Çmimet 'Oskar 2018': Pretendentët më meritorë deri më tani

  • 23 June 2018 - 16:50
Çmimet 'Oskar 2018': Pretendentët më meritorë deri më tani

KATEGORIA E FILMIT MË TË MIRË: "YOU WERE NEVER REALLY HERE" Regjisori Lynne Ramsay ka dalë me këtë film, i cili paraqet një stërvitje në ekonominë rrëfyese, me një investim në editim dhe të karakterizuar nga një performancë e dalluar nga Joaquin Phoenix. Pretendentët tjerë të mundshëm: "Black Panther," "First Reformed," "Hereditary," "The Rider"

REGJISORI MË I MIRË: CHLOE ZHAO, "THE RIDER" Zhao ia ka dalë që, në këtë film, të sjellë një performancë të mrekullueshme, duke punuar me shumë njerëz, të cilët më parë asnjëherë nuk ishin marrë me aktrim, duke përfshirë edhe Brady Jandreau. Pretendentët tjerë të mundshëm: Ari Aster, "Hereditary"; Ryan Coogler, "Black Panther"; Lynne Ramsay, "You Were Never Really Here"; Paul Schrader, "First Reformed"
 

AKTORI MË I MIRË: ETHAN HAWKE, "FIRST REFORMED" Regjisori Paul Schrader mund ta ketë nxjerrë atë më të mirën nga karriera e aktorit Hawke, në një film i cili flet rreth krizës ekzistenciale. Aktori katër herë i nominuar për Oskar sjell pyetjet e Schraderit, në kërkim të kotë për përgjigje. Pretendentët tjerë të mundshëm: Jason Clarke, "Chappaquiddick"; Ben Foster, "Leave No Trace"; Brady Jandreau, "The Rider"; Joaquin Phoenix, "You Were Never Really Here"

AKTORJA MË E MIRË: TONI COLLETTE, "HEREDITARY" Nëse flasim për "tours de force", nuk kemi nevojë të shkojmë më larg sesa performanca mbresëlënëse e Collette's në filmin horror të Asterit, të shfaqur në Festivalin e filmit "Sundance", i cili është plot me dhembje, terror, pendim, kompulsion. Pretendentët tjerë të mundshëm: Emily Blunt, "A Quiet Place"; Olivia Cooke, "Thoroughbreds"; Vera Farmiga, "Boundaries"; Leslie Mann, "Blockers"

AKTORI MË I MIRË NDIHMËS: MICHAEL B. JORDAN, "BLACK PANTHER" Nuk është rast i rrallë kur personazhi negativ merr tërë vëmendjen në një film rreth superheroit, por Jordan ka arritur një nivel të veçantë në këtë drejtim. Jo vetëm që ofron shkaqe të forta që të na bindë për zotësinë e tij prej aktori, por ai mundet, përpos që t'ju frikësojë, t'ua thyejë edhe zemrën. Pretendentët tjerë të mundshëm: Josh Brolin, "Avengers: Infinity War"; Benicio del Toro, "Sicario: Day of the Soldado"; Hugh Grant, "Paddington 2"; Alex Wolff, "Hereditary"


AKTORJA MË E MIRË DYTËSORE: KATHRYN NEWTON, "BLOCKERS" Vitin e kaluar, aktorja Newton i kishte treguar aftësitë e saj duke luajtur rolin e bijës së Frances McDormand ("Three Billboards Outside Ebbing, Missouri") dhe të Reese Witherspoon ("Big Little Lies"). Këtu ajo shkëlqen me rolin e vajzës së një nëne tepër protektive. Në këtë film ajo sjell edhe anën komike të saj. Këtë aktore e pret një e ardhme e ndritur. Pretendentët tjerë të mundshëm: Gideon Adlon, "Blockers"; Thomasin McKenzie, "Leave No Trace"; Amanda Seyfried, "First Reformed"; Letitia Wright, "Black Panther"
 

SKENARI MË I MIRË I PËRSHTATUR: "THE DEATH OF STALIN" E vërteta është më e çuditshme sesa trillimi dhe adaptimi i Armando Iannucci't i një romani francez, i cili deri në detaje sjell çmendurinë dhe marifetet të cilat rrethonin diktatorin sovjetik, do t'ju bëjë përshtypje të madhe. Ju mund të prisni qeshje të mëdha nga krijuesi i "In the Loop" dhe "Veep", por skenari i këtij filmi kurrë nuk ua shkoqë tensionin real, i cili karakterizon çdo skenë të tij. Pretendentët tjerë të mundshëm: "Black Panther," "Deadpool 2," "Sicario: Day of the Soldado," "You Were Never Really Here"

SKENARI MË I MIRË ORIGJINAL: "GAME NIGHT" Mos u mashtroni nga fakti se sa jeni duke u argëtuar: skenari i Mark Perezit është plot kthesa interesante dhe të mençura, dialog të mprehtë, si dhe me personazhe të mençura, të cilat sa më shumë që i shohim, aq më shumë na bëjnë përshtypje. Pretendentët tjerë të mundshëm: "American Animals," "Blockers," "First Reformed"; "Tully"

KINEMATOGRAFIA MË E MIRË: "THE RIDER" Nuk janë vetëm pamjet gjithëpërfshirëse të Dakotës jugore që sjell kinematografi Joshua James Richards në mënyrë aq madhështore me kamerën e tij. Janë edhe momentet intime, njerëzore, nga të cilat ai nuk ka frikë. Kjo është karakteristikë e një artisti me të vërtetë të madh. Pretendentët tjerë të mundshëm: "Hereditary," "Sicario: Day of the Soldado," "You Were Never Really Here"


DIZAJNI MË I MIRË I KOSTUMEVE: "BLACK PANTHER" Legjendarja Ruth E. Carter me gjasë ka gdhendur nominimin e vet në gur, me filmin e njohur nga "Marvel", por le t'i themi dy fjalë edhe ne për të. Ajo është e njohur për filmat, si "Amistad" dhe "Malcolm X", por, në këtë film i imagjinatës së saj i është dhënë një hapësirë e lirë për të vepruar, gjë që i ka dhënë rezultatet e veta. Pretendentët tjerë të mundshëm: "Ocean's 8," "The Seagull," "A Wrinkle in Time"


EDITIMI MË I MIRË I FILMIT: "YOU WERE NEVER REALLY HERE" Filozofia e të shkuarit në post-produksion të filmit më të ri të Lynne Ramsay, nënkuptonte zbërthimin e gjësendeve thuajse deri në elementin më të vogël të tyre. Efekti i kësaj ia mundëson shikuesit që të njoftohet edhe me antiheroin, bashkë me kujtimet e tij nga e kaluara. Pretendentët tjerë të mundshëm: "Black Panther," "Ready Player One," "Sicario: Day of the Soldado"


GRIMI DHE FLOKËT MË TË BUKURA: "A WRINKLE IN TIME" Duke folur rreth futurizmit afrikan, regjisorja Ava DuVernay ka përdorë estetikën nëpër thjerrëzën e vet, në bërjen e këtij adoptimi ambicioz të "Disney"-t. Bie në sy sidomos puna për pamjen e flokëve dhe grimi, të cilat bëjnë që ky film ta ketë ikonografinë e vet. Pretendentët tjerë të mundshëm: "Avengers: Infinity War," "Black Panther," "Deadpool 2"


SUKSESI MË I MIRË ORIGJINAL: "GEMINI" Kompozitori Keegan DeWitt ka bërë punë prej eksperti në disa prej filmave të tij të fundit, por në bashkëpunimin e tij më të ri me regjisorin Aaron Katz, ai me të vërtetë ka arritur një nivel të paparë deri më tani. Muzika e veçantë e zhanrit xhaz ia jep këtij filmi një identitet të veçantë, që përshtatet shumë mirë me atë që sjell kamera. Pretendentët tjerë të mundshëm: "Annihilation," "Black Panther," "Incredibles 2"


KËNGA MË E MIRË ORIGJINALE: "HEARTS BEAT LOUD", NGA FILMI "HEARTS BEAT LOUD" Puna e DeWitt-it si shkrues këngësh meriton shpërblim sivjet, në mos për asgjë tjetër, atëherë për këngën "Hearts Beat Loud". Kjo këngë sjell mu atë që shpërblehet në këtë kategori: kënga origjinale që përshtatet me ngjarjen e filmit. Pretendentët tjerë të mundshëm: "All the Stars" nga "Black Panther"; "Ashes" nga "Deadpool 2," "Pray for Me" nga "Black Panther"

 

DIZAJNI MË I MIRË I PRODUKSIONIT: "ISLE OF DOGS" Përpjekjet artizane në filmat e animuar shpesh kalojnë pa u vërejtur, gjë që është mëkat. Dizajnët e Paul Harrod dhe Adam Stockhausen janë aq të përpiktë sa që do të mund të pritej nga një film i Wes Andersonit. Ata ndërtuan një botë vibrante, gjë që nuk duhet të kalojë pa u vërejtur nga juria e çmimeve Oskar. Pretendentët tjerë të mundshëm: "Black Panther," "A Quiet Place," "Solo: A Star Wars Story"

EDITIMI DHE MIKSIMI MË I MIRË I ZËRIT: "A QUIET PLACE" Trileri i suksesshëm i John Krasinski't u bë film fitimprurës këtë pranverë, sukses të cilin edhe e meritoi. Ai solli një përvojë të mrekullueshme, por meritat i ka edhe tërë ekipi i filmit. Pretendentët tjerë të mundshëm: "Annihilation," "Incredibles 2," "Sicario: Day of the Soldado"

EFEKTET MË TË MIRA VIZUALE: "READY PLAYER ONE" Filmi më i fundit i regjisorit Steven Spielberg nuk ishte i tillë, sikur që jemi mësuar të presim nga ai, por në aspektin e efekteve vizuale, nuk kemi hapësirë për t'u ankuar. Nga ambienti i dendur, e deri te avatarët e detajuar, ky film ishte me të vërtetë festë për sytë e shikuesve. Pretendentët tjerë të mundshëm: "Annihilation," "Avengers: Infinity War," "Solo: A Star Wars Story

(Kosova Sot)