Loja intelektuale në shtëpinë e Byron-it

  • 27 May 2018 - 13:48
Loja intelektuale në shtëpinë e Byron-it

KRITIKË E FILMIT 'MARY SHELLEY' 

"Mary Shelley" është film i rrallë, një biografi letrare me argument. Kjo nuk dmth se filmi, me regji nga Haifaa alMansour ("Wadjda") heq dorë nga kënaqësitë e pritshme të zhanrit. Kemi dritë të qiriut, pendë klasike të shkrimit, funde "Regency" dhe emra të famshëm (Samuel Taylor Coleridge) dhe, natyrisht, tentimet e rëndomta për ta bashkuar si pasionin, po ashtu edhe disiplinën e procesit të të shkruarit. Kemi edhe aktorë të rinj e të pashëm, që recitojnë poezi dhe prozë me theks të veçantë dhe me një anglishte të përkryer. Por, në vend që ta zbusin Mary Shelleyn - autore të "Frankenstein"-it, të dy shkrimtarëve të dalluar dhe grua e një shkrimtari tjetër - me jastëkë të butë të prestigjit kulturor, Haifa al-Mansour dhe skenaristja, Emma Jensen, mprehin sensin e modernitetit të Shelley-t. Shumë ndihmon edhe fakti që roli i saj luhet me sensivitet dhe inteligjencë akute nga Elle Fanning. Së pari e takojmë Mary-n në lëvizje, duke shkuar në shtëpi nga një varrezë në Londër, ku kishte shkuar për ta vizituar varrin e nënës së saj, Mary Wollstonecraft, asaj Mary që kishte vdekur shkurt pasi që kishte lindur vajzën e vet dhe që kishte shkruar librin "A Vindication of the Rights of Woman". Kemi të bëjmë me një feministe nga shekulli XVIII, e cila e ka ruajtur radikalizmin dhe rëndësinë e vet.

NJERKA ZEMËRKEQE

Burri i shkrimtares Wollstonecraft, shkrimtari, filozofi dhe libërshitësi William Godwin (Stephen Dillane), tani është martuar me një grua tjetër, prandaj Mary-t i duhet që të ballafaqohet me një njerkë zemërkeqe (Joanne Froggatt), të cilës aspak nuk i pëlqen fakti që thjeshtra e saj merret me shkrime. Me qëllim të ruajtjes së paqes në shtëpi, William e dërgon Mary-n në Skoci, ku ajo takon Percy Bysshe Shelley (Douglas Booth), një djali të ri, i cili më pas do të vdesë si i ri, duke u mbajtur më pas në mend si njëri prej poetëve më të mëdhenj britanikë të kohës së tij. Percy ka 21 vjet dhe ai tanimë ka braktisur një grua dhe një fëmijë, por idealizmi i tij Romantik, me 'r' të madhe, përfshin ca klauzola rreth dashurisë së lirë, të cilat përshtaten me karakterin rebel të Maryt. Ai po ashtu ka buzë të buta, faqe delikate dhe është i zoti me rimat, kështu që Mary nuk heziton që të arratiset me të dhe, me vete ta marrë edhe motrën e saj nga babai, Claire (Bel Powley). Por, ngjarjet dalin të jenë më të ashpra sesa që Mary, 16 vjeçe, kishte pritur. Aty ka skandal, tragjedi, telashe me para dhe sjelljen kaotike të Percy-t. Përkushtimi ndaj jo konvencionales, jetëve të çliruara të cilat i kanë ai dhe Mary, kanë domethënie të ndryshme për secilin prej tyre dhe filmi vë në pah dallimin midis teorisë dhe praktikës kur flitet për barazinë midis gjinive.

AUTONOMIA INTELEKTUALE

Rolet tradicionale mund të shtypin dhe budallallosin femrat, por as hedonizmi i lirë dhe i lehtë të cilin Mary dhe Claire gjejnë me Percy-n dhe lordin Byron (Tom Sturridge) nuk është kushedi sa më i mirë. Megjithatë, kështjella zvicerane e Byronit është vendi ku u mboll fara e "Frankenstein"-it dhe, filmi "Mary Shelley" është po aq biografi e atij libri, sa edhe biografi e autorit të librit. Libri e ka origjinën nga një lojë intelektuale në shtëpinë e Byron-it, ku Mary, Claire dhe Percy janë në shoqëri të një mjeku të quajtur John Polidori (Ben Hardy). Por, filmi e zgjeron këtë rrëfim origjinal, duke sugjeruar rrjedha të ndryshme të përvojës së Mary-s. Prirja e saj fëmijërore ndaj rrëfimeve të frikshme dhe ndikimi letrar i t'et (autor i romanit gotik "Caleb Williams") kombinohen me pikëllimin e saj, frustrimin dhe izolimin, për të rezultuar me një kryevepër. Ky rrëfim është i besueshëm dhe i prekshëm, një mbrojtje e zhanrit fiktiv dhe i kreativitetit femëror. Por, herë-herë, dallimi midis shkrimtarëve dhe shkrimtareve mund të duket paksa skematik, në një mënyrë që rrezikon autonominë intelektuale të Mary-s. Kuptohet që William, Percy dhe Byron motivohen nga idetë, derisa frymëzimi i Mary-s vjen nga fusha e ndjenjave. Për këtë shkak, "Frankenstein" mbi të gjitha ka të bëjë me triumfin e shprehjes, transformimin kuazi-terapeutik të dhembjes në art. Filmi "Mary Shelley" na rikujton se Anglia, në fillim të shekullit XIX, ishte vend i pasur me storje dhe personazhe, me një epokë e cila duket e bukur sikur në libra, po ashtu edhe në film. 

 

 

(Kosova Sot)