Zbehet entuziazmi për "Vitin e Skënderbeut"

  • 18 June 2018 - 09:00
Zbehet entuziazmi për

Dy shtetet shqiptare nuk treguan seriozitet

"Bashkëpunime mes dy shteteve shqiptare nuk ka, ka vetëm poza. Bashkëpunojnë individët, natyrisht, por bashkëpunimi institucional nuk ekziston. E shpallën 2018-tën 'Viti i Skënderbeut', por me aq sa kanë bërë deri tash, më shumë do t'i shkonte këtij viti epiteti 'Vit i Hamzait'", ka pohuar Apolloni, për "Kosova Sot

E dhe pak dhe pritet të mbyllet gjashtëmujori i vitit 2018, "Vitit të Skënderbeut", dhe fare pak është bërë për të shënuar si është më së miri 550- vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar. Pavarësisht se dy qeveritë, si ajo në Prishtinë ashtu edhe ajo në Tiranë, patën premtuar aktivitete të mëdha dhe mjaft me vlerë për të kujtuar heroin, por edhe një shumë përvjetor të tjerë me rëndësi kombëtare, sikurse ai i Lidhjes së Prizrenit, Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, etj. Incidenti i kryeministrit në Prizren,apo edhe mbajtja e aktiviteteve 'ad hock' nga institucione, apo manifestime shkel e shko po e zbehin tej mase Vitin më të rëndësishëm të shqiptarëve pas pavarësisë së Kosovës. Kështu kanë deklaruar në një prononcim për "Kosova Sot', punëtorë të artit dhe të kulturës. Bile, sipas tyre, me atë që është duke u bërë për shënimin e këtij viti më së paku mund të quajmë një vit me plotë aktivitete për shënimin e përvjetorit të heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit. Duke drejtuar kritika në adresë të institucioneve për mosseriozitet dhe neglizhencë për të bërë punën si duhet, sikurse është rasti me një përvjetor të rëndësishëm për mbarë kombin.

Institucionet tona udhëhiqen nga njerëz joseriozë

Regjisori Ben Apolloni ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot",se institucionet tona udhëhiqen nga njerëz joseriozë dhe natyrisht që çdo gjë që bëjnë është joserioze. Sipas tij, me atë që kanë bërë institucionet për këtë vit, "Vitin e Skënderbeut", më shumë do t'i shkonte, siç ka thënë ai, epiteti "Viti i Hamzait". "Bashkëpunime mes dy shteteve shqiptare nuk ka, ka vetëm poza. Bashkëpunojnë individët, natyrisht, por bashkëpunimi institucional nuk ekziston. E shpallën 2018-tën Viti i Skënderbeut, por me aq sa kanë bërë deri tash, më shumë do t'i shkonte këtij viti epiteti "Vit i Hamzait"", ka pohuar Apolloni, për "Kosova Sot". Edhe shkrimtari Zeqir Fazliu është shprehur me tone kritike ndaj asaj që kanë bërë deri më tani institucionet për shënimin e "Vitit të Skënderbeut". " Unë nuk po shoh ndonjë bashkëpunim të mirëfilltë. Të paktën nuk po duket. Gjashtë muaj të këtij viti veç kaluan. S'ka koordinim të duhur,por po më duket se s'ka as vullnet. Kushte ekzistojnë për një bashkërenditje më të mirë e më të organizuar", ka thënë Fazliu për "Kosova Sot", duke shtuar se tashmë askush nuk i pengon shqiptarët për bashkëpunim, por, siç ka thënë ai, përkundër fakti se dikur pengonte Serbia, tashmë shqiptarët po i pengon vetvetja.

Deri më tani nuk u arritën pritshmëritë

Ndërsa krijuesi Bujar Meholli ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se të gjithë shqiptarët ngado që janë e kanë mirëpritur shpalljen e "Vitit të Skënderbeut", nga dy qeveritë shqiptare, dhe se deri këtu gjithçka është në rregull! Ky, ka thënë ai, qe nder i veçantë për heroin tonë kombëtar! Mirëpo, sipas tij, deri më tani nuk u arritën pritshmëritë. Ose, siç shton më tej Meholli, u arritën në masë të vogël. "Të dy qeveritë i bashkuan forcat, duke i përpiluar agjendat e mbushura me aktivitete për këtë vit mbarëkombëtar. Aktivitete këto, që pritej të zhvilloheshin nëpër qytete të ndryshme shqiptare. Por, deri më tash, nuk di të jetë zhvilluar ndonjë aktivitetet madhor - ashtu siç i ka hije, për Skënderbeun, dhe krejt kjo për faktin se institucionet shqiptare nuk po angazhohen fort, rrjedhimisht s'janë serioze ashtu siç pritej në fillim", ka thënë Meholli. Po sipas tij, përjashto disa orë letrare dedikuar heroit, dhe ca aktivitete të tjera mesatare që kanë ndodhur gjer më tani. Institucionet, ka pohuar më tej krijuesi Meholli, gjegjëse duket se janë të angazhuara dhe të fokusuara me çështje të tjera, dhe s'e kanë mendjen te viti mbarëkombëtar paçka se premtuan se do të jetë madhështor dhe unifikues. 'Pra, duhet t'i përvishen punës dhe t'i kushtojnë rëndësi të veçantë këtij viti - duke i bashkuar gjithë shqiptarët, ashtu siç i donte Gjergji i madh!", ka thënë për "Kosova Sot", krijuesi Bujar Meholli. 

(Kosova Sot)