Zbardhet letra sekrete e Vatikanit dërguar Skënderbeut

  • 21 June 2018 - 09:09
Zbardhet letra sekrete e Vatikanit dërguar Skënderbeut

Etleva Lala sfidon albanologët me latinishten

Studiuesja Etleva Lala ofroi një dokument të pabotuar nga Archivio Segreto Vaticano, të vitit 1451, për Gjergj Kastriotin -Skënderbeun, dërguar nga Papa Nocalus V", i dalë nga kancelaria papnore dhe që i dërgohet Skënderbeut dhe fisnikëve të zonës, përmes së cilës bën me dije se ata nuk kanë nevojë që të shkojnë në kishat e Romës për pelegrinazh, por faljet e mëkatet e të tyre t'i kërkojnë duke e ndihmuar Skënderbeun

S tudiuesja Etleva Lala ka sfiduar të mërkurën në Institutin Albanologjik të Prishtinës studiuesit e disiplinave të albanologjisë, duke i pyetur nëse ndonjë prej tyre di latinisht, duke krijuar huti, pikëpyetje dhe natyrisht edhe pak nervozizëm. Këtë pyetje ajo e ka bërë duke prezantuar një dokument, siç konkludoi ajo, të rrallë, të nxjerrë nga arkivat sekrete të Vatikanit, që fliste për Skënderbeun, të cilin Lala ua shpërndau të pranishmeve. Këtë veprim Lala e bëri në kudër të konferencës shkencore "Gjergj Kastrioti - Skënderbeu dhe epoka e tij", organizuar nga IAP, që nisi dje dhe do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme. Konferenca ka mbledhur studiuesit të disiplinave të ndryshme shkencore albanologjike, të cilët po sjellin figurën e heroit përmes dëshmive e dokumenteve, disiplinave albanologjike.

Skënderbeu, kampioni i madh

Duke e hapur konferencën për Skënderbeun, drejtori i IAP-it, Hysen Matoshi, ka thënë, ndër të tjera, në një kontekst të ri gjeopolitik në 10-vjetorin e pavarësisë, së konferenca për Skënderbeun nuk e përmban atë klimë të entuziazmit të 68-ës, duke lënë më shumë mundësi për qasje akademike, shkencore, për diskutime dhe argumentime të mbështetura në një bazë më të gjerë e më të verifikueshme studimore."Jemi të vetëdijshëm që përmasa e tij historike është rimodeluar me elemente që ndonjëherë shkojnë përtej prezantimit objektiv. Skënderbeu është burim frymëzimi dhe ka luajtur rol të rëndësishëm për ndërgjegjësimin tonë kombëtar", ka potencuar drejtori Matoshi. Kurse rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike të Tiranës, Marenglen Verli, duke bërë një paralele mes Skënderbeut dhe Nënë Terezës, ka pohuar se Skënderbeu, kampioni i madh e emblema e luftës, ka shumë ngjashmëri me emblemën e paqes dhe mirësisë, Nënë Terezën. Toleranca fetare e Skënderbeut Kurse akademiku Rexhep Qosja, duke prezantuar kumtesën e tij, "Gjegj Kastrioti- Skënderbeu dhe shqiptarët sot", theksoi se ky vit ka nxjerrë shumë njohuri për Gjergj Kastriotin - Skënderbeun, megjithatë, siç është shprehur ai, prapë nuk dihen të gjitha që do të duhej të diheshin, për jetën, fëmijërinë, pamjen, veshjen, armët, strategjinë ushtarake e politikën e tij. Ndërsa, ka shtuar se të dhënat e tij e nxjerrin heroin si një shtetas tolerant fetarisht, bile në një kohë ku Evropa nuk ishte shumë tolerant fetarisht."Disa të tjerë thonë se feja ortodokse ishte feja e besimit të tij, disa thonë se feja e tij ishte feja katolike, e cila është e vërteta për qëndrimin e tij ndaj fesë? Unë nuk mund ta them me bindje të krijuar prej të dhënave botërore se cilës fe ai i takonte shpirtërisht dhe zyrtarisht, por unë me bindje të krijuar nga disa vepra që i kam lexuar për jetën, politikën dhe shtetin që kishte krijuar ai dhe sidomos me bindje të krijuar prej sjelljeve të tij si kryekomandues i luftës 25-vjeçare kundër osmanëve, si prirës politik e shtetëror i shqiptarëve të Arbërisë, mund të them se Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte politikan, krijues, kryekomandant dhe shtetar fetarisht tolerant", theksoi Qosja. Edhe studiuesi Pëllumb Xhufi ka folur rreth vlerësimeve fetare që Skënderbeut i jepeshin apo i jepen. Në kumtesën e tij, "Atlet i Krishtit, apo fatos i lirisë", Xhufi ka thënë se Mbretëritë dhe Papët e Romës e vlerësonin Skënderbeun jo si i shenjtë, por si një luftëtar shqiptar që kishte rrëmbyer shpatën dhe bashkë me popullin tij e kishte ndalur furinë osmane drejt brigjeve të Adriatikut, duke shpëtuar prej saj Italinë dhe mbarë Evropën. E Kudusi Lama ka thënë, ndër të tjera, se duhet shfrytëzuar edhe arkivin e Skënderbeut dhe të shtetit të tij, për të cilin ai është i sigurt se ka ekzistuar dhe mund të gjendet diku në arkivat osmane. Një kumtesë interesante prezantoi edhe Lulëzim Lajçi, i cili ndër të tjera ripërsëriti idenë e tij për ngritjen e një memoriali në vendin ku ishte zhvilluar beteja e vitit 1448. Sfiduesja e albanologëve Studiuesja Etleva Lala ofroi një dokument të pabotuar nga Archivio Segreto Vaticano, të vitit 1451, për Gjergj Kastriotin - Skënderbeun, dërguar nga Papa Nocalus V", i dalë nga kancelaria Papnore dhe që i dërgohet Skënderbeut dhe fisnikëve të zonës, përmes së cilës bënë me dije se ata nuk kanë nevojë të që shkojnë në kishat e Romës për pelegrinazh, por faljet e mëkatet e të tyre t' i kërkojnë, duke e ndihmuar Skënderbeun."Ky dokument i vitit 1451 ruhet në arkivin sekret të Vatikanit, në fondin Registra Vatikana. Dokumenti u është dërguar Skënderbeut dhe fisnikëve të zonës, dokumenti është i vitit 1451, ku u thuhet atyre se nuk keni nevojë të shkoni në kishat e Romës për pelegrinazh, që ishte e detyrueshme për të gjithë të krishterët, mund të gjeni falje të mëkateve tua duke ndihmuar Skënderbeun", ka thënë ajo, duke befasuar të pranishmit në sallë me konkludimet e saja mbi punën dhe arritjet shkencore të historianëve. Me kumtesa janë prezantuar edhe studiues të shumtë, të cilët prekën dimensione të ndryshme të epokës së Skënderbeut, apo atë çfarë është thënë, shkruar, apo bërë për heroin shqiptar. Konferenca do t'i vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së sotme. 

(Kosova Sot)