Kundërthëniet e krijuesve mjegullojnë mesazhin

  • 23 June 2018 - 16:14
Kundërthëniet e krijuesve mjegullojnë mesazhin
Është e domosdoshme, që të krijohet një harmonizim më i drejtpërdrejtë, ndërmjet shikuesit dhe të krijuesit

Gjithmonë para shikuesve e kemi borxh, që të prezantohemi ashtu siç duhet dhe siç e meriton seriozisht shikuesi. Pra, të ekspozohen vepra të mirëfillta me domethënie, ndiesore e sensitive dhe me kreativitet të lartë artistik. Ndaj, nuk mundemi të dalim para shikuesve dosido! Dhe, për këtë, krijuesi, duhet ta ketë të qartë; çka po ekspozon para shikuesit dhe vepra e tij, a thua, çfarë mesazhi na paraqet? Në të kundërtën, do të vazhdojë, edhe më tej, kjo amulli, e paqartësive dhe e pakuptimësive, në mes krijuesve dhe të shikuesve!...

Shpeshherë nëpër galeritë tona, ku ekspozohen veprat e krijuesve, por edhe nëpër ndeja të ndryshme, nuk bëhet e që të mos bisedohet dhe të mos preket, problemi i qartësisë dhe i paqartësisë në veprat artistike. Ky problem bisedohet gjithnjë, në çdo vend, kur paraqitet momenti për të diskutuar për këtë problem artistik. Dhe, sigurisht, ky problem madhor, ndonjëherë, ka qitur në shesh, edhe reagime serioze, besa, edhe kundërthënie të "zjarrta", në mes krijuesve dhe masës së gjerë të shikuesve! Krijuesi duhet të jetë i vëmendshëm se çfarë vepre po ekspozon dhe ta ketë të qartë idejshmërinë dhe konkretizimin e gjithmbarshëm të veprës artistike. MT: Krijimi i veprave të qarta Është fare e qartë, se "veprat e qarta dhe të kuptueshme" për shikuesin, janë vepra të dedikuara për masën e gjerë të shikuesve. Gjithsesi, këto vepra, janë realiste kur çdo gjë kuptohej me lehtësi. Dihet mirëfilli, se ky drejtim realist, në artet pamore; është i mirëseardhur për shikuesit, meqë janë të qarta dhe kuptohen me lehtësi. Në anën tjetër, këto vepra, paraqitnin "vërtetësinë jetësore" të vendit apo të ndonjë krahine. Ato, zaten, shprehnin bukur, "heroin", "trimin", "burrin e malësisë", "luftëtarin" pra me një fjalë paraqitnin trimërinë e burrit kombëtar dhe heroizmin e tij. Megjithatë, dalëngadalë, disa krijues, përpiqeshin që sado pak të lëviznin, dhe në krijimtarinë e tyre, të paraqitnin, edhe disa elemente dhe shenja, që filluan ta ngacmojnë shikuesin dhe veprën artistike ta analizojnë më tepër. Këto elemente (shenja), e detyrojnë krijuesin, që të krijojë më tepër, vepra për " art për elitën". Pra, të krijojnë vepra, për një shtresë më të lartë intelektualësh, dhe duke mos u angazhuar më, për vepra të "qarta dhe të kuptueshme".

VEPRA PËR NJË KATEGORI NJERËZISH Gëte thoshte se veprat e veta i shkruante, për një kategori njerëzish, që kanë një kulturë të lartë artistike; "Veprat e mia nuk mund të fitojnë popullaritet - kush mendon dhe synon të kundërtën gabon. Ato nuk janë shkruar për masën, por për disa njerëz, të cilët dëshirojnë dhe kërkojnë, përafërsisht atë çka kërkoj unë dhe që kanë synime të ngjashme me të miat". Andaj, pra, është fare e kuptueshme se tani është kohë tjetër e krijimtarisë. Kohë e momenteve shprehëse, kur krijuesit tanë, janë të lirë ta shprehin botën e vet shpirtërore. Ata këtë botë shpirtërore e shprehin me shenja të tjera, që gjithsesi e fusin shikuesin që më tepër ta analizojnë veprën e krijuar. Dhe, në këtë drejtim, tani, lindin opsionet "E paqartë" dhe "Asgjë nuk po kuptoj nga kjo vepër"! Ja këtu, me të vërtetë, na lindin problemet e shikuesve me veprën artistike. Piktori Kandinski thotë:"Shikuesi, e ka bërë zakon, të kërkoj "kuptimin", domethënë lidhjen e jashtme të pjesëve të shëmbëlltyrës. Ç'është e vërteta, vetë periudha materialiste, si në të gjitha aspektet e jetës, po ashtu edhe në vetë artin, ka formuar një shikues të paaftë". Në këtë rast, mendoj, se faji ndoshta, është i dyanshëm; shikuesi, që fare nuk përpiqet, që ta deshifroj veprën artistike, dhe, në anën tjetër, krijuesi, që nuk i ka të qarta, shenjat dhe kuptimet e tyre të shpërfaqjes, në veprën artistike. Në këtë drejtim, është e domosdoshme, që të krijohet një harmonizim më i drejtpërdrejtë, në mes shikuesit dhe të krijuesit. Mendoj gjithnjë, në shikuesin që nuk ka kulturë të lartë artistike. Kjo sigurisht ndodh me mjetet e reja shprehëse, si p.sh. marrëdhëniet e artit modern dhe të abstraksionit. Kështu, më së tepërmi bie në dilemë shikuesi, që t'i deshifroj elementet dhe shenjat, që janë paraqitur në veprën artistike. MT: Qartësia dhe paqartësia e veprave Zaten, për problemin e "qartësisë" dhe të "paqartësisë" ka debatuar edhe Eqrem Çabej në një debat, që zhvillohej për këtë çështje, e që lidhej me poezinë e Lazgush Poradecit dhe për këtë shprehej: "Po moskuptimi i lehtë, errësira e disa vjershave të tija nuk është një e metë, përkundrazi është një element i të gjitha shkrimeve të thella në botë. Fundi i fundit, çdo thellësi, është e errët. Dhe, faji s'është aq i gjeniut, sa i publikut mendjeshkurtër". Domosdoshmërisht krijuesi duhet ta ketë të qartë, se çka po ekspozon (boton), për kënd po e krijon dhe çfarë mesazhi ajo vepër po e përcjell te shikuesi. Pra, këtë duhet krijuesi ta ketë gjithmonë parasysh. Dhe, le të më lejohet që t'ju përkujtoj, që në një ekspozitë të organizuar para do vitesh në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ishte ekspozuar, edhe një vepër, delja me mbeturina (fekale) dhe kashtë! Dhe, a thua edhe këtë mund ta quajmë vepër artistike? E, pra, kjo shpërfaqje, a thua, çfarë bukurie ka dhe, a thua, çfarë mesazhi artistik na tregoi?! Ndaj, gjithmonë mendoj dhe përherë e kemi borxh që para shikuesve të dalim ashtu siç duhet dhe siç e meriton seriozisht shikuesi. Pra, të ekspozohen vepra të mirëfillta me domethënie ndiesore e sensitive dhe me kreativitet të lartë artistik. Dhe, për këtë, jam edhe më i vendosur, se në prezantimin e veprave artistike, nuk mundemi të dalim dhe të bëhet prezantimi dosido! Për këtë, krijuesi duhet ta ketë të qartë, çka po ekspozon dhe vepra e tij, çfarë domethënie ka dhe çfarë mesazhi na paraqet. Në të kundërtën, nëse vazhdon kjo amulli, e paqartësive dhe e pakuptimësisë, në veprat artistike, vaj halli për artin dhe për kulturën tonë në përgjithësi!!!...