KRIJUESVE TË MËRGATËS IU DJEG ZEMRA PËR ATDHEUN

  • 23 June 2018 - 09:08
KRIJUESVE TË MËRGATËS IU DJEG ZEMRA PËR ATDHEUN

Shumë shkrimtarë shqiptarë nga Kosova zhvillojnë veprimtarinë e tyre në shumë shtete të Evropës dhe më gjerë. Duke e bërë diasporën një 'oazë' përqendrimi e krijuesve tanë. Në fakt, letërsia e shkrimtarëve dhe e poetëve tanë që jetojnë dhe veprojnë në diasporë është shumë e bujshme. Gjë që e bën këtë pjesë të letërsisë mjaft integrale dhe të pandarë nga letërsia shqipe në përgjithësi. Një konstatim i tillë është konfirmuar edhe nga krijuesit tanë. Bile për një pjesë të tyre, duke i studiuar rrethanat, nuk mund të themi se kemi letërsi shqipe të diasporës. Megjithatë, sipas tyre, autorët shqiptarë nga diaspora duhet të kenë më shumë vëmendje nga studiuesit dhe botuesit në Kosovës, apo edhe në Shqipëri.

"VEPRAT E TYRE JANË VETËM NË TREGUN TONË TË LIBRIT"

Shkrimtari Fatmir Halimi, studiues dhe botues, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se letërsia e shkrimtarëve dhe e poetëve tanë që jetojnë dhe veprojnë në diasporë është shumë e bujshme. Ata, ka thënë Halimi, janë krijues dhe prodhues të mëdhenj të librave. Por, sipas tij, një gjë duhet dalluar se ata vetëm jetojnë në diasporë, kurse veprat e tyre pa përjashtim i botojnë në shtëpitë tona botuese në Kosovë. Prandaj, shton ai, kjo e bën që kjo letërsi të mos ketë specifika të tjera nga letërsia që zhvillojnë krijuesit tanë këtu në Kosovë. "Pra, veprat e tyre janë vetëm në tregun tonë të librit, por jo edhe në tregun e vendit në të cilin ata jetojnë. Kështu lexuesi shqiptar i diasporës nuk ka qasje dhe nuk i njeh si krijues. Dhe duke shikuar këto parametra nuk mund të themi se ka letërsi shqipe të diasporës dhe më të drejtë edhe studiuesit nuk e trajtojnë si të tillë, por vetëm si letërsi shqipe", ka pohuar për "Kosova Sot", shkrimtari dhe botuesi Fatmir Halimi, duke shtuar se temat që i trajtojnë shkrimtarët e diasporës janë kryesisht temat e luftës së fundit që u zhvillua për çlirim të atdheut, heronjve tanë etj. Pra, përfundon ai, është një temë e përbashkët për ta, pra tema e atdhedashurisë, assesi temat sociale me të cilat përballet çdo ditë mërgimtari ynë në vende të ndryshme të Evropës.

KRIJUESIT E PASTUDIUAR

Ndërkaq, krijuesi Argjend Hasani ka thënë se letërsia e diasporës tek studiuesit e letërsisë shqipe në Kosovë nuk është diçka e panjohur, por edhe e njohur dhe e vlerësuar sa duhet nuk është. Insistimi dhe pjesëmarrja e krijuesve të diasporës në aktivitete letrare, edhe pse të pakta, për diasporën ka mundësuar një prezantim solid, me çka edhe studiuesit letrarë kanë mundësinë e një studimi të mirëfilltë të vlerave krijuese letrare nga diaspora. Ai ka thënë se krijuesit letrarë nga diaspora me veprat e tyre më së shumti shkruajnë poezi."Tematika thuaja se kryesore është atdheu, si malli dhe dashuria për atdhe, po ashtu dashuria, atdhetaria, gjendja sociale etj. Është me interes të theksohet se tanimë edhe romani është në fokus të krijuesve letrar në diasporë gjë që përbën një risi në profilizimin e letërsisë shqipe në të gjitha gjinitë ndër krijuesit në diasporë", ka pohuar Hasani. Po sipas tij, edhe pak ato rezultate të shënuara të krijuesve letrarë në diasporë vijnë nga insistimi dhe përkushtimi i tyre, duke u bazuar jo vetëm në bagazhin intelektual, por, siç thotë më tej ia, edhe financiar, që krijimtaria letrare shqipe përmes veprave të tyre të jetë prezent kudo që ata jetojnë. Kurse shkrimtari Zeqir Fazliu ka thënë për "Kosova Sot" se letërsia e krijuesve të diasporës është studiuar pak, për të mos thënë aspak."Nuk e di të jetë shkruar ndonjë vepër e veçantë për letërsinë që krijohet në mërgatë. E di që ata atje janë organizuar dhe kanë formuar shoqata shkrimtaresh në disa vende të Evropës", ka pohuar ai, duke shtuar se gjatë kohës së pushimeve krijuesit diasporës janë mjaft prezentë dhe organizojnë takime, orë letrare në mjedise të ndryshme në vend."Verës pastaj vijnë e organizojnë orë letrare. Zakonisht ato mbahen në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit. Kështu ishte parvjet e vjet, mendoj që kështu to të jetë edhe sivjet", ka thënë Fazliu.

(Kosova Sot)