Analizat e ADN-së: Dardanët, paraardhësit e shqiptarëve

  • 13 June 2018 - 08:55
Analizat e ADN-së: Dardanët, paraardhësit e shqiptarëve

Ata ishin njëri ndër fiset më të mëdha dhe më të organizuara të Ilirisë

Historiani Arben Arifi ka thënë për "Kosova Sot" se për ta vërtetuar prejardhjen e shqiptarëve nga dardanët, studiues të ndryshëm nga mbarë bota e kanë pohuar këtë, duke e marrë për bazë etnogjenezën, aspektin gjuhësor, kulturën materiale e deri te analizat e ADN-së

Dardania antike, sot Kosova e gjymtuar, përbënte një nga pjesët më të rëndësishme të trungut ilir. Si pjesë e Ilirisë, s'do mend se dardanët janë ilirë. Kështu që edhe shqiptarët e Kosovës janë dardanët e moçëm. Pa hezitim. Në fakt, ky është përfundimi shkencor që kanë dhënë historianët seriozë që janë marrë me dardanët dhe shqiptarë e Kosovës. Pos sa është studiuar historia e Dardanisë nga historiografia shqiptare, sidomos periudha paraosmane, ku ka shumë paqartësi dhe historiografia jonë, sipas shume studiuesve ka shumë për të thënë. Studiuesit tanë japin mendime të ndryshme.

Dardanët kishin mbretërit e tyre

Në një prononcim për "Kosova Sot", historiani Gjon Berisha, sekretar shkencor në Institutin e Historisë "Ali Hadri", ka thënë se çështja e dardanëve është shumë mirë e sqaruar. Dardanët, sipas Berishës, nga shumica e studiuesve seriozë konsiderohen njëri prej fiseve ilire, të cilët kanë pasur strukturën e tyre, mbretërit e tyre, territorin dhe ushtrinë. Ndërsa shton ai, brenda tyre ka pasur edhe fise më të vogla, si thunatët, galabrët etj. "Pra, sa i përket dardanëve dhe antikitetit, kur edhe kanë jetuar është punuar bukur mirë. Çështja më pak e zbardhur dhe që është shumë më e vështirë, është periudha nemanjide (që takon periudhës paraosmane)", ka potencuar historian Berisha. Edhe Enver Rexha, drejtor i Institutit të Arkeologjisë, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se historiografia ndërkombëtare e vendore, specialistët e shkencave të ndryshme vijnë në përfundime se, dardanët ishin fis ilir dhe se, dardanët janë popullatë autoktone në territoret e Dardanisë - territoret e sotme të Republikës së Kosovës dhe se, shqiptarët e sotëm që jetojnë në këto vise - në këtë shtet, janë pasardhësit e drejtpërsëdrejti të tyre. "Për fat të mirë, dihet se, sot historiografia vendore e ndërkombëtare me rezultate dhe me numër të madh studiuesish i mund qëndrimet e tyre dhe se, në historiografinë vendore e botërore, çështja e historisë së autoktonisë së dardanëve, Dardanisë dhe çështja e prejardhjes së shqiptarëve të sotëm të Kosovës nga dardanët është çështje e pranuar, e pakontestuar", ka thënë ai, duke shtuar se historiografia jonë prej fillimit ka punuar dhe punon edhe sot në të gjitha sferat studiuese për plotësimin e historisë së dardanëve dhe Dardanisë me rezultatet e reja hulumtuese shkencore që zhvillohen pandërprerë nga institucionet vendore e ndërkombëtare. Ndërsa ka thënë se pavarësisht rezultateve të arrira deri tani, hulumtimet, studimet nuk duhet të ndalen me qëllimin më të mirë shkencor, për të ndriçuar, për të zbardhur më tepër historinë tonë antike e mesjetare. "Duhet të punohet më tepër në periudhën e mesjetës, sidomos periudhën e shekujve VII - XIV- ku kemi më pak të dhëna studimore. Historia nuk mund të quhet e plotë, sepse jeta vazhdon me atë dhe hulumtimet - studimet shkencore historike duhet të vazhdojnë", ka thënë ai, për "Kosova Sot".

Dardanët i mbijetuan edhe romanizimit romak

Ndërsa historiani Arben Arifi, nga IH "Ali Hadri", ka thënë për "Kosova Sot", se dardanët ishin njëri ndër fiset më të mëdha dhe më të organizuara të Ilirisë dhe se për gjenezën e tyre ka pasur politizime te ndryshme. Ndërsa ka thënë se për ta vërtetuar prejardhjen e shqiptarëve nga dardanët, studiues të ndryshëm nga mbarë bota e kanë pohuar këtë, duke e marrë për bazë etnogjenezën, aspektin gjuhësor, kulturën materiale e deri te analizat e ADN-së. Sipas tij, dardanët vazhduan t'i mbijetojnë edhe romanizimit romak, por ata i mbijetuan edhe stuhive të antikës së vonë e mesjetës së hershme, e cila i zhduku pjesën më të madhe të fiseve ilire. Ndërsa ka thënë se periudha e antikës së vonë është periudha më e errët ku në masë të madhe heshtin dokumentet e shkruara, por që plotësohen nga burimet materiale. "A është bërë mjaftueshëm? Jo aspak, sepse kjo periudhë do mjete në radhë të parë për kërkime të vazhdueshme si në bazën dokumentare, ashtu edhe në atë materiale. Unë do të shtoja se po të mos ishte baza dardane e fortë, ne nuk do t'ia kishim dalë që të mbijetojmë si shumë fise të tjera ilire që janë shkrirë në pjesën më të madhe të arealit të Ilirikumit", ka pohuar Arifi.

Shumë toka presin gërmimet

Ndërsa studiuesi Avni Rduaku ka thënë për "Kosova Sot", se dardanët nuk janë zbardhur shumë. Sipas tij, kur Aleksandër Stipçeviq flet për ilirët, jep shumë të dhëna, por tregon për vështirësitë e hulumtimeve, e sidomos që ilirët nuk kanë lënë gjëra të shkruara dhe ne është dashur ta mësojmë historinë e ilirëve nëpërmjet të tjerëve, historianëve grekë e romakë. "Dardanët nuk janë kërkuar shumë dhe shumë toka presin gërmimet. Mungojnë investimet e mëdha, por edhe vullneti. Kemi frikë për të kaluarën se nuk është siç e mësuakemi deri më tash, apo arsye të tjera. Dëgjoj edhe historianë që thonë: do sene s'ka nevojë m'i hallakatur! Sidoqoftë, dardanët dhe lidhja jonë me ta, ka disa shkëputje shekujsh, të cilave periudha historike u mungon dokumentimi, kronikat, gjurmët", ka pohuar ai, duke shtuar se ka shumë punë për hulumtime. Ka disa interpretime edhe patetikeromantike, e jo arkeologjike-profesionale. Gjurmët e deritashme, shton ai, të periudhës së antikitetit ose mesjetës së hershme, janë interpretuar me gjuhë edhe nacionaliste, duke emërtuar me cilësorin 'ilire', pa qenë të sigurt për këtë! "Ka distanca të mëdha shekujsh që mungojnë, faktet dhe dokumentet e shkruara", ka thënë ai. 

(Kosova Sot)