Kultura në kaos, ligjet nuk zbatohen

  • 20 June 2018 - 08:38
Kultura në kaos, ligjet nuk zbatohen

Sa janë të përshtatshme, them se duhet të plotësohen vazhdimisht në raport me rrethanat tona dhe mundësitë, çdoherë duke synuar përparimin e kulturës përmes perspektivave avancuese. Mbi të gjitha, ligjet për zbatimin e tyre kërkojnë njerëzit e duhur, që e duan vendin dhe kulturën, që e njohin ligjin dhe e respektojnë vet", ka pohuar shkrimtari Mahir Morina në një prononcim për "Kosova Sot"

Një mori ligjesh që rregullojnë fushëveprimtarinë kulturore janë të dala kohe dhe shumë prej tyre kanë nevojë ose të ribëhen nga e para apo të amendamentohen. Kështu kanë thënë studiuesit, kritikët dhe krijuesit tanë, në një prononcim për "Kosova Sot". Për më keq, sipas tyre, shumë prej këtyre ligjeve edhe ashtu me mangësi nuk janë duke u respektuar nga zyrtarët institucionalë. Në një prononcim për "Kosova Sot", arkitekti Ylber Vokshi, ekspert i trashëgimisë monumentale, ka thënë se pjesa ma e madhe e ligjeve që e mbulojnë fushën e kulturës kanë mangësi, paqartësi dhe nuk i plotësojnë kërkesat reale të kohës. Si të tillë, ka thënë ai, duhet plotësuar, amendamentuar, korrigjuar dhe në disa raste edhe të përpilohen të reja. Sipas tij, sinkronizimi i tyre me kërkesat ndërkombëtare është i domosdoshëm.

Favorizohen ngjarjet e mëhallëve

Gjendja e tillë e ligjeve, ka shtuar në tej Vokshi, nuk mund të jetë arsyetim i gjendjes jo të mirë që e kemi në fushën e kulturës këto vite, thelbi i problemit është moszbatimi tyre dhe mosllogaridhënia për veprime të tilla. Është për çdo kritikë se si është vepruar këto vite me Ligjin e Trashëgimisë Kulturore."E kam theksuar disa herë se kjo fushë ende funksionon me ligjin e vjetër, të kohës së protektoratit ndërkombëtar (UNMIK 2006), gjegjësisht 2008, pas shpalljes së pavarësisë. Disa herë kishte tentime të ndryshohet dhe të plotësohet ky ligj, por po mungon guximi shtetëror dhe profesional që kjo problematikë të trajtohet, si në tërë botën e civilizuar, me ligje progresive", ka thënë ai, duke shtuar se domosdo duhet ndryshuar dhe plotësuar ligjin aktual, duke përfshirë edhe elemente të reja që i imponon shekulli i ri dhe ekonomia e tregut me partneritetin publiko-privat (PPP)."E ky guxim shtetëror i bazuar në argumentepo na hakmerret me të madhe, si edhe në fushat e tjera të funksionimit të shtetit", ka potencuar Vokshi për "Kosova Sot". Edhe Sabit Zeneli, aktor dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë se ekzistojnë një mori ligjesh në lëmin e kulturës, të cilat në shikim të parë duket që janë të favorshme dhe lehtësisht të zbatueshme, por fatkeqësisht në praktikë nuk është ashtu."Është ligji, ta zëmë për subvencionime, për të gjitha ngjarjet kulturore që organizohen nga komuniteti artistik dhe kjo është gjë e mirë, por në realitet nuk zbatohet për të gjitha ose shumicën e evenimenteve sipas rëndësisë që kanë. Jo rrallë festivalet sa po krijojnë një fizionomi u ndalen subvencionet, varësisht cilës parti i takon ministri i Kulturës", ka thënën Zeneli për "Kosova Sot". Ndërsa ka thënë se pakënaqësi ka edhe për shumë prej ligjeve tjera që rregullojnë fushën e kulturës, duke u ndalur tek ai, për teatrot, i cili, sipas tij, jo vetëm që nuk po zbatohet, por po del jofunksional. Zeneli ka thënë se trashmë kanë filluar takimet e drejtorive të teatrove profesioniste në nivel vendi për të gjetur modalitete që ky ligj të jetë më i qartë dhe më lehtë i zbatueshëm e ndoshta, siç ka pohuar ai, në të ardhmen do të bëhet më i favorshëm dhe të zbatohet në përpikëri."Pra, pohimet që ky ligj nuk po gjen zbatueshmëri, sipas meje janë të qëndrueshme, sepse po të përcjellim me vëmendje ngjarjet kulturore shohim se jo rrallë favorizohen evenimentet e mëhallëve që nuk tejkalojnë organizimin e kanagjeqeve, e që janë kryesisht partiake, e anashkalohen krijuesit e mirëfilltë", ka thënë ai.

Zgjidhja e duhur është revolucioni

Kurse shkrimtari Mahir Morina, e sheh si të mirë miratimin ligjeve për kulturë, por ka shtuar se si shumica e ligjeve tjera hendikepin e kanë në zbatushmëri, në funksionalitet, të cilat krahas mosinteresimit për avancimin e kulturës mbesin dhe ato të paimplementuara plotësisht. "Ndërsa sa janë të përshtatshme, them se duhet të plotësohen vazhdimisht në raport me rrethanat tona dhe mundësitë, çdoherë duke synuar përparimin e kulturës përmes perspektivave avancuese. Mbi të gjitha ligjet për zbatimin e tyre kërkojnë njerëzit e duhur, që e duan vendin dhe kulturën, që e njohin ligjin dhe e respektojnë vet", ka pohuar Morina, në një prononcim për "Kosova Sot". Ndërsa, krijuesi Bujar Meholli ka thënë për "Kosova Sot" se shumë ligje mbesin vetëm në letër dhe nuk zbatohen asnjëherë në praktike. Në vendin tonë, ka shtuar ai, kjo dukuri është e pranishme dhe se siç ka potencuar më tej, kultura si fushë tejet e rëndësishme për vendin udhëhiqet nga njerëz që s'e njohin mirë atë, andaj dhe gjendja e keqe që e ka pllakosur si zor të tejkalohet. Sipas tij, kur ka ndonjë konkurs apo ngjashëm shihet nepotizmi, kështu bëhet e vështire jeta kulturore në vend. "Dhe, zgjidhja e duhur është revolucioni! Duhet të vijnë dhe të na udhëheqin njerëz të rinj, që kanë dijeni në kulturë dhe janë të ndershëm. Ata duhet më pas të vendosin ligje relevante në këtë fushë dhe natyrisht t'i zbatojnë ato më pas, me përpikëri", ka thënë krijuesi Bujar Meholli për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)