbushur dhe të plotësuar, gjersa një vend nuk ta mundëson përmbushjen e të gjitha segmenteve të jetës shoqërore e kulturore. Njeriu është përkufizuar edhe nga humanistët, edhe nga të gjithë të tjerët se nuk është këtu në këtë botë, vetëm për të mbijetuar, por edhe për të dekoruar e krijuar. Kosova për momentin nuk është duke përmbushur krejt as nevojat primare e biologjike, sikur është siguria. Merrni vdekjet e njëpasnjëshme në vendin e punës, ndërsa mbrojtja dhe siguria, në hierarkinë e nevojave, te psikologu më i njohur amerikan, është ndër nevojat primare. Njeriu ka nevojë edhe për dimensionin social e kulturor, krijues e vetërealizues. Kosova është demotivuese, sepse njerëzit e saj nuk po plotësojnë shumë motive primare e sekondare, e lëre më ato që plotësojnë më së shumti qenien njerë- zore, nevojat terciare. Kosova është në llumin e vet politik dhe me elita të motivueshme vetëm për interesin e vet personal e klanor. Atyre nuk u bëhet vonë që shkojnë gjenerata e gjenerata dhe nuk ndjekin ngjarje kulturore. I kanë lënë qytetarët vetëm me disa përvjetorë lokalë, ku rizbulojnë imazhin e tyre. Manipulojnë me heronjtë, dëshmorët, martirët, invalidët dhe të gjithë të tjerët. Ndajnë ca subvencione, buxhete e mjete financiare për disa përvjetorë të përsëritshëm, pa u zhytur në kreativitet dhe në formën më bashkëkohore të organizimit.

 

(Kosova Sot)