Porosia e një prej filmave më të 'prekshëm' të kinematografisë botërore 'HACHIKO'

  • 27 May 2018 - 13:43
Porosia e një prej filmave më të 'prekshëm' të kinematografisë botërore 'HACHIKO'

Ai është një nga filmat më të bukur dhe më prekës që ekzistojnë. Është e pamundur ta shohësh dhe të mos përlotesh me fundin e tij. Teksa lexon në fund të filmit edhe të dhëna që tregojnë se ai është bazuar në një histori të vërtetë, atëherë filmi bëhet edhe më i dhimbshëm për të gjithë.

Në qendër të filmit vendoset një qen, i cili mban peshën e një personazhi protagonist. Një professor e gjen rastësisht qenin në stacionin e trenit dhe e merr fillimisht në shtëpi, por duke pasur synimin që t’ia kthejë më vonë të zotit të tij. Ai dhe bashkëshortja e tij nuk e gjejnë të zotin e qenit, ndaj vendosin ta mbajnë atë.

Profesori i vendos emrin Hachi (Emri vjen prej japonishtes dhe do të thotë 8. Emri nuk nënkupton në fakt numrin 8, por simbolin me numrin 8 horizontal, pra simbolin e infinitit, si për të treguar dashurinë e pafund të një qeni për të zotin e tij).

Qeni miqësohet shumë me të zotin dhe e shoqëron përditë profesorin për tek stacioni i trenit, si dhe e pret aty fiks në orën pesë pasdite, kur profesori kthehej nga puna.

Mirëpo një ditë, fatkeqësisht profesori ndërron jetë prej hemorragjisë cerebrale dhe qeni vazhdonte dhe e priste po në të njëjtin vend. Sado që të gjithë i thonë qenit se i zoti i tij ka vdekur, ai prapë duket sikur nuk do ta pranojë atë fakt.

Gruaja e profesorit e shet shtëpinë dhe e dërgon qenin në shtëpinë e vajzës së saj, e cila jetonte me të shoqin dhe djalin e tyre. Mirëpo sërish qeni e gjeti mënyrën të dilte nga shtëpia dhe të shkonte e të pristë tek stacioni i trenit.

E bija e profesorit shkon dhe e merr sërish nga atje, por pasi e sheh që qeni qëndron i mërzitur gjatë gjithë kohës, e lë më në fund që ai të rrijë tek stacioni i trenit, në të cilin e ushqenin punonjësit e bizneseve ngjitur.

Pas 9 vitesh, 9 muajsh e 15 ditësh pritjeje tek stacioni i trenit, Hachiko ndërron jetë dhe kjo e bën atë një simbol të dashurisë së qenve për të zotët e tyre. Aktualisht në Japoni, nga vjen edhe historia e vërtetë në të cilën bazohet filmi, ekziston edhe një statujë me qenin Hachiko që priti gjatë për të zotin e tij, i cili nuk u shfaq më kurrë për të…

Për ata që nuk i duan kafshët, ne sugjerojmë të shohin një herë këtë film dhe kanë për ta rimenduar atë që pohojnë. Qentë janë një dashuri e vërtetë, një simbol dashurie dhe besnikërie.

Kjo është arsyeja se pse ky film prekës renditet ndër më të bukurit dhe më të pëlqyrit në shumë lista prestigjioze në 100 filmat më të mirë. Kjo ndodh pikërisht për shkak të fabulës dhe veprimeve, pasi në film nuk ka shumë komunikim për të vlerësuar aktorët. 

Image
Image

 

 

(Kosova Sot)