Komunat me miliona për padi, e pa para për kulturë

  • 23 June 2018 - 09:10
Komunat me miliona për padi, e pa para për kulturë

Në maj dhe gjatë këtij muaji u publikuan raportet e rregullta nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për institucione publike, por akoma nuk janë publikuar raportet edhe për shumë institucione të tjera publike, në faqen e saj zyrtare. Ne u morëm me komunat më të mëdha në nivel vendi, sikur janë: Prishtina, Prizreni, Gjilani, Ferizaj, Peja, Gjakova dhe Mitrovica. Prizreni Gjersa kërkonim ndonjë parregullsi të raportuar dhe të evidentuar nga ZKA rreth fushës së kulturës, nuk mundëm në asnjë mënyrë ta anashkalonim, apo edhe t'i tejkalonim dy paragrafë, që nuk janë më shqetësim vetëm për Komunën e Prizrenit, por edhe për krejt taksapaguesit e Kosovës. Le të ndalemi me një frymëmarrje të lirë t'i lexojmë këto dhe më pas, do ngelim sërish pa frymë: "Gjatë vitit 2017 komuna është paditur për shuma të konsiderueshme të obligimeve, ku mbi 2 mil. € janë kryer pagesa direkt nga thesari dhe përmes vendimeve gjyqësore; dhe Komuna ka një rritje të obligimeve të papaguara prej 1.9 mil. € në raport me vitin e kaluar. Për me tepër afro 3,000 lëndë janë në procese të procedurave gjyqësore. Nëse paditë gjyqësore vendosen në favor të operatorëve, organizata pritet të ketë pasoja të rënda financiare." (faqe 9) Nuk ka se si të mos jetë alarm komunal e kombëtar, mediatik e shoqëror, por askush nuk merret më seriozisht me këto çështje: Pse po paditet Komuna e Prizrenit? Po nëse nuk do të shkonin 2 milion euro për këto padi, sa do të ndryshonte me këto mjete financiare për së mbari trashëgimia historike e këtij qyteti të ëmbël kulturalisht dhe historikisht? Po si është e mundshme që janë 3 mijë lëndë akoma në procedura gjyqësore dhe sërish priten me shumë gjasa, që paditë të jetë në favor të operatorëve? Po pse nuk jep askush përgjegjësi, e vetëm jepen paratë e qytetit pa asnjë dhembje e pasojë për përgjegjësit e shkeljeve? Ndonjë gjë me rëndësi tjetër në raportin e auditimit e rregullt për Prizrenin, për shkeljet në subvencionet për kulturë, nuk gjetëm, por mjaftoi tronditja me mbi 2 milion euro pagesa gjatë vitit 2017 për paditë ndaj saj, ndërsa buxheti komunal është i vockël, i pamjaftueshëm!

PRISHTINA

Prishtina sa është lavdëruar për qeverisje të mirë dhe alternative, nuk shihet në ZKA. Nuk dallon aq prej mangësive të zakonshme sikur në shumë komuna të tjera. Ne do të ndalemi vetëm në fushën e subvencioneve. "Buxheti final për subvencione dhe transfere ishte 1,916,810€. Prej tyre në 2017 ishin shpenzuar 1,506,072€. Ato kanë të bëjnë me subvencionimin e fermerëve, kompensim të dëmeve të tyre, si dhe mbështetje për aktivitete kulturore dhe sportive, etj. Përkundër disa përmirësimeve të ndodhura në shpërndarjen dhe menaxhimin e subvencioneve, ende ka mangësi në raportim, të cilat do të dëshmonin destinimin e parave të dhëna." (ZKA, 2018) Raportimi për mënyrën se si janë shpenzuar paratë, krijon dëshmi, mbrojtje ligjore, siguri, seriozitet, përkushtim dhe sinqeritet. Llogaridhënia se si shpenzohen paratë, është besim se herën tjetër, mund të përfitoni sërish subvencione, duke krijuar një dosje mirëbesimi, sikur e kanë krijuar edhe bankat për klientët e besueshëm!

GJILANI

Gjilani gabimisht është quajtur nga kryetari i komunës Lutfi Haziri, "kryeqyteti kulturor i Anamoravës", por edhe i Kosovës! Imagjinoni kryeqytet kulturor, ndërsa me ushtrues detyre të teatrit ka qenë përtej çdo ligji; ka pasur ndërhyrje në Këshillin Drejtues gjatë konkurseve për drejtor teatri dhe njëra nga ish anëtaret e saj, pati deklaruar se ka ndërhyrë kryetari i komunës; aktorët ballafaqohen me probleme të vazhdueshme me subvencione jo të rregullta; qyteti është pa kinema për shumë vjet, pas privatizimit pa monitorim etj. Në raportin e këtij viti nga ZKA, thuhet për Gjilanin: "Gjithashtu, komuna kishte subvencionuar manifestimin "Muaji i mërgimtarëve" në vlerë 4,000€, me vendim te Kryetarit te Komunës. Komuna nuk kishte lidhur një marrëveshje mirëkuptimi me OJQ-në e subvencionuar, ashtu siç parashihet ne rregullore. Mungonte po ashtu raporti narrativ për zhvillimin e aktiviteteve. Ndërsa, për subvencionin e ndarë ndaj teatrit në vlerë 12,420€, për shfaqjen Talia, teatri nuk kishte ofruar raportin narrativ lidhur me subvencionin e shpenzuar." (f. 15-16) Raportin narrativ e përmend ZKA për shumicën e institucioneve publike jo vetëm gjatë këtij viti, por përvitshëm, dhe akoma nuk përmirësohet.

FERIZAJ

Raporti për Ferizajn ishte publikuar në muajin e kaluar. "Buxheti final për subvencione dhe transfere ishte 464,336 euro. Prej tyre në 2017 ishin shpenzuar 450,163€ apo 97% e buxhetit. Subvencionet e dhëna kanë të bëjnë me përkrahjen financiare në fushën e ekonomisë, sportit, bujqësisë dhe shëndetësisë." (f. 18) Këtu çfarë është e dëmshme mbetet se nuk përmendet fare se ishte subvencionuar diçka për kulturë. GJAKOVA Edhe për Gjakovën, duket sikur subvencionet janë shkuar vetëm për përkrahjen e fushave të tjera, por jo edhe sa duhet për kulturë. Ngjashëm me Ferizajn: "Buxheti final për subvencione dhe transfere ishte 464,336 euro. Prej tyre në 2017 ishin shpenzuar 450,163 euro apo 97% e buxhetit. Subvencionet e dhëna kanë të bëjnë me përkrahjen financiare në fushën e ekonomisë, sportit, bujqësisë dhe shëndetësisë." (f. 18)

PEJA

"Buxheti final për subvencione dhe transfere ishte 309,058 euro. Prej tyre në 2017 janë shpenzuar 286,808€ apo 93% të buxhetit final. Shpenzimet kryesisht kanë të bëjnë me mbështetje të aktiviteteve kulturore, sportive apo ndihma momentale… E gjetura Në dy raste përfituesit e subvencioneve në vlerë totale 25,000 euro, nuk kishin përgatitur raporte financiare dhe raportet narrative, të cilat do të dëshmonin se subvencioni është shfrytëzuar për qëllimin e dhënë. Përfituesit kishin ofruar vetëm disa fatura dhe dëshmi të transfereve bankare në të cilat vërehej se mjetet ishin shpenzuar për qëllime tjera në raport me qëllimin për të cilin janë dhënë. Rregullorja Komunale (KPE) nr. 01/2017 për subvencione përcakton që përfituesi i subvencionit duhet të dorëzojnë raportet financiare dhe narrative me dëshmitë e dokumentuara si kërkohet ne projekt propozim. Rreziku - mosraportimi i përfituesve të subvencioneve lidhur me realizimin e projekteve të subvencionuara dhe shfrytëzimi i mjeteve për qëllime tjera ndikon në mosarritjen e objektivave të përcaktuara dhe si rrjedhojë ndikon në dëmtimin e buxhetit. Rekomandimi 13 - kryetari duhet të sigurojë se përfituesit e subvencioneve raportojnë për mënyrën e shfrytëzimit të mjeteve dhe në rastet kur mjetet nuk shfrytëzohen për qëllimin e dhënë të ndërmerren masa ligjore ndaj përfituesve të subvencioneve."(f. 19) Është e papranueshme për shumën prej 25 mijë eurosh, të mos ketë raportime narrative dhe financiare! Edhe sikur të ishin 5 euro, janë mjete financiare nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe duhet të shndërrohen në dëshmi materiale se si janë shpenzuar.

MITROVICA

Mitrovica ka mbetur larg zhvillimeve ekonomike, ndonëse ishte ndër qytetet me industrinë më të rëndësishme. Edhe sot pasuritë e saj nëntokësore, nuk e kanë bërë të jetë e veçuar edhe në investime e subvencione të mëdha për aktivitete kulturore. Shumica e qeverisjeve lokale i kanë 'vdekur' kulturalisht shumicën e komunave të tyre. Njëra ndër to, ka mbetur edhe Mitrovica. "Buxheti final për subvencione dhe transfere ishte 576,661 euro. Prej tyre në 2017 ishin shpenzuar 537,369 euro. Shpenzimet kryesisht kishin të bëjnë me shpenzimet e varrimit, bursa për student, mbështetje të fermerëve, si dhe personave fizik si përfitues individual në gjendje të vështirë socialekonomike." (f. 19) As këtu nuk përmenden subvencionet për kulturë, por subvencionet për shpenzimet e varrimit, bursa për studentë, mbështetje të fermerëve dhe asistencë sociale. Kjo tregon se qyteti i Mitrovicës është në krizë të thellë socioekonomike, madje në një shkallë më të lartë se shumë qytete të tjera të Kosovës. Politikanët kanë dështuar t'ia kthejnë lavdet e dikurshme industriale, ekonomike dhe kulturore, qytetit të rokut e të kulturës.

FUND

Raportet e ZKA-së nuk do të thotë se mbulojnë krejt spektrin e parregullsive dhe shkeljeve, pasi që komunat kanë bërë përvoja në mbushjen me 'dëshmi', 'dokumente', 'fatura' etj., por edhe me këto përvoja të të qenët 'mirë me letra', sërish raportohet për shkelje të mëdha, qoftë në mungesë të regjistrimit të pronave, e rrjedhimisht, më pak tatime; qoftë në kalimin e shpenzimeve nga një rubrikë në rubrikën tjetër, si dhe shumë sfida të tjera të mungesës së raportit narrativ dhe mënyrës së shpenzimeve. Komunat kanë nevojë për kontrolle edhe më strikte të shpenzimit të parasë publike, e sidomos për neve ngelet alarm shtetëror: milionat e dhëna për paditë ndaj komunës dhe humbjen në gjykata, pa dhënë askush llogari!

(Kosova Sot)